Deklaratë
nga klerikët dhe besimtarëtorthodhoksë të Beratit
ndaj veprimeve antifetare në kishën “Shën Maria e Pazarit”, Përmet.    
    Ne, klerikët dhe besimtarët orthodhoksë të Beratit me indinjatë mësuam lajmin e trishtueshëm se disa punonjës të përmbarimit, të përkrahur nga policia private e qytetit Përmet, kanë vënë dorë mbi kryqin e kishës së Shën Marisë, kanë rrëmbyer në mënyrë të palejueshme dhe të pahijshme ikonat, kambanat si dhe materiale të tjera kishtare. 
    Këto të dhëna indinjuese i mësuam nëpërmjet medias vizive, më datën 16.08.2013, si dhe nga organet e shtypit të datës 17.08.2013.
    Na bën përshtypje të pakëndshme fakti se prej më shumë se 16 viteve është bërë një ballafaqim serioz midis besimtarëve përmetarë dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor që kjo godinë t’i kthehet kishës së ngritur prej shekujsh me emrin “Shën Maria e Pazarit”.
    Deri më sot nuk është zgjidhur plotësisht kjo kërkesë e klerikëve dhe e të krishterëve përmetarë, për më tepër, tani veprohet me dhunë për ta marre këtë tempull të shenjtë, ku njerëzit gjejnë paqe shpirtërore.
    Nuk pajtohemi kategorikisht me këto veprime antifetare dhe kërkojmë me të drejtë që qeveria të ndërhyjë fuqimisht për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi kaq delikat, duke plotësuar këtë kërkesë kaq të ligjshme.
    Vetëm kështu do të kontribuohet për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare që kaq shumë ka bërë dhe bën për bashkëpunim, harmoni vëllazërore dhe ndihmë reciproke ndërmjet bashkësive fetare dhe pushtetit lokal.
    Kemi besim të palëkundur se do të vihet drejtësia edhe në këtë rast.
    Nga klerikët dhe besimtarët orthodhoksë të Beratit
    Berat më 18.08.2013