Në vazhdim të atmosferës së 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe në vigjilje të Krishtlindjeve dhe vitit të Ri 2013, besimtarët e Vlorës, pasditen e datës 9 dhjetor patën bekimin që të kenë mes tyre djemtë zë ëngjëllor të Korit Bizantin “Shën Joan Kukuzeli” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka vite që ky kor është ngritur dhe jep ndihmesën e tij në ruajtjen dhe përcjelljen ndër breza të muzikës bizantine. I krijuar nga Atë Justini e tashmë i drejtuar nga Theodhor Peci, kori ka në traditën e vet dhënien e koncerteve jo vetëm në Tiranë por edhe në Mitropolitë e tjera.
Me inisiativën dhe përkujdesjen e Mitropolitit të Beratit , Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignatit të dielën më 9 dhjetor djemtë e korit erdhën në Zëvendësinë e Vlorës. Në orën katër pasdite filloi koncerti “I psalim lindjes Tënde”. Aktivitetin e hapi prezantuesja Sevastiani Qako e cila bëri një prezantim të korit dhe aktiviteteve të tij ndër vite. Më pas zërat e mrekullueshëm të djemve të talentuar, nën drejtimin e Theodhor Pecit, mbushën kishën e rrëmbyen zemrat e besimtarëve. U krijua një atmosferë meditimi te të gjithë e dukej sikur në kishë kishin hyrë e po psalnin engjejt. “Do ti psal Perëndisë tim”, ”Lavdërimet e Krishtlindjes”, ”Linde o Krisht”, ”Ja Krishti Lind lavdërojeni” e “Lavdëroni Zotin” ishin disa nga pjesët që u interpretuan.
Gjatë koncertit besimtarëve ju bë e ditur se këtë vit Kisha Orthodhokse ka hapur për herë të parë shkollën e muzikës bizantine, ku marin pjesë studentë nga e gjithë Shqipëria, të cilët trajtohen me bursë të veçantë nga Kryepiskopi Anastas, me bekimin e të cilit u bë i mundur funksionimi i kësaj shkolle. Përveç besimtarëve të shumtë për të ndjekur koncertin erdhi edhe Peshkopi Katolik i Jugut, Hil Kabashi.
Mitropoliti i Beratit , Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignati i falenderoi djemtë e korit për emocionet që krijuan tek të pranishmit duke thënë: “Sigurisht,të gjithë ne e dimë se, kur afrohet një ngjarje shumë e madhe fetare, kisha jonë kërkon nga të gjithë të përgatitemi me mjete të ndryshme shpirtërore. Midis tyre dallohet lufta shpirtërore më e fuqishme, kthimi tek vetvetja me lutje dhe adhurim. Pastrimi i vetes sonë me kreshmë, përmbajtje dhe pjesëmarrje në misteret e shenjta. Le të mos mungojë asnjë nga ne brenda gjithë kësaj përgatitje të veçantë. Të pastrojmë shpirtin tonë për të pritur Zotin. ” Më pas Mitropoliti vazhdoi: ”Sepse,atë që nuk mund ta arrijnë njerëzit me mendjen e tyre dhe nuk mund ta shprehin me fjalë, e bëjnë himnë dhe këngë, gëzimin e tyre të madh si dhe hidhërimin e tyre të madh, mbrekullitë e botës dhe zbulesat e Perëndisë. Himni dhe kënga, që burojnë nga thellësitë e qenies sonë, është krijimi jonë më i sinqertë dhe më shpirtëror. Një njeri i urtë dhe besnik tha se: ”Muzika ka tërë fuqinë që të shprehë misterin hyjnor më thellë nga çdo formulim teologjik. Madje kur lidhja e notave me fjalët melodioze zbatohet shkëlqyeshëm dhe shoqërohet nga zëra karizmatik të rinjsh, të përgatitur në mënyrë të shkëlqyer, krijon një melodi të shkëlqyer, krijon një melodi të mrekullueshme, me të cilën kënaqet veshi i dëgjuesit, ndërsa shpirti i mbushet me ngazëllim.”
Në përfundim Mitropoliti ju drejtua të pranishmëve me fjalët: ”Të lavdërojmë,pra, Zotin dhe me shpirt të pastër ta presim, por njëkohësisht të përpiqemi të kapërcejmë, sa mundemi, dobësitë dhe të metat tona. T’u shmangemi gjërave të këqia dhe të liga, të ndërpresim lidhjen tonë me mëkatin dhe të ecim vendosmërisht në rrugën e Perëndisë. Gëzimi që vjen si pasojë tek të gjithë sa shijojnë çlirimin e tyre, nuk do të jetë atëherë diçka e habitshme dhe as do të përbëje një dëshirë të paarritshme. Për cilindo na ne do të jetë një realitet i prekshëm, një përjetim personal. ”Pas koncertit për pjesmarësit u shtrua një koktej në ambientet e Zëvendësisë.
Atë Spiro Bulika