Gëzim të veçantë, por edhe tone optimizmi i dha gjithë grigjës së Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, por edhe gjithë Kishës Orthodhokse, vizita e këtyre ditëve në këto zona, të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë z. Anastas. Në kuadrin e gjithë atmosferës shpirtërore që krijohet me festimin e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari (nuk është madje aspak e rastit që në ndërgjegjen e popullit konsiderohet kjo e kremte si Pashka e verës) Kryepiskopi kishte akoma diçka për të na e bërë akoma më konkret dhe më të kapshëm këtë mesazh. Së bashku me Mitropolitin përgjegjës të Gjirokastrës z. Dhimitër, Kryepiskopi Anastas përuroi dy kisha. Bëhet fjalë për kishën e Shën Harallambit në Sarandë dhe atë të Shën Kozmait të Etolisë (Kolkondasit) në Livadhja, që janë ndërtuar në zonën tonë me iniciativën, kujdesin e përditshëm dhe fondet që ai ka siguruar.
Të dielën, 14 gusht, vigjilje e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari atmosfera në Livadhja, ndër fshatrat kryesorë të Vurgut, dhe qendër administrative të Komunës me të njëjtin emër ishte shumë festive. Dhjetëra besimtarë nga kjo enori, e cila u ngrit vitet e fundit dhe nga fshatrat përreth erdhën të marrin pjesë në këtë gëzim të veçantë. Menjëherë pas shërbesës së Mëngjesores vijoi ceremonia e përurimit të kishës. Kryepiskopi së bashku me Mitropolitin Dhimitër dhe Episkopin e Apollonisë, Nikolla, kreu shenjtërimin e Tryezës së Shenjtë, në këtë kishë që nderohet në kujtimin e Shën Kozmait të Etolisë (Kolkondasit), dhe në vazhdim u krye Liturgjia Hyjnore. Lutja e përbashkët e dhjetëra besimtarëve, të moshave të ndryshme, të mbledhur në një fshat kaq të largët, solli pas kaq shumë kohe përjetimin e një gëzimi dhe madhështie të këtyre përmasave. Ky është misteri dhe fuqia e Orthodhoksisë.
Kryepiskopi në predikimin e tij veç të tjerash iu referua nevojës për një pendesë reale, që akoma nuk është realizuar e plotë në gjirin e besimtarëve orthodhoksë, duke theksuar se vetëm përmes saj dhe duke kuptuar më thellë nevojën për këtë pendesë secili prej besimtarëve jo thjesht do të përmirësohet shpirtërisht, por atëherë do të jenë realizuar kushtet për zhvillim më të mbarë të gjithë komunitetit.
Kisha e Shën Kozmait të Etolisë, që u ndërtua nga Kryepiskopi Anastas, u përfundua në vitin 1999 dhe ndodhet në qendër të fshatit të Livadhjasë. Bëhet fjalë për një kishë të bukur me sipërfaqe 240m2 që është ndërtuar me gurë dhe sipas teknikës tradicionale të asaj zone. Që me përfundimin e saj, me kujdesin e pandërprerë të Mitropolitit Dhimitër, është bërë pajisja e saj me orenditë e nevojshme në brendësi, është rregulluar ambienti i oborrit etj. Ajo përbën në qendrën shpirtërore dhe adhuruese të enorisë, ku kryhen shërbesa në mënyrë të rregullt.
Në shërbesë morën pjesë edhe autoritete të pushtetit vendor të zonave përreth. Merrte pjesë edhe sekretari i Komitetit Parlamentar Ndërorthodhoks z. M. Pandoulas (në këtë organizëm përfaqësohen 24 parlamente vendesh orthodhokse ose ku ka prani të konsiderueshme orthodhoksësh, nga të 5 kontinentet), si edhe deputeti z. V. Dule, që përfaqëson Parlamentin e Shqipërisë në këtë organizëm.
E kremtja e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, ishte një ditë krejt e veçantë për qytetin e Sarandës. U krye edhe në këtë kishë ceremonia e përurimit. Për të qenë pjesë e këtij gëzimi dhe dëshmitarë të kësaj madhështie u mblodhën qindra besimtarë, duke forcuar notën e optimizmit që sjell lajmi i bukur i shenjtërimit të një Altari Hyjnor. Dhe pikërisht këtë theksoi edhe Kryepiskopi Anastas në përshëndetjen e tij. Ai tha, se tanimë kisha e Shën Harallambit nuk është thjesht një godinë e bukur, por ajo do të rrezatojë, sepse prezenca e shenjtorëve, lipsanet e të cilëve u vendosën në Tryezën e Shenjtë do të mbështesë besimtarët, klerikët dhe laikët në lutjen e tyre.
Në këtë ditë të veçantë për komunitetin orthodhoks të qytetit ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë z. S. Çipa, deputetë dhe përfaqësues të politikës dhe shtetit, si edhe mjaft të ftuar të tjerë.
Kryepiskopi Anastas në predikimin e tij iu drejtua besimtarëve duke vënë theksin tek personi i të Tërëshenjtës Mari dhe pozicionit të saj në Kishën Orthodhokse dhe në traditën e Saj, duke iu referuar gjithashtu edhe historisë së ndërtimit të kësaj Kishe. Ai theksoi në veçanti përsëri, idenë se një kishë orthodhokse përbën jo vetëm një qendër lutjeje dhe adhurimi, por njëherësh rrezaton në gjithë ambientin shoqëror dashurinë, solidaritetin, pajtimin, paqen dhe mirëkuptimin. Në Shqipëri kjo është kthyer në një realitet të bukur dhe e përjetojnë veçanërisht komunitetet lokale ku ndajnë gëzimin e festave të mëdha të krishtera. Për më tepër në të gjithë vendin ndërtimi i kishave të reja orthodhokse ka shtuar elementë arkitektonikë hijeshie në qytete dhe fshatra dhe janë shndërruar në pika referimi urbanistike, duke u dhënë kështu në shumë raste identitet qendrave të banuara. Pas Liturgjisë Hyjnore pasoi një takim shpirtëror i shoqëruar me një koktej në sallën shpirtërore të kishës.
Vlen të theksohet se në vitin 1991 kur Kryepiskopi erdhi në Sarandë si Eksark Patriarkal, pikërisht në ditë të tilla gushti, nuk gjeti asnjë gjurmë kishe orthodhokse. Filluan menjëherë përpjekjet për gjetjen dhe blerjen e truallit, realizimin e studimeve dhe projekteve, por në veçanti për gjetjen e burimeve financiare dhe donacione për ndërtimin e kishës së re. Duke kapërcyer vështirësi të shumëllojshme, të njohura ose të panjohura, në vitin 2000 përfundoi ndërtimi i kishës. Që atëherë vazhduan përpjekjet për pajisjen së brendshmi të kishës dhe zbukurimin e saj, përfundim i të cilave është kjo kishë madhështore. Në të meshohet pandërprerë duke mbuluar në këtë mënyrë nevojat shpirtërore të komunitetit të shumtë në numër, të këtij qyteti. Në katin e parë të saj funksionon kopshti i fëmijëve që pret përditë mbi 40 fëmijë. Njëkohësisht është punuar gjithashtu edhe me ambientin e oborrit i cili përbën edhe parkun e vetëm për atë lagje të Sarandës.
Vizita dhe mbresa të shumta
Në kuadrin e kësaj vizite të bekuar në Mitropolinë e Gjirokastrës Kryepiskopi, sikundër edhe në të kaluarën pati një program të ngjeshur edhe veprimtarish të tjera. Së pari vizitoi Katedralen e re në ndërtim, të Ngjalljes së Zotit, në Gjirokastër. Bëhet fjalë për plotësimin e një veprimtarie ndërtuese titanike në të gjithë trevën e Mitropolisë së Gjirokastrës (theksojmë faktin që janë ndërtuar mbi 60 kisha të reja). Punimet për ndërtimin e kësaj Katedraleje kanë avancuar me ritme veçanërisht intensive. Guri i themelit ishte vendosur nga Kryepiskopi Anastas në qershorin e vitit të kaluar dhe tanimë kanë përfunduar punimet e betonit në gjithë karabinanë e kishës, ndërsa në një fazë shumë të kënaqshme janë edhe ato për qendrën arsimore (shkollë 9-vjeçare dhe kopsht për fëmijë) që e plotësojnë kompleksin. Kryepiskopi pati mundësinë të takohej edhe me inxhinierët përgjegjës dhe grupet e punës që punojnë aty.
Në vazhdim Kryepiskopi vizitoi Labovën e Zhapës për të parë në këtë mënyrë edhe kishën e përfunduar të Ipapandisë së Zotit. Në një rrugëtim të tij në këtë zonë, para disa vitesh kishte gjetur një grumbull gërmadhash. Kështu ishte katandisur atëherë kisha, e cila në vitet e persekutimit ishte kasolle bari, ndërsa në vendin e përmendores së bamirësve Zhapa ishte një dyqan perimesh i kooperativës. Kur u pa nga afër gjendja, u mor edhe vendimi për ngritjen e kishës së re dhe me përfundimin e saj, sot me të vërtetë kemi një rezultat të shkëlqyer. Së bashku me kishën, e cila në katin e saj të poshtëm ka edhe sallë shpirtërore është punuar shumë për rregullimin e jashtëm të ambientit.
Gjatë qëndrimit të tij në Sarandë, Fortlumturia vizitoi edhe gjetjet arkeologjike të Manastirit të 40 Shenjtorëve ndërsa pati edhe një takim me Kryetarin e Bashkisë dhe autoritete të tjera shtetërore, për gjetjen e mënyrave dhe mundësive jo thjesht për promovimin e mëtejshëm të këtij monumenti origjinal, por edhe për ringritjen e tij. Bëhet fjalë për një çështje, që prej vitesh ka preokupuar Kryepiskopin, i cili ka sensibilizuar në mënyrë të vazhdueshme shumë autoritete kompetente për realizimin e gërmimeve, zbulimin e gërmadhave dhe për rrethimin e zonës, e cila ishte rrezikuar nga ndërtimet pa leje akoma edhe mbi ambientin arkeologjik.
Ai inspektoi gjithashtu punimet e ndërtimit të kishës në Lukovë, ku në qendër të fshatit vazhdojnë rregullisht punimet për ngritjen e kishës së Shën Nifonit dhe Shën Athanasit. Lukova që është edhe qendër administrative e Komunës me të njëjtin emër, veç të tjerash është edhe vendlindja e Oshënar Nifonit, i cili murgëroi në Malin e Shenjtë. Kisha e tyre e vjetër ishte rrëzuar tërësisht në vitet e persekutimit dhe ishte ndërtuar aty një qendër e propagandës komuniste. Para dy vjetësh, Kryepiskopi vendosi gurin e themelit për kishën e re, në një ceremoni me pjesëmarrje të shumtë të besimtarëve dhe banorëve përreth.
Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas vizitoi edhe Manastirin e vjetër të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari në Gjirin e Kakomesë, ku vitet e fundit janë realizuar punime restauruese të iniciuara dhe financuara prej tij në kishën e manastirit, për përforcimin dhe konservimin e godinave të tjera si edhe për pastrimin dhe forcimin e afreskeve të kishës. Trevat e Mitropolisë së Gjirokastrës janë veçanërisht të pasura me të tilla monumente shpirtërore dhe kulturore, për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e të cilave është i pandërprerë kujdesi i Kryepiskopit Anastas. Vetëm në këto zona janë mbi 35 objekte kulti të karakterizuara si monumente kulture, në të cilat janë realizuar ndërhyrje të plota ose të pjesshme restaurimi shkencor.
* * *
E pasur me bekime të veçanta ishte dhe kjo vizitë e Kryepiskopit, të cilën grigja e Mitropolisë nën udhëheqjen shpirtërore të Mitropolitit Dhimitër do ta mbajë mend gjatë. Kjo vizitë do të përbëjë gjithashtu edhe një stacion në përpjekjen e ringritjes së kishës sonë. Përurimi i një kishe orthodhokse është natyrisht një lajm i rëndësishëm dhe shpresëdhënës, por në kuadrin edhe të një kremtimi të një feste kaq të madhe sa është Fjetja e Nënës sonë të Tërëshenjtës Mari, merr një tjetër dimension dhe tjetër rëndësi.
(Korresp. NGJALLJA)
|