Në datat 5-7 gusht 2013 Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij z. Anastas, kreu një vizitë 2-ditore në Mitropolinë e Korçës, e cila u shoqërua nga një atmosferë e gëzueshme dhe mjaft emocionuese. Kryepiskopi Anastas në këtë vizitë shoqërohej nga episkopi i Amantias z. Nathanail dhe episkopi i Bylisit z. Asti.
 
    Që në pasditen e dt. 5 gushtit, klerikë e besimtarë, bashkë me mitropolitin e tyre të Korçës z. Joani, e pritën Kryepiskopin Anastas disa kilometra përpara hyrjes së Korçës e në vazhdim në katedralen Ngjallja e Krishtit, duke i shprehur nxehtësisht dashurinë dhe traditën mikpritëse të tyre.
 
    Në dt. 6 gusht, ditën e dytë të vizitës, Kryepiskopi kreu Liturgjinë Hyjnore, me rastin e kremtimit të Metamorfozës (Shpërfytyrimit) të Krishtit, në kishën me të njëjtin emër të fshatit Polenë. Ajo që binte menjëherë në sy ishte se besimtarë të shumtë nga të gjitha moshat e prisnin atë me padurim. Kontrasti që ofronte pamja e fëmijëve, të rinjve dhe të pleqve që mbanin lule me synim t’ia dhuronin Fortlumturisë, gjatë mbërritjes së tij, emociononte këdo që e shikonte. Në Liturgjinë panegjirike merrnin pjesë edhe mjaft klerikë dhe besimtarë të ardhur nga qyteti i Korçës. Në predikimin e tij kremtues Kryepiskopi u përqendrua tek transformimi që duhet të kryej secili prej nesh nëpërmjet besimit dhe jetës shpirtërore orthodhokse.Në fund, Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, falënderoi Perëndinë, që bekoi këtë vend dhe dërgoi një njeri si Kryepiskopi Anastas. Po kështu mitropoliti falënderoi Kryepiskopin për të gjitha ato sa Kryepiskopi i ka ofruar deri tani Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Mitropoliti duke iu referuar sakrificave dhe pengesave që ka kaluar Kryepiskopi, theksoi se shumë të tjerë do të ishin larguar, ndërsa ai duroi për hir të dashurisë së Perëndisë dhe Kishës. Për këtë, të gjithë besimtarët, duhet të tregojnë mirënjohje dhe t’i themi të paktën faleminderit për të gjitha ato sa ai ka bërë për këto 22 vjet me radhë.
 
    Pasdite Kryepiskopi, i shoqëruar nga Mitropoliti, dy episkopët dhe mjaft klerikë e besimtarë, vizitoi kishën e re, që po ndërtohet, të Shën Nikollës të fshatit Boboshticë, si edhe Manastirin e së Tërëshenjtës Mari po në këtë fshat. Edhe këtu ai u prit nga besimtarët e fshatit, ku edhe u takua mes të tjerëve edhe me z. Sotir Bambulla, një nga iniciatorët e periudhës së pas komunizmit në hapjen e kishave të dioqezës, duke kujtuar kështu edhe vizitën e parë të Fortlumturisë në këtë fshat si edhe në kishën e Shën Nikollës, që qe rrënuar plotësisht në atë kohë.   Ndërsa në dt. 7 gusht, ditën e tretë, Kryepiskopi vizitoi fshatin historik të Voskopojës dhe meshoi në kishën e Shën Nikollës, kishë e shek të 18-të. Në Liturgjinë kremtuese morën pjesë dhe shumë besimtarë nga Voskopoja, por dhe nga Korça. Në predikimin e tij Kryepiskopi Anastas u përqendrua tek rëndësia e madhe, për secilin prej nesh, të kuptojmë se Krishti është Perëndia i të gjallëve dhe i të vdekurve. E vetmja mënyrë dhe rrugë që të transformohemi e të shenjtërohemi, për të fituar mbretërinë qiellore, është t’i bindemi plotësisht Krishtit. Vetëm kështu do të mundemi të përballojmë vështirësitë dhe sakrificat. Më pas, Hirësi Joani,  në fjalën e tij shprehu gëzimin e madh që ndajmë të gjithë me praninë e Kryepiskopit Anastas. Ai u kujtoi besimtarëve të pranishëm se sot kremtojmë përvjetorin e 53-të të dorëzimit në klerik të Kryepiskopit Anastas si dhjakon. Ky përvjetor nuk është gjë tjetër veçse një përvjetor ofrimi i vazhdueshëm i tij, për Kishën Orthodhokse por edhe atë të Shqipërisë, e cila për shumë kohë konsiderohej e pamundur që të ringrihej. Duke e mbyllur me ndjenjën e falënderimit Mitropoliti Joan tha se për 22 vjet që kemi demokraci “Unë nuk njoh askënd të ketë ofruar më tepër se Kryepiskopi Anastas për këtë vend”.
 
    Më pas Kryepiskopi, i shoqëruar nga Mitropoliti, dy episkopët dhe klerikë e besimtarëvizitoi Manastirin e Shën Joan Prodhromit, i cili është tashmë një vend pelegrinazhi për besimtarët, por edhe vizitorët e shumtë që verojnë ose vizitojnë Voskopojën.
 
    Themistokli Bambulla
 
    Për më shumë shihni faqen (në ndërtim) të Mitropolisë së Korçës