“Drita e Krishtit iu ndrittë të gjithëve”, mblodhi në Sibiu të Rumanisë, nga 4-9 shtator 2007, të krishterë nga e gjithë Evropa. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua me një delegacion prej 7 personash klerikë e laikë, i kryesuar nga Kryepiskopi Anastas, në përbërje të të cilit ishte edhe episkopi i Krujës, Andoni. Gjithashtu mori pjesë edhe një përfaqësi e Konferencës Ipeshkvnore Romanokatolike të Shqipërisë, e përbërë nga klerikë dhe laikë.
Asambleja ishte programuar të zhvillohej në seanca plenare të paradites dhe diskutime në grup të pasdites për të ndarë mendime e opinione mbi nëntemat “Drita e Krishtit dhe Kisha”, “Drita e Krishtit dhe Evropa” dhe “Drita e Krishtit dhe bota”.
Ajo u përgatit nga dy organizma të krishterë: Konferenca Evropiane e Kishave (CEC) http://www.cec-kek.org dhe Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Romanokatolike (CCEE)http://www.ccee.ch Kjo Asamble ishte ndjekëse e traditës së Asambleve Ekumenike Evropiane të organizuara më parë në Bazel (viti 1989) dhe Grac (viti 1997).
Disa të dhëna për Asamblenë – http://www.eea3.org
– Rreth 2600 pjesëmarrës (2100 përfaqësues të kishave pjesëmarrëse, si dhe stafi, shtypi, vullnetarët lokalë etj.).
– 1542 delegatë zyrtarë.
– Gjysma e delegatëve ishte nga Kishat anëtare të Konferencës Evropiane të Kishave ose KEK) (CEC), dhe gjysma nga anëtarët e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Romanokatolike (CCEE).
– Përveç seancave plenare ishin edhe 9 sesione pune, të quajtura “fora” (uniteti, spiritualiteti, dëshmia e përbashkët, integrimi evropian, dialogu ndërfetar, emigracioni, ruajtja e krijimit (mjedisit), drejtësia dhe paqja).
– Konferenca Evropiane e Kishave (KEK) është një organizatë që bashkon 120 kisha orthodhokse dhe protestante, si dhe 40 shoqata e organizata. Ajo është themeluar në vitin 1959. Kisha jonë është anëtare me të drejta të plota dhe Kryepiskopi Anastas është zgjedhur Zëvendëspresident i KEK.
– CCEE përbëhet nga 34 konferenca ipeshkvnore lokale.
– Dy asambletë e mëparshme janë mbajtur në Bazel (Zvicër), më 1989, dhe në Grac (Austri), më 1997.
– Sibiu, së bashku me Luksenburgun, janë caktuar si Kryeqyteti Kulturor i Evropës për vitin 2007. Qyteti ndodhet në rajonin e Transilvanisë dhe ka rreth 200 mijë banorë. Ai ka veçorinë se banohet nga qytetarë të disa etnive dhe besimeve, tempujt e të cilëve i gjen pranë njëri-tjetrit.
Data 4 shtator 2007, mblodhi të gjithë delegatët nga e gjithë Evropa në Sheshin Mare, për të bërë hapjen e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Primatë të kishave të krishtera u bashkuan në përshëndetjet për një fillim të mirë, harmoni dhe shpresë për bashkim në Evropë. |
|
|
Në datën 5 shtator, Patriarku i Konstandinopojës, Vartholomeu, hapi me meditimin e tij punimet e Asamblesë, ku ndër të tjera do të theksonte se “… |
Ne promovojmë pa rezerva dhe mbështesim çdo dialog ekumenik, në kushte të barabarta, duke e quajtur këtë si diçka absolutisht të nevojshme, edhe kur midis nesh ka marrëdhënie të vështira, sepse pa dialog është e pamundur të arrijmë qëllimin final të pajtimit, komunionin dhe unitetin midis të krishterëve…”. |
|
|
Tema e diskutimit të seancës së kësaj dite ishte “Drita e Krishtit dhe Kisha”. Më pas u vazhdua me përshëndetje dhe prezantime të nëntemave të asaj dite, për diskutimet në forume; Uniteti, Spiritualiteti dhe Dëshmia.
|
Në këtë ditë të parë të punimeve, folën Kardinali Walter Kasper, President i Këshillit Pontifik për Promovimin e Unitetit të Krishterë, Mitropoliti i Smolenskut Kirilli dhe Episkopi Wolfgang Huber, kryetar i Këshillit të Kishave Evangjeliste në Gjermani. |
|
|
Në forumin Dëshmia, një nga leksionet ishte edhe prezantimi me power point i rilindjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mënyra e dhënies së dëshmisë së Krishtit në Evropën post-komuniste. Ishte një dëshmi personale e një prej anëtarëve të delegacionit të Kishës sonë, dhënë për gjithë pjesëmarrësit. |
Seancat e datës 6 shtator, do të përcillnin mesazhin “Drita e Krishtit dhe Evropa”. Fjalimin kryesor të seancës së paradites e kishte Presidenti i Këshillit Evropian, Manuel Barroso, i cili tha se “Pjesëmarrja ime në këtë takim, në përgjigje të ftesës së CEC dhe CCEE, zë vend në procesin e gjatë të dëgjimit dhe respektit reciprok midis Komisionit Evropian dhe besimeve kryesore të Evropës….” |
|
|
Në vazhdim të kësaj seance Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, Zëvendës-president i KEK (i cili do të theksonte se: “…Aspirata jonë e qartë duhet të jetë mbështetja dhe forcimi i vlerave esenciale të krishtera që formuan qytetërimin evropian…”), |
…..dhe Episkopi i Londrës Richard Chartres, dhanë mesazhin e tyre mbi temën. Nëntemat e forumeve të seancës së pasdites ishin mbi Evropën, Fetë dhe Emigrimin. |
|
|
Gjithashtu, në këtë ditë foli dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rene Van Der Linden. |
Tema “Drita e Krishtit dhe bota” ishte tema e fundit e diskutimeve të seancave plenare, të datës 7 shtator. Fjalimin kryesor e mbajti Andrea Ricardi, drejtues i Komunitetit të St. Egidios, Itali. Nëntemat e forumeve ishin mbi Krijimin, Drejtësinë dhe Paqen. |
|
|
Mbrëmësorja festive për Lindjen e Hyjlindëses Mari u krye në Katedralen Orthodhokse të Sibiu, duke mbledhur së bashku komunitetet lokale. |
Në axhendën e takimeve të kësaj Asambleje ishte programuar edhe një takim me të gjithë të krishterët orthodhoksë, pjesëmarrës në aktivitet. Primatë të Kishave Orthodhokse drejtuan dhe diskutuan në të, duke shprehur rëndësinë dhe mesazhin e krishterë të kësaj AsamblejeEkumenike, që duhej të përcillej tek të gjithë njerëzit. |
|
|
Më 8 shtator, në të kremten e Lindjes së Hyjlindëses Mari të gjithë të krishterët orthodhoksë, pjesëmarrës në Asamble u mblodhën për të celebruar së bashku në Liturgjinë Hyjnore, bashkëmeshues i së cilës ishte edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas. |
Seanca e paradites filloi me raportimin dhe prezantimin e rezultateve përfundimtare të marra nga forumet gjatë ditëve të Asamblesë. Mesazhet dhe rezultatet e diskutimeve ishin pjesë e mesazhit final, me të cilin do të përfundonte kjo Asamble Ekumenike Evropiane. |
|
|
Gjatë përgatitjes së mesazhit pati shumë diskutime dhe opinione të ndryshme për përmirësimin dhe përsosjen e tekstit, duke pasur parasysh rëndësinë e tij për gjithë kishat e krishtera në të gjithë Evropën. |
Gjatë qëndrimit në Sibiu, duke qenë se ky qytet ishte shpallur një nga kryeqytetet e kulturës në Evropë për vitin 2007, ishte bërë e mundur edhe krijimi i një atmosfere mjaft festive, dhe marrja pjesë në mjaft evenimente kulturore. Një prej këtyre dhe mbyllësi i këtij aktiviteti ishte Procesioni i Dritës, i kryer në darkën e datës 7 shtator, në Sheshin Mare. Ky program kishte të ndërthurur aspektin shpirtëror me atë artistik. |
|
|
Pjesëmarrësit e Asamblesë celebruan shërbesat fetare në kishat lokale të Sibiu, mëngjesin e datës 9 shtator dhe më pas u mblodhën në Sheshin Mare për të festuar mbylljen përfundimtare të aktivitetit. |
Me këtë rast përshëndetën dhe drejtuan lutjet e tyre organizatorët e Asamblesë, të rinj të cilët ndihmuan në këtë organizim, si edhe të gjithë ata të cilët u kujdesën që ky aktivitet të përfundonte punimet me sukses. Përshëndetja e fundit, e cila u shoqërua edhe me përqafime dhe shtrëngim duarsh ishte “Paqe midis nesh!” |
|
|
Ishte kjo lutje dhe ky urim që përcolli Asambleja e Tretë Ekumenike Evropiane, me shpresë për rilindje dhe bashkim në Evropë! |
Përgatiti
Sonila Dedja
Fotot nga grupi ynë orthodhoks shqiptar & CCEE-KEK Ag. Siciliani
* * *
Mesazhi final i Asamblesë së Tretë Ekumenike Evropiane,
Sibiu, Rumani, 4-9 shtator 2007
E shtunë, 8 shtator, e Kremtja e Lindjes së të Tërëshenjtës Mari
“Drita e Krishtit iu ndrittë të gjithëve!”
Ne, pelegrinë të krishterë nga e gjithë Evropa dhe më tej, dëshmojmë për fuqinë transformuese të kësaj drite, që është më e fuqishme se terri, dhe e shpallim si shpresë që përqafon të gjitha aspektet për Kishat tona, për gjithë Evropën dhe për botën mbarë.
Në emër të Perëndisë së Trinishëm, Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë, jemi mbledhur në qytetin e Sibiut, Rumani (4-9 shtator 2007). Kjo Asamble e Tretë Ekumenike Evropiane u karakterizua nga pasuria e spiritualitetit dhe traditës Orthodhokse. Ritheksojmë dhe rinovojmë impenjimet serioze që kemi marrë në Bazel dhe Grac dhe shprehim keqardhje që deri më sot nuk kemi arritur të përmbushim disa nga ato. Megjithatë, besimi ynë në fuqinë transformuese të Dritës së Krishtit është më i fortë se errësira dhe shkurajimi, se fatalizmi, se frika dhe indiferenca.
Asambleja jonë e Tretë Ekumenike Evropiane nisi më 2006 në Romë dhe vazhdoi më 2007 në Witemberg. Në kuadrin e këtij pelegrinazhi ekumenik u organizuan takime të shumta rajonale, veç atij të Kishave Orthodhokse në Rodos dhe atij të të rinjve në St. Maurice. Presim me gëzim impenjimin e të rinjve dhe kontributin që ata kanë ofruar për Asamblenë. E mbështetur dhe e motivuar nga Charta Oecumenica, Asambleja jonë çoi përpara punën e nisur në asambletë e mëparshme dhe ishte një rast për shkëmbimin e dhuratave dhe pasurimin reciprok.
Nuk jemi të vetëm në këtë pelegrinazh. Krishti është me ne dhe në radhën e dëshmitarëve (Hebrenjve 12:1), na shoqërojnë martirët bashkëkohorë: dëshmia e jetës dhe e vdekjes së tyre na frymëzon individualisht dhe si trup. Në kungim me ta, impenjohemi të veprojmë në mënyrë që Drita e Krishtit të transfiguruar të shkëlqejë nëpërmjet dëshmive tona, të rrënjosura thellë në lutjen dhe dashurinë. Kjo është përgjigjja jonë e përulur ndaj sakrificës së jetëve të tyre.
DRITA E KRISHTIT NË KISHË
Drita e Krishtit na bën që të rrojmë për të tjerët dhe në kungim midis nesh. Dëshmia jonë në favor të shpresës dhe unitetit do të jetë e besueshme për Evropën dhe për botën vetëm nëse vazhdojmë rrugëtimin drejt unitetit të dukshëm. Unitet nuk do të thotë uniformitet. Ka një vlerë të pamatë në rikthimin tek eksperimentimi i kinonias dhe në shkëmbimin e atyre dhuratave shpirtërore, të cilat që nga fillimi i kanë dhënë forcë lëvizjes ekumenike.
Në Sibiu kemi ndjerë sërish plagën e dhimbshme të ndarjes midis Kishave tona. Kjo ka të bëjë edhe me kuptimin që i japim unitetit të saj. Zhvillimet e dukshme historike dhe kulturorë në Krishterimin lindor dhe atë perëndimor kanë kontribuar në këto ndryshime, dhe kuptimi i tyre kërkon vëmendjen tonë urgjente dhe një dialog të vazhdueshëm.
Jemi të bindur se familja e gjerë kristiane duhet t’i përballojë çështjet doktrinore dhe duhet gjithashtu të kërkojë një konsensus më të gjerë për sa ka të bëjë me vlerat morale që rrjedhin nga Ungjilli dhe një stil të besueshëm jetese, që të dëshmojë në gëzim Dritën e Krishtit në botën tonë laike ekzigjente dhe moderne, në sferën private ashtu si edhe në atë publike.
Spiritualiteti ynë i krishterë përbën një thesar të vyer: pasi e ke hapur, të tregon shumëllojshmërinë e pasurive të tij dhe i hap zemrat tona ndaj bukurisë të fytyrës së Jisuit dhe fuqisë së lutjes. Vetëm nëse i jemi më afër Zotit tonë Jisu Krisht mund të afrohemi më shumë midis nesh dhe të provojmë kinonian e vërtetë. Nuk mund të mos i ndajmë këto pasuri me të gjithë burrat dhe gratë që kërkojnë dritë në këtë kontinent. Burrat dhe gratë shpirtërore e fillojnë me shndërrimin e tyre dhe kjo çon në transformimin e botës. Dëshmia jonë ndaj dritës së Krishtit i korrespondon një impenjimi besnik për të dëgjuar, jetuar dhe ndarë historitë tona të jetës dhe përvojat e jetës dhe të shpresës që na kanë modeluar si dishepuj të Krishtit.
Rekomandimi i parë:Rekomandojmë të rinovojmë misionin tonë si besimtarë dhe si Kisha për të shpallur Krishtin si Dritë dhe Shpëtimtar të botës.
Rekomandimi i dytë:Rekomandojmë të vazhdojmë debatin mbi njohjen reciproke të pagëzimit, duke pasur parasysh rezultatet e rëndësishme mbi këtë çështje në vende të ndryshme dhe duke qenë të ndërgjegjshëm që çështja është e lidhur thellë me një kuptim të Eukaristisë, të shërbesës dhe të eklisiologjisë në përgjithësi.
Rekomandimi i tretë:Rekomandojmë gjetjen e mënyrave për të eksperimentuar veprimtari që na bashkojnë: lutjen për njëri-tjetrin dhe për unitetin, pelegrinazhet ekumenike, formimin teologjik dhe studimin së bashku, nisma sociale dhe shërbesa, projekte kulturore, mbështetjen e jetës së shoqërisë të bazuar në vlerat e krishtera.
Rekomandimi i katërt:Rekomandojmë pjesëmarrjen e të gjithë popullit të Perëndisë, dhe veçanërisht në këtë Asamble, duke i kushtuar vëmendje thirrjes së të rinjve, të të moshuarve, të minoriteteve etnike, të personave me handikap.
DRITA E KRISHTIT PËR EVROPËN
Mendojmë se çdo qenie njerëzore është krijuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Perëndisë (Gjeneza1:27) dhe meriton të njëjtin respekt dhe dashuri pavarësisht nga ndryshimet në besim, kulturë, moshë, gjini, origjinë etnike, që nga nisja e jetës deri në vdekjen natyrale. Duke qenë të ndërgjegjshëm për rrënjët tona të përbashkëta janë shumë më të thella se ndasitë tona, ndërsa kërkojmë rinovimin dhe unitetin dhe që të kuptojmë rolin e Kishave në shoqërinë e sotme evropiane, jemi përqendruar në takimin me persona të besimeve të tjera. Veçanërisht të ndërgjegjshëm, për raportin unik që kemi me popullin hebre, si populli i Besëlidhjes, refuzojmë të gjitha format bashkëkohore të antisemitizmit dhe, së bashku me ta, duam të promovojmë Evropën si një kontinent të lirë nga çdo lloj dhune. Në historinë tonë evropiane ka pasur periudha të ashpra konfliktesh, por edhe periudha bashkëjetese paqësore midis personave të të gjitha besimeve. Sot nuk ka alternativë tjetër veç dialogut: jo një kompromis, por një dialog jete në të cilin mund të themi të vërtetën në dashuri. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë më shumë mbi të gjitha besimet dhe rekomandimet e Charta Oecumenica duhet zhvilluar më tej. I drejtojmë një apel bashkëvëllezërve tanë të krishterë dhe gjithë atyre që besojnë në Perëndinë, në mënyrë që të respektojnë të drejtën e personave të tjerë për liri fetare, dhe shprehim solidaritetin tonë për komunitetet e krishtera që jetojnë në Lindjen e Mesme, në Irak ose në pjesë të tjera të globit si minoritete fetare dhe ndiejnë që qenia e tyre kërcënohet.
Duke takuar Krishtin në vëllezërit dhe motrat tona në nevojë (Mattheu 25:44-45), të ndriçuar së bashku nga Drita e Krishtit, ne të krishterët, në përputhje me urdhëresat e Ungjillit për unitetin e njerëzimit (Gjeneza 1: 26-27), impenjohemi që: të pendohemi për mëkatin e përjashtimit, të thellojmë kuptimin tonë të të “ndryshmes” dhe të mbrojmë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, të sigurojmë mbrojtjen e të gjithë atyre që kanë më shumë nevojë, që të ndajmë dritën e Krishtit që të tjerë ia sjellin Evropës. I drejtojmë një apel shteteve evropiane që t’u japin fund burgimit ilegal administrativ të emigrantëve, që të bëjnë përpjekje për të siguruar emigracioni legal, integrim të emigrantëve, të refugjatëve dhe të atyre që kërkojnë azil, që të mbështesin vlerën e unitetit të familjes dhe të luftojnë trafikun e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e tyre. I drejtojmë një apel edhe Kishave që të intensifikojnë kujdesin e tyre baritor për emigrantët vulnerabël.
Rekomandimi i pestë:Rekomandojmë që Kishat tona të njohin që emigrantët e krishterë nuk janë vetëm objekt i thjeshtë kujdesit fetar, por se mund të luajnë një rol të plotë dhe aktiv në jetën e Kishave dhe të shoqërisë; që të ofrojnë një kujdes baritor më të mirë për emigrantët, për ata që kërkojnë azil dhe për refugjatët; që të promovojnë të drejtat e minoriteteve etnike në Evropë, sidomos të popullit rom.
Shumë nga ne janë mirënjohës që kanë mundur të provojnë ndryshimet e thella në Evropë në dhjetëvjeçarët e fundit. Evropa është më shumë se Bashkimi Evropian. Si të krishterë, ndajmë përgjegjësinë për të plazmuar Evropën si një kontinent paqeje, solidariteti, pjesëmarrjeje dhe zhvillimi të mundshëm. Vlerësojmë impenjimin e institucioneve evropiane: të BE, Këshillit të Evropës dhe OSBE për një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me Kishat e Evropës. Përfaqësuesit më të lartë na kanë nderuar me praninë e tyre dhe kanë shprehur kështu një interes të fortë për punën tonë. Duhet të përballojmë sfidën për të harxhuar më shumë energji shpirtërore në këtë dialog. Evropa lindi si një projekt politik për të garantuar paqen dhe tani duhet të kthehet në Evropën e popujve, më shumë se një hapësirë ekonomike.
Rekomandimi i gjashtë:Rekomandojmë zhvillimin e Charta Oecumenica si linjë drejtuese e aftë për të stimuluar ecjen tonë ekumenike në Evropë.
DRITA E KRISHTIT PËR GJITHË BOTËN
Fjala e Perëndisë vë në vështirësi ne vetë dhe kulturën evropiane: nuk duhet të jetojnë më vetëm për vetveten, por për Atë që vdiq për ta dhe u ringjall. Të krishterët duhet të çlirohen nga frika dhe kopracëria e pangopshme që na shtyn të jetojmë vetëm për veten, të pafuqishëm, me paragjykim dhe të mbyllur. Ndërsa Fjala e Perëndisë na fton të mos shpërdorojmë pasurinë e çmuar të atyre që në 60 vitet e fundit kanë punuar për paqen dhe unitetin në Evropë. Paqja është një dhuratë e jashtëzakonshme dhe e vyer. Shumë vende aspirojnë për paqe. Popuj të tërë presin që të çlirohen nga dhuna dhe terrori. Impenjohemi me urgjencë për të rinovuar përpjekjet tona për këto objektiva. Refuzojmë luftën si mjet për zgjidhjen e konflikteve, dhe për zgjidhjen e tyre promovojmë mjetet jo të dhunshme, dhe shprehim shqetësimin tonë për garën e riarmatimit. Dhuna dhe terrorizmi në emër të besimit janë një mohim i fesë.
Drita e Krishtit shkëlqen mbi termin “drejtësi”, duke e lidhur me mëshirën hyjnore. E ndriçuar kështu ajo i shpëton çdo pretendimi të dykuptimtë. Në gjithë botën – edhe në Evropë – procesi aktual i globalizimit radikal të tregut po thellon ndarjen e shoqërisë njerëzore në fitimtarë dhe të humbur, zvogëlon vlerën e personave të panumërt, ka implikime katastrofike për mjedisin dhe, në mënyrë të veçantë, për ndryshimet klimatike, dhe nuk rezulton i përputhshëm me një të ardhme të mundshme për planetin tonë.
Rekomandimi i shtatë:I bëjmë thirrje të gjithë të krishterëve evropianë që të mbështesin me forcë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, si vendim praktik dhe urgjent për të zbutur varfërinë.
Rekomandimi i tetë:Rekomandojmë që, nga ana e CCEE dhe KEK, së bashku me Kishat e Evropës dhe Kishat e kontinenteve të tjera të nisë një projekt konsultativ që të përballë problematikat dhe përgjegjësitë evropiane ndaj drejtësisë ekologjike, përpara kërcënimit të ndryshimeve klimatike; ashtu si dhe ndaj popullit rom dhe minoriteteve të tjera evropiane.
Sot më shumë se kurrë, njohim faktin se Afrika, një kontinent i ndërthurur ngushtë me historinë tonë dhe të ardhmen, ka arritur nivele varfërie ndaj të cilave nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe joaktivë. Plagët e Afrikës kanë prekur zemrën e Asamblesë sonë.
Rekomandimi i nëntë:Rekomandojmë që të mbështetin nisma për të eliminuar borxhin dhe për të promovuar një tregti të barabartë dhe solidare.
Përmes një dialogu të sinqertë dhe objektiv, kontribuojmë dhe promovojmë krijimin e një Evrope të rinovuar, parimet e pandryshuara të së cilës dhe vlerat e moralit të krishterë, të marra drejtpërdrejt nga Ungjilli, ngrihen si dëshmi dhe na shtyjnë për një impenjim aktiv në shoqërinë evropiane. Detyra jonë konsiston në promovimin e këtyre principeve dhe vlerave jo vetëm në jetën private, por edhe në sferën publike. Duam të bashkëpunojmë me personat e besimeve të tjera dhe të ndajmë me ta shqetësimin për të krijuar një Evropë vlerash, që të prosperojë edhe politikisht, dhe ekonomikisht.
Të shqetësuar për krijesën e Perëndisë, lutemi për një ndjeshmëri më të madhe ndaj diversitetit të saj të mrekullueshëm. Punojmë për të t’iu kundërvënë shfrytëzimit të turpshëm, për shkak të të cilit gjithë krijimi rënkon duke pritur ringritjen (Romakëve 8: 22-23) dhe impenjohemi që të punojmë për ripajtimin midis njeriut dhe natyrës.
Rekomandimi i dhjetë:Rekomandojmë që periudha nga 1shtatori deri më 4 tetor t’i kushtohet lutjes për mbrojtjen e krijimit dhe promovimit të stileve të jetës të përshtatshëm, për të kontribuar në ndryshimin e prirjes për ndryshime klimatike.
Duke u bërë homazh gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë rrugë, në veçanti të rinjve të Young Oikumene, që i nxitën pjesëmarrësit e Asamblesë për të qenë kurajozë në jetimin e Ungjillit, bashkohemi në lutje:
O Krisht, Drita e vërtetë, që ndriçon dhe shenjtëron çdo qenie njerëzore që vjen në këtë botë, bëj që të shkëlqejë mbi ne drita e pranisë sate, që përmes saj të mund të sodisim dritën e paafrueshme dhe drejto shtigjet tona për të vënë në jetë urdhëresat e tua. Na jep shpëtimin dhe na drejto në Mbretërinë Tënde të përjetshme, sepse Ti je Krijuesi ynë dhe Dhënësi i gjithçkaje që është e mirë. Shpresa jonë mbetet tek Ty dhe Ty të thurim lavde, tani e përherë. Amin!