Në këto ditë të ndërrimit të viteve është vjedhur dhe dëmtuar rëndë dy herë afresku i pikturuar nga Onufri në kishën e Shën e Premtes pranë fshatit Valsh të Elbasanit. Kjo kishë e vogël dhe thjeshtë në pamje, një nefëshe, me hajat nga perëndimi por më unike përsa i perket vlerës së afreskut, e pikturuar nga dora e Onufrit në vitin 1554 ka qënë gjithmonë një ekzemplar studimesh, analizash kimike, kërkimesh dhe temash të ndryshme diskutimesh shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore. Janë të shumta referencat dhe botimet ku preken vlerat dhe teknikat e përdorura nga Onufri në këtë kishë.
Por këto nuk vlejnë asgjë për dëmtuesit dhe grabitësit e këtyre ditëve, të cilët të qetë dhe të pa shqetësuar as nga organet e rendit vazhdojnë “detyrën” e tyre të dëmtimit të një nga kryeveprave të trashëgimisë tonë kulturore.
Ndërhyrja e parë ka ndodhur në datën 30 dhjetor është konstatuar vonë nga banorët e fshatit, të cilët menjëhërë kanë njoftuar policinë, drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës dhe Kishën Orthodhokse Autoqefale. Dëmtimet dhe grabitjet e konstatuara ishin ishin tepër të rënda. Keqbërësit duke mos qenë profesionistë të ç’montimeve të afreskeve kanë dëmtuar afreskun me mjete primitive duke tentuar ta shkëpusin atë nga muri.
Pjesë të mëdha afresku të thërmuara gjendeshin në tokë, dhe pjesë të tjera që mungonin fare. Duke mos hyrë shumë në detaje të cilat mund t’i vlejnë më mirë ekspertizës dhe restauratorëve, tendenca ka qënë të ç’montohen kokat e shenjtorëve duke numëruar rreth pesë dhe përfshirë këtu edhe shenjtoren e kishës, Shën e Premten, ikona e së cilës nuk ekziston më. Është e rëndësishme të theksojmë se objekt i kësaj grabitje është bërë edhe pjesa e mbishkrimit në zonën e sipërme të ikonostasit prej guri, e cila ishte jo vetëm pjesë e artit të kësaj kishe, por edhe burim informacioni.
Pas këtyre konstatimeve kisha u mbyll përsëri me çelsa të rinj. Por duket që reagimi i vakët dhe pothuaj i papërfillshëm nga organet kompetente bëri të krijohej një situatë e sigurtë për keqbërësit të cilët jo më shumë se gjashtë ditë më vonë rreth datës katër janar, realizuan një ndërhyrje të re dhe këtë rradhë të suksesshme duke marrë tashmë edhe pjesë të tjera afresku. Pavarësisht se duket e pabesueshme por afresku i Onufrit vazhdon të vidhet ritmikisht dhe keqbërësit të pa shqetësuar nga organet e rendit të cilët ose janë të pa aftë ose na bën të mendojmë se janë bashkpunëtorë të tyre, vazhdojnë punën e tyre të re tashmë të grabitjeve të afreskëve në monumentet orthodhokse të Shqipërisë.
Duket sikur një periudhë e re po fillon, ajo e vjedhjes së afreskëve, pasi u erdhi edhe fundi vjedhjeve në vazhdimësi të ikonave, ikonostasëve, froneve të dhespotëve, amvoneve dhe pjesë të tjera arti të interjeve të kishave në zonën e Myzeqesë, në zonën e Gjirokastrës, në zonën e Korcës etj. Dhe si zakonisht gjendemi përballë organeve kompetente për ruajtjen ligjërisht të tyre të cilat kanë qënë dhe janë në një inkopetencë të plotë për kryerjen e detyrës së tyre.
Duke u përpjekur kaq vjet dhe duke protestuar në forma të ndryshme kundër këtyre fenomeneve të rënda të dëmtimit të trashëgimisë sonë kulturore, dhe përballe pa aftesisë së shtetit për ti mbrojtur por dhe indiferencës së tij e cila është një temë tjetër për tu diskutuar, destinacioni dhe prognoza duket e qartë, do të kemi humbje totale të trashëgimisë së krishterë e cila përbën pjesën më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Dhe në përfundim mund të shtojmë pyetjen se kujt i intereson një trashëgimi kulturore me vlerat e dëmtuara rëndë të artit kishtar orthodhoks të cilat vijojnë ti nënshtrohen në vazhdimësi ngjarjeve të tilla si ajo që përmendëm më sipër.
Arkitekt Restaurator Gentian Stratobërdha