Edicioni i 26-të i Ditës së Evropës Lindore, i mbajtur nga organizata humanitare zvicerane HEKS, më 25 janar 2014 në Zyrih, mblodhi së bashku pesë organizata joqeveritare nga ky rajon, për të prezantuar tek të ftuarit kryesisht nga Zvicra, shërbimet sociale në ndihmë të grupeve në nevojë.

    Kryefjala e takimit ishte bashkëpunimi mes organizatave joqeveritare dhe institucioneve publike në sektorin social. Këtë vit, i cili ishte i treti për nga pjesëmarrja, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u prezantua me aktivitetin e zyrës së saj, Diakonia Agapes, dhe konkretisht me projektin “Fuqizim dhe praktika institucionale gjithëpërfshirëse për komunitetin Egjiptian të Shushicës, Elbasan”. Projekti i cili financohet nga HEKS, gjatë periudhës korrik 2013 – maj 2014, synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit Egjiptian, si dhe institucioneve publike në Shushicë, për të drejtat e minoritetit Egjiptian.

    Aktivitetet synojnë të përcjellin mesazhin e domosdoshmërisë së njohjes dhe zbatimit të kuadrit ligjor nga institucionet publike, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e përfshirjes sociale të këtij komuniteti. Ajo që u vlerësua ndër të tjera nga pjesëmarrësit në aktivitet, ishte mënyra e zbatimit të këtij projekti nga Diakonia Agapes, që i jep përparësi fuqizimit të degës së re lokale të shoqatës “Sfinksi” të Egjiptianëve të Shqipërisë, për përfaqësimin e këtij komuniteti, identifikimit të problemeve, gjetjes së zgjidhjeve në bashkëpunim me institucionet lokale dhe qendrore. Diakonia Agapes ushtron aktivitetin e saj që prej vitit 1998, me misionin të shprehë dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për të gjithë njerëzimin duke punuar veçanërisht me grupet sociale më në nevojë të shoqërisë.

    Gjatë aktivitetit “Dita e Evropës Lindore”, pjesëmarrësit patën rastin të prezantohen edhe një herë me nismat sociale dhe zhvilluese të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila prej vitesh është e pranishme me përpjekjet e saj për përparimin e shoqërisë shqiptare dhe bashkekzistencës në një shoqëri me dashuri.
 

Oltiana Ndroqi