– Në to ishin të ftuar edhe një grup me studentë teologjie nga SHBA –

    Çdo vit është bërë traditë që të vijnë në vendin tonë një grup prej 15 studentësh orthodhoksë nga SHBA, të cilët studiojnë në shkolla të ndryshme teologjike, të shoqëruar nga atë Luka Veronis, i cili ka shërbyer për 10 vjet në Shqipëri dhe tashmë është pedagog teologjie atje dhe pedagogë të tjerë. Ata vijnë për të parë nga afër progresin e Kishës Ortodokse Autoqefale te Shqipërisë nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas. Kjo bëhet në kuadër të lëndës së Hierapostullimit, që ata kanë në fakultetet e tyre.


    Grupi bëri vizita të ndryshme nëpër mitropolitë e ndryshme dhe në shkollat tona teologjike, duke u fokusuar sidomos në takimet me të rinjtë orthodhoksë.

    Kështu, më 30 maj ata ishin në Berat, për një konferencë të organizuar nga Mitropolia e Hirshme, me bekimin Imzot Ignatit.. Në katedralen e Shën Dhimitrit u mbajtën referate për klerikët dhe priftëreshat e dioqezës. Më pas veprimtaria u zhvendos në kishën e Shën Spiridhonit, Goricë, për të bërë referate e biseda me të rinj dhe studentë të kësaj Mitropolie. Pjesë e programit ishte edhe një shfaqje nga kori i shkollës së muzikës bizantine, si pjesë e turit të promovimit dhe afrimit të kandidatëve të rinj në këtë shkollë. Pas vizitës në kalanë e qytetit të Beratit, i gjithë aktiviteti u mbyll me drekën e përbashkët, mes përshëndetjesh, këngësh dhe psalmesh.

    Ndërsa në Tiranë,  më 2 qershor, të rinjtë nga SHBA ishin të ftuar në takimin njëditor me të rinjtë e Kryepiskopatës. Në të morën pjesë rreth 200 vetë, anëtare aktivë të grupeve rinore mbi 16 vjeç, të ardhur nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Kavaja, Elbasani, si dhe rrethinat e tyre dhe studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Programi filloi me Liturgjinë Hyjnore dhe më pas në mjediset e Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit” u bë prezantimi i parë. Më pas të rinjtë u nisën për në Qendrën Shpirtërore “Thavor”, ku ndodhet edhe Shkolla e Muzikës Bizantine.

    Në fillim u mbajt një referat nga 2 studentë amerikanë, me temë: “Dashuria e Perëndisë dhe marrëdhënia jonë me Zotin dhe njeri-tjetrin”. Më pas u bë ndarja e të rinjve në 6 grupe, ku u njohën më tepër nga afër me njeri-tjetrin dhe diskutuan së bashku dhe duke treguar përvojën e tyre në vendet ku ata banojnë. Ata u njohën edhe me mjediset dhe programin e shkollës së muzikës bizantine. Në takim mori pjesë edhe Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti dhe At Alkiviadhi Kalivas, pedagog teologjie nga SHBA.

    At Kaliviadhisi në përshëndetjen e tij do të theksonte se“Orthodhoksia nuk është thjeshtë një fe, por mënyrë të jetuari. Të jemi një popull dashurie; marëdhëniet mund të ndërtohen vetëm atëherë kur ka dashuri të vërtetë, si dhe vërtetësi. Mendoni për jetën tuaj, bëni gjëra të mëdha dhe të mira, qëndrojini besnikë Zotit dhe vetes suaj, dhe mos u kënaqni me gjëra të vogla. Mendoni dhe bëni gjëra të mëdha për veten tuaj, për familjen tuaj, për vendin tuaj dhe për Kishën e shenjtë”

    Në mbyllje të takimit, vijoi përshëndetja e Episkop Astit, ku falënderoi At grupin nga SHBA që ishin morën pjesë në këtë veprimtari. Ai foli për kontributin dhe rolin e Kryepiskopit Anastas, falë të cilit u krye ky aktivitet dhe kjo vizitë e studentëve amerikanë për të prekur nga afër ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Falënderoi gjithashtu edhe të gjithë të rinjtë për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, duke u bërë atyre thirrje që miqësitë e lidhura në këto aktivitete të vazhdojnë dhe të forcohen në të ardhmen dhe grupet rinore të kenë bashkëpunim me njëri-tjetrin.

    Në datën 3 qershor, grupi me të rinj nga SHBA, pati në Tiranë një takim të ngrohtë me klerikë orthodhoksë të Kryepiskopatës. Në datën 4 qershor ata morën pjesë në Panairin dhe shërbesat e të kremtes së Shën Joan Vladimirit, në manastirin kushtuar shenjtorit pranë Elbasanit. Në datën 5 qershor, grupi nga SHBA udhëtoi drejt Korçës, ku të nesërmen morën pjesë edhe aty në një veprimtari të të rinjve orthodhoksë dhe patën një takim me klerikë të Mitropolisë.

Jani Meni