Në datën 5 dhjetor, Fortlumturia e Tij Anastasi dhe delegacioni që e shoqëronte, bëri një vizitë në Kongregacionin Pontifikal për Promovimin e Unitetit të Krishterë, të drejtuar nga kardinali Walter Kasper. Gjatë këtij takimi Kryepiskopi bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit kishtare në Shqipëri, të vështirësive të panumërta gjatë ringritjes së saj dhe të bekimeve të dhuruara nga Perëndia për popullin e Kishës sonë të martirizuar. Në mënyrë të veçantë, Kryepiskopi shtjelloi realitetin e marrëdhënieve midis orthodhoksëve dhe katolikëve në Shqipëri, duke pohuar se ato janë shumë të mira dhe vëllazërore në të gjitha drejtimet dhe kjo lidhje përbën një kontribut të rëndësishëm në mbarë ecurinë e dialogut ndërfetar në Shqipëri midis të krishterëve dhe komuniteteve myslimane suni dhe bektashi në Shqipëri dhe në krijimin e një klime jo vetëm tolerance, por edhe bashkëjetese në bazë të parimit të reciprocitetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
    Nga ana e tij kardinali Walter Kasper vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit Anastas në promovimin e unitetit të të krishterëve, aktivitetin e tij të një rëndësie parësore në Këshillin Botëror të Kishave dhe në organizma të tjera dhe rolin e Kryepiskopit në dialogun midis orthodhoksëve dhe katolikëve, duke nxjerrë në pah vizionin tepër të gjerë dhe realist që Kryepiskopi Anastas ka shfaqur me anë të fjalimeve dhe shkrimeve të tij. Ai shprehu edhe një herë faktin se ndihet shumë i lumtur për faktin se sot marrëdhënie midis të krishterëve orthodhoksë dhe katolikë janë vëllazërore dhe tepër të ngrohta dhe shpresën se në të ardhmen do të zhvillohen akoma edhe më shumë, në kah pozitiv.
    Po atë ditë Kryepiskopi Anastas bëri një vizitë edhe tek kardinali Leonardo Sandri, drejtues i Kongregacionit Oriental dhe në Kolegjin Pontifikal Oriental. Ndërsa në mbrëmje, i shoqëruar nga kardinali Walter Kasper, Kryepiskopi bashkë me delegacionin vizituan bazilikën e Apostull Pavlit jashtë mureve të Romës, ku ndodhen lipsanet e apostullit të madh të kombeve.
 
    Ditën e diel, 6 dhjetor, të kremten e shën Nikollës, Kryepiskopi Anastas ishte i pranishëm në Liturgjinë Hyjnore me këtë rast në kishën e eksarkisë së Patriarkanës Ekumenike të shën Theodhorit në Romë. Pas mbarimit të Liturgjisë, Kryepiskopi Anastas përshëndeti besimtarët orthodhoksë të mbledhur aty me këtë rast.
    Pasdite, Kryepiskopi bashkë me delegacionin, i shoqëruar nga imzot Elefterio Fortino dhe imzot Farel, bëri një vizitë në manastirin e Grotaferatës, që siç dihet është një manastir me rit lindor dhe zbaton rregullën e shën Vasilit të Madh. Kryepiskopi u takua me abatin e këtij manastiri, atë Emilianin, një arbëresh i Siçilisë, si edhe me vëllezërit e këtij manastiri të famshëm, po arbëreshë, qendër e kulturës bizantine në Itali, një qendër e shenjtë për bizantinët e kohës e tani për grekët dhe arbëreshët e jugut, e njohur në mbarë botën për dorëshkrimet dhe reliket e ruajtura me kujdes nga shekujt e parë të Krishterimit. Kryepiskopi vizitoi kriptin e shën Nilit (910-1004), që është një nga shenjtorët e mëdhenj të Italisë së Jugut, në kohën kur këto vise ishin nën administrimin e Perandorisë Romake të Lindjes(Bizantine). Kryepiskopi përgëzoi murgjit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen e kulturës shqiptare Orthodhokse bizantine dhe lavdëroi për përpjekjet e mëdha të bëra në restaurimin e dorëshkrimeve të hershme, që kanë një vlerë të pallogaritshme për kulturën e mbarë njerëzimit. Më pas, sipas traditës murgërore bizantine, u shtrua një tryezë e pasur për nder të Kryepiskopit dhe delegacionit.