Udhëtim për pritjen e Shpëtimtarit të botës
Besimtarët orthodhoksë, duke filluar që nga data 15 nëntor deri më 24 dhjetor janë përfshirë në një udhëtim përgatitor për të pritur sa më denjësisht ardhjen e Birit të Perëndisë në tokë. Kjo periudhë përgatitore fillon me kreshmën e Krishtlindjes dhe është një nga kreshmët kryesore të Kishës sonë. Kjo periudhë karakterizohet me një theksim të vazhdueshëm përgatitjeje dhe atmosfere festive, si me festimet në kisha ashtu edhe jashtë tyre.
Në kishë kjo atmosferë theksohet dhe intesifikohet me festat e shumta paraprirëse dhe pararendëse që prej Hyrjes në Tempull të Tërëshenjtës Mari, të shenjtorëve: profetë të Dhiatës së Vjetër Naum, Abakum, Sofonia, Angjeu, Daniel; apostujve Andrea, Qesari, hirarkëve Nikolla, Ambrozi, Spiridhoni, Elefteri, Ignati; shenjtorëve të tjerë Ekaterina, Mërkuri, Joan Damaskini, Varvara, Sava, Naumi, Evgjenia etj. etj. për nder të besimtarëve që mbajnë këto emra u bëjnë edhe vizita nëpër shtëpi.
Në këto festa përfshihen edhe të dielat parakremtuese të Krishtlindjeve si edhe vigjiljet. Himnologjia jehon dukshëm dhe shoqëron këtë atmosferë përgatitore me zbritësore “Ja Krishti lind lavdërojeni…”, shkurtorja “Virgjëresha sot po vjen në Betlehem për të lindur…” etj himne të bukura dhe ngazëlluese.
Ndërkohë kishat kanë filluar të zbukurohen me zbukurimet karakteristike dhe ndriçuese duke treguar dhe dhënë sinjalin optik se festa e madhe e njerëzimit po afron.
Po kështu fëmijët përgatiten dhe po bëjnë prova për të vizituar shtëpi më shtëpi besimtarë të ndryshëm për tu dhënë lajmin e mirë të lindjes së Shpëtimtarit me zërat dhe këngët e tyre tradicionale, kolendrat, “Mirëmëngjes zonja zotërinj, lutemi na pranoni…” “Kolendra, kolendra…” etj.
Edhe shkollat, kopshtet, grupet e katekizmave, grupet rinore po përgatiten me shfaqje, festivale, ekskursione etj. duke u gëzuar e duke shprehur e demonstruar talentet e tyre.
Por kjo atmosferë festive me një formë tjetër krijohet edhe përtej kishës, ku njerëzit zbukurojnë ambientet e punës, dyqanet, përgatiten vizitat dhe dhuratat, gatimet dhe tryezën festive. Kështu e gjithë shoqëria feston.
Kreshma që është mjeti festues thekson, ndihmon, orienton e përcjell mesazhet e ngjarjes së madhe të Krishtlindjes. Të mbështetur në një bisedë të një prej etërve të Kishës do të ndajmë së bashku disa mendime për kreshmën në Kishën Orthodhokse.
Kur flasim për kreshmën, qëllimi është për të kapërcyer rënien. Përmbajtja e saj është një çështje reale në këtë udhëtim që kemi filluar. Shpesh, me zakonet tona kreshma merr një kuptim folklorik dhe kthehet në një dok. Ndërsa Kisha i jep një rëndësi të veçantë dhe e ndan gjithë vitin në periudha kreshmimi. Gjithë diskutimet e viteve të fundit kanë pasur si rezultat ditët e kreshmës dhe përmbajtjen e saj. Vetë kreshma e së mërkurës dhe të premtes vjen që në shekujt e parë. Kisha tha se në këto dy ditë të javës duhej të kreshmohej. Por a do të jetë korrekte që ne të kreshmojë dy ditë të tjera të javës, për arsye se e kemi të pamundur të kreshmojmë të mërkurën dhe të premten?
Në plan të parë kjo tingëllon e drejtë, por po të mundohemi të hedhim një vështrim në thellësi të gjërave do të shohim se jo më kot Kisha ka caktuar këto dy ditë. Sipas traditës, të mërkurën u tradhtua Zoti, kurse të premten u ngjit në Kalvar për t’u kryqëzuar. Megjithatë kjo është vetëm njëra pjesë e përgjigjes. Pjesa e dytë konsiston në diçka më të thellë.
Kisha dëshironte që të gjithë të ndodheshim në momentin e ardhjes së Krishtit. Pasi pritja e Krishtit është një ngjarje që ka të bëjë me të gjithë, kështu edhe Kisha do që të na mbledhë të gjithëve bashkë, sepse na ka thirrur për të na çuar në të njëjtën perspektivë, në atë të takimit me Perëndinë.
Kur Kisha na fton të kreshmojmë të mërkurën dhe të premten, e bën kreshmën një ngjarje të përgjithshme dhe na thërret të gjithëve, që në të njëjtin moment të bëjmë të njëjtën gjë. Kisha do të donte që ne të gjithë të jetojmë së bashku, por duke qenë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për shkak të rënies sonë, prandaj dhe e ndau vitin kishtar në ditët që kreshmojmë dhe në ditët që nuk kreshmojmë. Kështu, marrim pjesë në një ngjarje të përgjithshme që është ngjarje e Kishës.
Ne e përballojmë shpëtimin tonë në mënyrë personale, ndërsa problemi i rënies është i përgjithshëm dhe kjo i takon gjithë gjinisë njerëzore. Prandaj Kisha dëshiron që në mënyrë të përgjithshme të kalojmë ngjarjen e rënies. Kështu nëse nuk do të donim të merrnim pjesë në kreshmët e vendosura nga Kisha do të shprehnim idetë tona të kundërta me përpjekjen e Kishës për të na ftuar në mënyrë të përgjithshme drejt shpëtimit, prandaj do të ishte e gabuar zgjedhja e ditëve të tjera.
Brenda këtij shembulli shprehet përpjekja e madhe e Kishës për të caktuar pikërisht këto ditë për të kreshmuar të gjithë të krishterët, sepse donte që të gjithë të krishterët bashkë të bënin këtë përpjekje. Si rrjedhim, kreshma lidhet me përpjekjen tonë brenda saj dhe kjo është ngjarje e përbashkët. Nuk është një problem personal i vlefshëm vetëm për secilin prej nesh, por të gjithë bashkë përpiqemi të takojmë Perëndinë. Përgjithësisht është pjesë e jetës sonë në tërësi dhe jo pjesë e disa aspekteve të caktuara të saj. Përsa i përket përmbajtjes së kreshmës, ajo lidhet me dy ngjarje historike. E para i përket Dhiatës së Vjetër, ndërsa e dyta lidhet me Dhiatën e Re. Njëra i përket Adamit dhe tjetra Krishtit. Etërit e Kishës donin të lidhnin ngjarjen e rënies, por edhe kalimin e saj me kreshmën. Adami humbi parajsën për shkak të ngrënies. Nga ana tjetër, Krishti kur ngacmohet nga djalli mohon të hajë dhe fiton mbi vdekjen. Në këtë lidhje reciproke fillon themelimi i kreshmës. Adami nga një gabim ose moskuptim, hëngri nga pema dhe vdiq, ndërsa Krishti si erdhi në botë me synimin për të mundur vdekjen, shkon në shkretëtirë dhe kreshmon për dyzet ditë.
Prandaj edhe ne ndjekim të njëjtën rrugë. Por duhet vënë re diçka për të kuptuar saktësisht thelbin e kreshmës. Perëndia i tha Adamit të mos hante nga fryti se do të vdiste. Por shohim se edhe ngacmimi ishte i kundërt, djalli tha: të hante se do të jetonte. Po e njëjta gjë lind shpeshherë edhe brenda nesh, duke menduar: “nëse mbajmë kreshmë lind mendimi se shkatërrojmë shëndetin dhe si rrjedhojë lind frika se do të vdesim”, gjë e cila do të thotë se ngjarja e jetës u lidh me ushqimin. Pra, mendimi, nëse nuk hamë do të vdesim, kështu edhe ngacmimi i djallit ndodh në këtë moment, gjë që do të thotë se ushqimi është i lidhur me jetën, por edhe me marrëdhënien tonë me Perëndinë. Kur djalli i tha Evës të hante se do të jetonte i tha gënjeshtër dhe ajo e besoi. Po të njëjtën gënjeshtër i tha edhe Krishtit në shkretëtirë, por Krishti nuk e besoi dhe i tha: “njeriu nuk rron vetëm me bukë”, sepse e dinte se nuk ishte ushqimi i përditshëm që do të na bënte të jetonim ose jo, por jeta gjendej diku tjetër, në marrëdhënien e njeriut me Perëndinë. Përgjatë kreshmës, Kisha nuk na rekomandon të bëjmë grevë urie, por na këshillon se lidhja jonë me jetën gjendet në kërkim të Perëndisë.
Tek shembulli i një fëmije që qan, i cili kërkon nënën dhe babanë e tij, në atë çast atij nuk mund t’i hahet, sepse qëllimi i tij i vetëm është të gjejë prindërit e tij. Mund të kalojnë një ose dy ditë dhe fëmija të mos hajë, sepse uria e brendshme është për atin e tij. Nuk do të pijë, megjithëse ka etje, sepse etja e tij është për atin e tij. Duket qartë se uria dhe etja marrin përmbajtje tjetër, pikërisht kjo është edhe përmbajtja e kreshmës që ne mbajmë, e cila na fton që pa ndërprerje të kërkojmë Perëndinë.
Ajo që duhet të jetë kryesorja është që të mos lejojmë pasionet dhe dobësitë tona të përcaktojnë jetën dhe rrugën tonë dhe pasi t’i kapërcejmë të ecim drejt takimit me personin që na mungon, i cili nuk është askush tjetër veçse Jisu Krishti.
Siç e thamë edhe më sipër, kjo kreshmë na përgatit në mënyrë të veçantë për pritjen e ardhjes së Krishtit. Ardhja e Krishtit ishte pritja e gjatë për mbërritjen e Mesias, të Vajosurit, të Shpëtimtarit të botës. E gjithë Dhiata e Vjetër i referohet kësaj dite. Të gjithë profetët, burrat e drejtë dhe gratë e vjetra pritën për këtë moment në histori. Profeti i drejtë Simeon kur pa foshnjën Jisu që sapo kishte lindur tha:
“Tani, përlëshoje shërbëtorin tënd, o Zot sipas fjalës sate,
se sytë e mi panë shpëtimin tënd të cilin ti e përgatite faqe gjithë popujve,
dritë për shpëtimin e paganëve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael”.
Perëndia vjen te ne! Megjithëse njerëzimi shpeshherë e mohon Perëndinë, dhe largohet nga rruga e tij, Perëndia ka mëshirë dhe i vjen keq për ne. Meqenëse ne nuk mund të shkonim tek Ai, sepse mëkati dhe vdekja na bllokuan rrugën, Ai vendosi që të vijë vetë tek ne!
Jisu Krishti lind në një shpellë të vogël në Bethlehem dhe ndryshon rrjedhën e botës. Megjithatë, ne besimtarët duhet të kujtojmë se Krishti nuk erdhi në botë vetëm 2014 vjet më parë. Ai vjen edhe sot dhe kërkon sërish të lindë në zemrën e çdo personi në tokë. Me kreshmë, lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë, pjesëmarrjes në Misteret e Shenjta, virtyte dhe vepra bamirësie, le të përgatitim zemrën tonë për pranimin e Shpëtimtarit dhe dhuruesit të jetës.
Ana Baba