Me thirrjen e Krishtit “Eja pas meje” filloi përjetimi më i bukur për vajzat pjesëmarrëse në kampin veror “Bariu i Mirë”, në Manastirin e hijshëm të shën Joan Vladimirit, pranë qytetit të Elbasanit. Për të trembëdhjetin vit, ky manastir i hirshëm mblodhi 220 vajza pjesëmarrëse nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Berati, Gjirokastra, Korça, Fieri, Lushnjë etj. si dhe rreth 50 vajza drejtuese të programeve dhe aktivitetet të kampit, studente të Akademisë Teologjike, të reja nga grupe të ndryshme rinore etj.
    Programi i kampit u zhvillua nga 30 qershor – 4 gusht 2011 në tre periudha dhjetë ditore për grupmoshat 10 – 12 vjeçare, 13-15 vjeçare dhe 16 – 25 vjeçare.
    Të gjitha vajzat udhëtuan së bashku në përjetimin e besimit orthodhoks, nëpërmjet lutjes së përditshme në fillim e mbarim të ditës, takimit në grupe të vogla me temë: “Mësoj për Perëndinë”, pjesëmarrjes në mistere të ndryshme si Liturgjia Hyjnore, Rrëfimi i shenjtë, dhe Pagëzimi. Shërbesat kishtare kryheshin nga Atë Viktor Bërdufi, prifti i kampit të vajzave, prej të cilit u pagëzuan edhe 23 vajza të cilat iu shtuan anëtarëve të Kishës sonë.
    Me interes të veçantë në programin e kampit ishin referatet e drejtuara nga imzot Ignati, Hirësi Nikolla, Hirësi Andoni, dhe murgeshë Rakela. Temat e trajtuara ishin: “Zoti është bariu im”, “I lumtur është njeriu, besimi i të cilit është Zoti”, “Ki frikë nga Zoti dhe gëzohu me dridhma” dhe “Të ecësh pas Krishtit është vendim për gjithë jetën”. Këto biseda rritën me tepër njohuritë mbi besimin tonë dhe hapën vizione të reja në udhëtimin drejt Zotit.
    Meditimet e mbrëmjes, koha e qetë vetëm me Perëndinë në fillim të ditës, reflektimet e drejtueseve mbi tema të ndryshme të jetës shpirtërore, jetët e shenjtorëve që mbante secili grup ndihmuan gjithashtu në udhëtim 10 ditor të vajzave pjesëmarrëse.
     Pjesë e pandarë e programit ishin dhe aktivitetet e tjera që lidheshin me probleme dhe çështje të ndryshme të jetës së përditshme. “Miku i librit”, paraqitja dhe diskutimi mbi tema sociale si: aborti, lidhjet e parakohshme, koha për t’u përgatitur për të ardhmen, facebook- u, televizori dhe orët e kaluara me të, si të zgjedhim një shoqëri që ndërton, misioni në familjet tona, alkooli etj. Nevoja për të mësuar dhe për t’u ndërgjegjësuar për këto çështje, qëndrimi që duhet të mbajmë, si dhe mësimi që na jep Kisha jonë ishin rëndësia e këtyre aktiviteteve.
    Aktivitete të tjera krijuese dhe argëtuese, si punime dore, lojëra e konkurse sportive, drama e skeçe të ndryshme me tematika të shumëllojshme ndihmuan vajzat pjesëmarrëse në forcimin e komunitetit përgjatë ditëve të kampit, i cili ofronte çdo ditë e më tepër bukurinë e përjetimit të besimit të krishterë orthodhoks.
    Mënyra e të jetuarit të jetës së krishterë në kamp është një model për t’u ndjekur gjatë gjithë jetës, prandaj dhe vajzat pjesëmarrëse si çdo vit edhe sivjet u pajisën me materiale të ndryshme që do të ndihmojnë udhëtimin e tyre gjatë vitit në vazhdim. Shkrimi i shenjtë, libri i lutjes, jetët e disa shenjtorëve, librat “Ne besojmë” e “Kisha rritet” që ndihmojnë në rritjen e njohurive mbi besimin etj, ishin disa nga materialet në dosjen e përgatitur për vajzat pjesëmarrëse. Këngë e himne të ndryshme gjallëronin atmosferën e kampit çdo ditë.
    Dhurata më e madhe që mund të të bëjë dikush, është të të ofrojë te Zoti. Kjo është dhurata më e çmuar që Kisha jonë nën drejtimin e kryebariut të saj Imzot Anastasit e bën të mundur çdo vit, për qindra të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria.
 
Ana Baba