Në datat 30 Tetor-8 Nëntor 2013, u zhvillua Asambleja e 10 e WCC. Këtë herë asambleja e përgjithshme ishte caktuar të bëhej në qytetin Busan të Koresë së Jugut. Tema e kësaj asambleje ishte “Zot i jetës, na drejto në drejtësi edhe paqe.”
Punimet e asamblesë bazoheshin pra në këto koncepte të drejtësisë dhe të paqes. Besoj se një arsye e rëndësishme pse u vendos që asambleja të zhvillonte punimet e saj në Kore është e qartë. Përpjekja për paqen dhe të jetuarit në harmoni së bashku, është një çështje parësore për popullin e Koresë, të cilët prej vitesh jetojnë të ndarë, madje një pjesë kryesore e punës dhe lutjes së asamblesë ishte bashkimi i gadishullit Korean.
Këshilli Botëror i Kishave është në fakt një organizatë e krishterë, që ka një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjes e paqes, të të drejtave të njeriut, në dialogun mes të krishterëve, edhe sidomos në dialogun e të krishterëve me botën. Ai përbën një nga shprehjet më të arrira të lëvizjes ekumenike, qëllimi i së cilës është bashkimi i të krishterëve kudo në botë në Zotin tonë Jisu Krisht.
Në këtë organizëm të rëndësishëm ka anëtarë nga më shumë se 110 vende. Janë anëtarë rreth 345 kisha, duke përfshirë kishat orthodhokse, anglikane, baptiste, luterane, metodiste, presvitariane, të reformuara, të pavaruar etj. Këto kisha shtrihen në rajone të ndryshme të botës në Amerikë, Afrikë, Azi, Europë, Karaibe, Pacifik, Lindje e Mesme etj. Numri i pjesëmarrësve në këtë aktivitet madhështor, që zhvillohet 1 herë në 7 vjet, arrinte deri në 5.000, duke përfshirë edhe pjesëtarët e kishave koreane.
Bota orthodhokse përfaqësohej nga delegacione të shteteve të ndryshme, nga episkopë, laikë, të rinj etj. Pjesëmarrësit ishin nga Rusia, Serbia, Polonia, Ukraina, Finlanda, Greqia, Shqipëria, Antiokia, Konstandinopoja, Shtetet e Bashkuara, madje edhe nga Kenia, Zimbabve dhe Australia.
Program ishte i larmishëm. Përveç pjesës kryesore që lidhej me punën e asamblesë për drejtësinë, paqen, misionin dhe dëshminë e krishterë, patëm mundësinë të reflektonin, të studionim në grupe të vogla pasazhe biblike, të bisedonim për sfidat e botës së sotme etj.
Po ashtu, patën bekimin të vizitonim edhe komunitete orthodhokse në Seul edhe Busan dhe të mësonim diçka për kulturën dhe traditat e këtij populli. Morrëm vesh që orthodhoksia ishte e pranishme në atë vend që prej 38 vjetësh dhe që me bekimin e Zotit punëtorët e ungjillit kishin arritur të krijonin deri tashmë 7 enori.
Kjo asamble përbënte një aktivitet botëror shumë të rëndësishëm për gjithë botën e krishterë.
Gabriela Dalipi