Më 13 shkurt 2014 pasdite, në sallën e pritjeve të Kompleksit Sinodik të Shenjtë, pranë katedrales së re “Ngjallja e Krishtit”, u bë promovimi i librit “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012)”, të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Forlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit.

    Merrnin pjesë intelektualë të njohur dhe drejtues të institucioneve arsimore e kërkimore, nënkryetari i Parlamentit, z. Vangjel Dule, deputetë e politikanë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues diplomatikë, klerikë e besimtarë, pedagogë dhe studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” etj. Merrnin pjesë edhe të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës.

    Promovimin e hapi Mitropoliti i Korçës, Hirësia e tij Joani, i cili u ndal tek vepra hierapostolike dhe kontributin e pashembullt të Kryepiskopit Anastas në ringritjen e Kishës tonë, por edhe tek profili i tij prej intelektuali dhe studiuesi të njohur botërisht.

    Për vlerat e librit dhe personalitetin e Kryepiskopit folën Prof. Dr. Paskal Milo, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Vaso Tole, Prof. Dr. Shaban Sinani dhe Prof. Dr. Beatriçe Polo.

    Ligjëruesit i mëshuan në veçanti rolit të Kryepiskopit, që njëherësh me veprimtarinë për ringjalljen e besimit orthodhoks këmbënguli veçanërisht edhe në veprimtari paralele sociale, në promovimin e vlerave të paqes dhe të bashkekzistencës në harmoni, por edhe në forcimin e moralit orthodhoks, si kontribut për shëndoshjen e mbarë shoqërisë. Të gjithë folësit e nderuar, personalitete shkencore të mirëfillta në sektorin e tyre, ishin koherentë në një pikë, se veçanërisht pas leximit të këtij libri, i cili bën panoramën dhe përmbledhjen e gjithçkaje ka ndodhur për 23 vjet me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, del edhe më i mprehtë konkluzioni se agresiviteti mediatik dhe shpesh herë politik ndaj saj dhe posaçërisht kundër Primatit të saj është krejtësisht i pabazë, pa etikë dhe i padobishëm për Shqipërinë.

    Në fund, Kryepiskopi Anastas falënderoi për fjalët e ngrohta dhe vlerësimet që iu bënë.

    Pastaj u shfaq një film i shkurtër dokumentar për veprën dhe jetën e Kryepiskopit Anastas, duke u ndalur veçanërisht në kontributin e jashtëzakonshëm në ringritjen nga gërmadhat dhe përparimin e Kishës sonë në këto 23 vjet.  

    Libri nis më një përmbledhje të shkurtër për historikun e krishterimit dhe të orthodhoksisë në trevat e Shqipërisë, për të vazhduar më pas me rrugëtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që nga viti 1991, duke u ndalur në fushat e veçanta të kësaj vepre titanike, problemeve të dala dhe mënyrës së si ato janë zgjidhur.

    Libri është mjaft i pasur edhe me fotografi dhe me një përmbledhje në anglisht.

    Gjithashtu, një pjesë mjaft e rëndësishme e tij është edhe ajo dokumentare, ku botohen të plotë “Tomosi Patriarkal” i Autoqefalisë i vitit 1937, Statuti në fuqi i Kishës sonë i vitit 2006, Marrëveshja e nënshkruar me shtetin 2009 etj.