Të dielën e të Gjithë Shenjtorëve, 14 maj 2009, besimtarët e Fierit u mblodhën në kishën e madhe kushtuar Dëshmorit të Madh Shën Gjergjit, për një shërbesë tepër të veçantë: Shenjtërimin e saj nga Kryepiskopi Anastas.
    Në fund të Shërbesës së Mëngjesores filloi Shërbesa e Shenjtërimit, me uratat e lexuara nga Kryepiskopi Anastas, që ndihmohej nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, Episkop i Apollonisë Nikolla, Episkop i Krujës Andoni dhe klerikë të tjerë.
    Më pas u kryen 3 herë litani (procesione) rreth kishës dhe u bë hapja e dyerve dhe filloi shërbesa me vendosjen e lipsanave në Tryezën e Shenjtë.
   Gjatë shërbesës së shenjtërimit Kryepiskopi shkroi në katër cepat e kishës monogramin e Krishtit (me germat XP që do të thotë Krisht). Kjo bëhet me Miro të shenjtë, dyllë dhe aroma të caktuara, që tregojnë veçoritë e Shpirtit të Shenjtë.
Pas shërbesës u krye Liturgjia Hyjnore. Një predikim të veçantë shpirtëror bëri Atë Thomas Hopko, theolog i shquar nga SHBA.
    Në fund të saj, për të falënderuar Kryepiskopin Anastas, i cili bëri të mundur ngritjen e Kishës së Shën Gjergjit, e mori fjalën Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, i cili tha ndër të tjera:
    Erdhi dita e ngazëllueshme dhe e shumëpritur e shenjtërimit të kësaj kishe. Falënderojmë Perëndinë e Tërëmirë, që na bëri të denjë për të arritur këtë ditë të madhe. Kjo është merita dhe interesimi juaj i vazhdueshëm që në ditët e para të misionit tuaj…
 
    I dashur Fortlumturi, me gjithë zemër ju urojmë në emër të besimtarëve dhe të klerikëve tanë shëndet të plotë dhe jetë të gjatë për të përmbushur me sukses detyrën që ju ka besuar Zoti Krisht për shpëtimin e shpirtrave dhe mbarëvajtjen e Kishës sonë orthodhokse.
    Më pas, duke falënderuar për fjalët e ngrohta, Kryepiskopi Anastas iu drejtua besimtarëve, i cili tha:

    Dita e sotme është një bekim shumë i madh për të gjithë ne. Mendja ime shkon tek hera e parë që erdha në Fier. Ishte viti 1991 dhe nuk kishte mbetur qoftë edhe një gur nga kisha e vjetër dhe duhet që takimin ta bënim në shesh. Që nga ajo kohë Zoti na bëri të denjë të shikojmë shumë mrekulli dhe shumë dhurata të dashurisë së Tij. Dhe sot lavdërojmë Perëndinë për këtë kishë kaq të mrekullueshmenë shërbimin tonë.
 
    Dua të falënderoj ngrohtësisht të gjithë ata që ndihmuan që kjo të bëhej realitet. Janë shumë njerëz që kanë emër dhe shumë njerëz anonimë. Ata iu përgjigjën thirrjes sonë dhe mundëm kështu të grumbullojmë fondet e nevojshme që të ngrihej kjo kishë.
    Ky vend do të jetë një qendër lutjeje, një qendër ngushëllimi, një qendër vëllazërimi, një qendër komunikimi me Perëndinë dhe me njerëzit, këtu në Fier dhe në gjithë vendin. Por çdo kishë orthodhokse na lidh edhe me të gjithë kishat orthodhokse në mbarë botën, me miliona besimtarë në gjithë botën. Na lidh me të gjithë ata që jetuan, jetojnë dhe do të jetojnë.
    Është një bekim unikal që të kemi kishën tonë këtu në qendër të qytetit dhe të gëzojmë gjithë dhuratat e Perëndisë që na i fal me anë të Mistereve.
    Por këto kisha që bëhen me gurë dhe tulla janë shumë të rëndësishme, por më e rëndësishmja është ngritja e tempujve brenda zemrave të njerëzve. Kjo është gjëja mahnitëse që na ka thënë Zoti ynë, që me kaq qartësi na e shpreh apostull Pavli, i cili na thotë se ju jeni tempuj të Perëndisë së gjallë. Kjo është një vepër e jashtëzakonshme. Sistemi në vitet e propagandës ateiste shkatërroi mijëra kisha brenda zemrave të njerëzve dhe tashmë të gjithë duhet të përpiqemi që të bëhet realitet ringritja e ikonave brenda zemrave të njerëzve dhe brenda zemrës sonë.
 
    Le të gëzojmë ditën e sotme dhe t’i kërkojmë Zotit tonë të na falë diçka nga besimi, burrëria, dashuria e gjithë shenjtorëve që kremtojmë sot, por në mënyrë të veçantë nga guximi dhe burrëria e Shën Gjergjit të cilit i kushtohet kjo kishë.
 
Thoma Dhima
Foto nga Nathan Hoppe