Ka vite që Kisha jonë organizon në Tiranë dreken “Tryeza e dashurisë”, në ndihmë të personave më në nevojë. Ajo ofrohet dy herë në javë për më shumë se 50 persona. Të martën, në 8 maj, Kryepiskopi Anastas, i cili ka qenë mbështetësi i vazhdueshëm i kësaj veprimtarie, vizitoi këtë mensë. Ai shoqërohej nga episkopi i Bylisit, Asti.
Fortlumturia e Tij hyri në mensë në kohën kur po bëheshin gati për të drekuar dhe atë Ilia po psalte. Ai u prit me shumë gëzim dhe ngrohtësi nga të pranishmit. Pasi bekoi tryezën, Kryepiskopi hëngri drekë bashkë me ta.
Në bashkëbisedimin me të pranishmit dhe gratë orthodhokse që kontribuojnë vullnetarisht për të kryer këtë shërbim, Kryepiskopi Anastas ndër të tjera tha: “Ka shumë njerëz të sëmurë dhe të moshuar që jetojnë të vetmuar nëpër shtëpitë e tyre. Ne dhe ju duhet t’u qëndrojmë pranë, që të mos e ndiejnë vetminë. Të moshuarve, të sëmurëve dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të dalin, iu shkëlqejnë sytë kur i vizitojnë. Le t’u krijojmë mundësi të ndiejnë dorën e shoqërisë. Në sistemin e mëparshëm çdo gjë pritej nga shteti. Tani duhet të kemi vetë iniciativë dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit. Kështu, secili nga ne, duke vepruar në këtë mënyrë, do të ndiejë dorën e shoqërisë”.
Atë Ilia Mazniku falënderoi Kryepiskopin për vizitën dhe më pas fjalën e morën disa nga personat që frekuentojnë mensën për të falënderuar. Z. Sali u shpreh i pari me këto fjalë: “Në emrin tim personal, dhe pse jo, dhe të gjithë shokëve të mi, falënderoj në mënyrë të përzemërt Hirësi Anastasin, i cili ka çelur këtë mensë, ku ushqehemi ne fukarenjtë, dhe do të dëshiroja që ta kishim përsëri pranë nesh. Jam shumë i emocionuar që ai drekoi bashkë me ne”.
Një i moshuar tjetër u shpreh: “Shumë të gëzuar jemi që midis nesh vjen dhe ha drekë Kryepiskopi. Një personalitet që na dhuron dhe bën shumë për të na larguar urinë e vetminë. Faleminderit!”.
Një nga gratë e pranishme falënderoi për gjithçka, dhe shprehu edhe ajo dëshirën për ta pasur përsëri Kryepiskopin mes tyre.
Biseda u zhvillua e lirshme dhe mjaft e ngrohtë.
Në fund, Fortlumturia e Tij, Anastasi, i dhuroi secilit librin “Tani të gjitha u mbushën me dritë” dhe gazetën “Ngjallja “ të muajit prill 2012.
Luljeta Pjetri