Pas një periudhe të gjatë kreshme dhe lutjesh, mijëra besimtarë mbushnin çdo ditë kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, duke marrë pjesë me përkushtim të thellë tek Perëndia në shërbesat e Javës së Madhe. Përveç pjesëmarrjes së lartë të besimtarëve nëpër shërbesa, Pashkët u u shoqëruan edhe me një kulturë të lartë të kuptimit të mënyrës së të kremtuarit.

    Çdo ditë ishte një emocion më vete në kishën  e Ungjillëzimit, ku shërbesat u kryesuan nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga  Episkopët ndihmës dhe klerikët e Kryepiskopatës së Shenjtë. Gjatë tyre u përcollën edhe  mesazhe dhe këshilla shpirtërore, të lidhura me ditët e veçanta. Kështu, në fund shërbesës të Hënën e Madhe, kur përkujtohet patriarku Josif dhe temë e saj është edhe ajo e drurit të fikut, që nuk kishte fruta, por vetëm gjethe dhe për këtë u dënua me tharje, Kryepiskopi Anastas, duke komentuar Ungjillin e ditës, ku kritikohen farisenjtë për hipokrizinë e tyre, u ndal në dy tipare kryesore të jetës sonë siç janë plogështia dhe puna. Është e tmerrshme plogështia, sepse kthehet në shkak mëkati. Zgjidhja për plogështinë është pendimi, mendimi për të bërë ndryshim, për të pasur dëshirë për Perëndinë. Mos tregohemi dembelë, por ta përdorim këtë rast për të shkuar drejt një pendimi personal. Të jemi njerëz të pjekur dhe të përgjegjshëm. Zoti duhet të na gjejë të gatshëm, tha ndër të tjera Fortlumturia e Tij. Kështu edhe në ditët e tjera, ku omelitë u mbajtën dhe nga teologë të rinj.

    Të Premten e Madhe u përkujtuan vuajtjet e Zotit Krisht dhe vdekja e Tij. Mijëra e mijëra besimtarë u përkulen përpara Epitafit të zbukuruar me lule, deri sa pasdite filloi shërbesa dhe litania në Rrugën e Kavajës, në të cilën morën pjesë përsëri mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës.

    Të Shtunën e Madhe përshëndetja e ngazëllyese: “Krishti u Ngjall! – Vërtet u Ngjall!”, në kishë dhe në rreth podiumit në Rrugën e Kavajës, ku u krye Shërbesa e Ngjalljes Aty u dëgjua dhe mesazhi shpresëdhënës paskal i Kryepiskopit Anstas, i cili sivjet kishte si temë “Me gjithë këto, Krishti u Ngjall!”.Ndër të tjera Fortlumturia e Tij do të afirmonte se “Ngjallja e Krishtit shpall se e vërtetat është me e fuqishme se gënjeshtra; e mira më e fortë se e keqja; dashuria është më e fuqishme se urrejtja; jeta është me fortë se vdekja”.

    Më pas, Sheshi përballë kishës dhe përgjatë rrugës, do të mbushej nga urimet e besimtarëve, tingullin ngazëllyes të kambanave dhe fishekzjarrjet që gjallëruan atmosferën, ndërsa besimtarët merrnin “Dritën që nuk perëndon” për ta çuar në çdo cep të Kryeqytetit dhe çukisnin vezët e kuqe sipas traditës. Më pas disa qindra besimtarë e vazhduan kremtimin duke marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe duke u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Shenjtë të Krishtit të Ngjallur. Të nesërmen, besimtarët e vijuan festën në familjet e tyre, me drekën tradicionale dhe vizitat në shtëpitë e njëri-tjetrit.

 

Isidor Koti

Foto: Roland Tasho