Të dielën, më 30 qershor, në lagjen Kombinat – Tiranë, ranë kambanat e Kishës së re Orthodhokse, për të njoftuar ditën e Gjithëshenjtorëve, emër të cilin e mban kjo kishë. Kisha ndodhet pranë Kompleksit të Punishteve të Kishës Orthodhokse “Nazaret”. Aty u zhvillua Liturgjia Hyjnore, që ngjalli mbresa të veçanta.
Besimtarët e ardhur morën pjesë në shërbesën e kryer nga atë Emanuel Lusha, i ndihmuar nga psalt Aleksandër Dimroçi. Me gjithë që kisha ka afro një vit që funksionon, pothuaj çdo të diel, të shumtë janë besimtarët që e shohin për herë të parë. Hapja e murit rrethues dhe vendosja e kangjellave e kanë bërë atë më të dukshme dhe çdokush që kalon aty, tani mund të admirojë jo vetë kishën e bukur, por të gjithë kompleksin.
Është një kishë e kompletuar më së miri, e cila të tërheq që në vështrimin e parë së jashtmi aq më tepër dhe kur hyn brenda. E admirojnë atë, vlerësojnë veprat e artit kishtar të vendosura në të, si: ikonostasin prej druri të gdhendur, ikonat e pikturuara, kandilat artistikë etj., të gjitha të kompozuara e të prodhuara në Kompleksin e Punishteve të Kishës “Nazaret”, nga duart e specialistëve përkatës.
Kishat orthodhokse në Tiranë po shtohen dhe natyrisht për këtë falënderojnë Kryepiskopin Anastas. Ndërtimi i një kishe të re në këtë lagje lehtëson marrjen pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe në gjitha shërbesat e tjera, duke e sjellë kishën më afër shtëpive të besimtarëve.
Në të do mund të kryhen pagëzime, kurorëzime, por edhe ceremoni mortore dhe përshpirtje. Këto të fundit, kryhen lehtësisht pa shqetësimin e trafikut të rënduar, sepse kisha e re është në dalje të qytetit, afër varrezave të Sharrës. Së shpejti, për këto shërbesa do të ofrohet mundësia për të përdorur mjedisin e veçantë ngjitur me kishën.
Kristofor Beduli