Romeo Boçi këtë vit është nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Sukth të Durrësit. Ai e njeh mirë ambientin, duke përfituar edukimin dhe kulturën e lëndëve në orët e mësimit, por edhe jetën e krishterë brenda komunitetit të moshatarëve të tij. “Në këtë shkollë kam përfituar mbi të gjitha një fryt të madh që na e jep Kisha jonë, dashurinë. Tani shkolla është e kompletuar,
jemi të ndërgjegjshëm për mbarëvajtjen e mësimit dhe do përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin me stafin pedagogjik që të ecim përpara” – thotë ai në mënyrë konçize dhe tërheqëse. Në këtë shkollë janë marrë të gjitha masat didaktike dhe pedagogjike në mënyrë që nxënësit të dalin me rezultate të kënaqshme. Edhe drejtuesi i këtij institucioni, z. Anastas Dodbiba e konsideron eksperiencën tre vjeçare të funksionimit të shkollës si një sfidë me shumë arritje. Sivjet i është dhënë një rëndësi e veçantë ndërtimit të konviktit, rritjes së nivelit pedagogjik, duke sjellë në shkollë mësues të rinj dhe të talentuar, ndërsa nxënësit i nënshtrohen programit të rregullt mësimor e ndërsa gjatë ditës ata ndjekin kohën e lutjes, studimit, diskutimeve të ndryshme dhe programeve e aktiviteteve të larmishme. Është hapur klasa e dhjetë, parashikohen ndërtimet e konviktit, shtimi i numrit të nxënësve dhe mësuesve.
Në shkollën shqiptaro-amerikane “Protagonistët“, në Tiranë, u mirëpritën sivjet, në vitin e saj të shtatë të funksionimit, më shumë se 30 nxënës në klasën e parë, ndërkohë që një pjesë e mirë e totalit të nxënësve tashmë i zhvillojnë mësimet në kushte të reja dhe bashkëkohore në ambientet e reja në rrugën e Kavajës. Në intervistën që zhvilluam me mësuesen e kësaj shkolle znj. Juliana Kaba u informuam se me programin e shkollës, miratuar nga Ministria e Arsimit, “Fëmija është në qendër të mësimit dhe ne bëjmë të mundur që t’i aktivizojmë në çdo moment. Metodat që zhvillohen në Amerikë i përdorim gjatë procesit mësimor” – theksoi ajo. Ndërkohë që vijon me intensitet të lartë puna për rritjen e cilësisë në mësimdhënie në mënyrë që edhe këtë vit nxënësit të dalin ndër më të mirët në konkurset dhe olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Edhe shkolla tjetër 9 vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, pranë kishës së shën Gjergjit, Durrës, në vitin e pestë të funksionimit të saj, po punon me 82 nxënës nga të cilët 20 prej tyre janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës. Drejtori z. Kristaq Mile u shpreh i gëzuar që viti i ri mësimor nisi me entuziazëm nga stafi pedagogjik dhe vetë nxënësit, të cilët janë pajisur me të gjithë librat dhe mjetet didaktike, duke punuar me seriozitet në kushte shumë të mira, me kabinete të rregulluara dhe klasa me parametra bashkëkohore.
Isidor Koti