Takimi i të rinjve orthodhoksë të Dioqezës së Tiranës është i fundit që u zhvillua për këtë vit. Ai u organizua në Elbasan, nga 23 deri në 25 nëntor. Në të morën pjesë rreth 90 të rinj nga grupet rinore të: Shkodrës, Durrësit, Kavajës, Tiranës, Gramshit, Elbasanit, Fikasit, Shtërmenit, Librazhdit, Shijonit. Për herë të parë ishin ftuar edhe të rinj nga qyteti i Bajram Currit.
    Tema e takimit ishte “Të Gëzuar me Shpresën e Zotit”. E para e mori fjalën znj. Katerina Papadhopulli. Referati i saj ishte organizuar mbi bazën e ndarjes në disa grupe, ku secili nga ato fliste rreth një historie të caktuar, që kishte lidhje me temën. Kjo solli një aktivizim më të madh të të gjithë të rinjve, duke diskutuar dhe bërë pyetje të ndryshme.
 
    Referatin e dytë e mbajti Episkopi i Apollonisë, Hirësia e Tij Nikolla, me temë: “Krishti Shpresa Jonë”. Hirësi Nikolla theksoi se “Të rinjtë e humbin shpesh herë shpresën dhe kjo i çon ata në vetëvrasje, në depresion etj., por nëse ekziston Krishti në zemrat tona shpresa nuk shuhet kurrë. Hiri i Perëndisë na forcon dhe na jep guxim për të përballuar çdo vështirësi, sepse Krishti është shpresa jonë e vetme”.
 
    Meqë të rinjtë kishin shumë pyetje për referatin edhe seanca u zgjat pak më shumë se sa ishte programuar.
 
   Në takim, përveç referateve, lutjeve e shërbesave të ndryshme, si Shërbesa e Mëngjesores, Mbrëmësorja, Pasdarka dhe Paraklisi, nuk mungonin edhe lojërat e ndryshme, programet argëtuese, diskutimet në grupe etj. Ndërsa të rinjtë e qytetit të Gramshit dhe të rinjtë e qytetit të Bajram Currit kishin përgatitur disa valle me koreografi të bërë nga ata vetë.
 
    Të dielën të gjithë së bashku shkuam në Kishën e Shën Thanasit, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, pas së cilës u bë ndarja dhe u falënderuan grupet për pjesëmarrjen e tyre në takim.
 
 
     Emanuel Pupi
     Koordinator i Zyrës Kombëtare Rinore