Të dielën, 9 maj, kur Kisha jonë feston gratë miroprurëse, në një nga mjediset e Katedrales së re  “Ngjallja e Krishtit”, u bë një takim i përbashkët i grave orthodhokse të Lidhjes së Tiranës dhe të fshatrave Rrushkull e Jubë, të Durrësit. Aktiviteti  kishte për qellim forcimin e lidhjes së krishtere midis këtyre grave dhe shkëmbimin e eksperiencave të tyre.

    Ishin  të pranishme gjithsej rreth 100 gra, si dhe Episkop Asti dhe Atë Asti Beshiri, që shërben në Kishën e Shën Pavlit, në Rrushkull. Në përshëndetjen e grave nga Durrësi u theksua se kjo lidhje ka dy vjet që është themeluar dhe është forcuar me vizitat e herë pas hershme që gratë orthodhokse të Tiranës kanë bërë në Rrushkull dhe anasjelltas. Ato theksuan se dashuria e krishterë është themeli i kësaj miqësie dhe shpresojmë që kjo te forcohet edhe në të ardhmen.

    Më pas disa gra morën fjalën dhe shprehen mendimet e përshtypjet e tyre, si dhe kujtime e ngjarje te veçanta gjatë punës  dhe angazhimeve të tyre në Kishë  gjatë këtyre viteve. Disa te tjera treguan se shumë vështirësi dhe probleme në jete i kishin zgjidhur me lutje te nxehta drejtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë, me studimin e Ungjillit dhe me Fjalën e Perëndisë.

    Pastaj u shtrua një Tryezë Dashurie me gatime që vetë gratë kishin përgatitu. Pasi Hirësi Asti bëri bekimin e tryezës, gratë filluan ushqimin me lajmin e mirë “Krishti u Ngjall”dhe çukitën  vezët  e kuqe, duke pohuar “Vërtet u Ngjall  Zoti!”.Në fund ato shoqëruan gratë e ftuara në Kishën e Shën Prokopit.

 


Rajmonda Shqevi