Nga data 24 maj deri më 8 qershor, bënë një vizitë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë një grup studentësh nga SHBA, nxënës të shkollave Teologjike “Kryqi i Nderuar”, në Boston dhe “Shën Vladimiri”, në Nju Jork. Ata drejtoheshin nga atë Luka Veronis, i cili për 12 vjet kontribuoi në Kishën tonë. Programi i tyre synonte njohjen me Ringjalljen e Kishës në Shqipëri, dhe veçanërisht kontaktet dhe veprimtaritë aktivitetet me të rinjtë orthodhoksë.
Një takim i tillë ishte ai me grupin e studentëve të Qendrës Studentore Orthodhokse. Të rinjtë u njohën më mirë me njëri-tjetrin, ndanë përvojat në jetën e besimit, si edhe treguan problemet që hasin në jetën studentore. Kjo ndihmoi shumë të dyja palët që të kuptojnë më mirë se në Krishtin të gjithë jemi një, pavarësisht vendit ku jetojmë.
Më 29 maj, në manastirin e ri të Shën Vlashit, u organizua takimi rinor me temë: “Ecni si bij të Dritës”. Ai u realizua nga bashkëpunimi i Qendrës Studentore Orthodhokse me katekistët e dioqezave Berat dhe Tiranë. Në veprimtari morën pjesë rreth 130 të rinj, me qëllimin për të ndihmuar njëri-tjetrin për një ripërtëritje shpirtërore dhe për të rritur njohuritë mbi besimin tonë.
Për këtë ndihmuan dy referate e mbajtura nga atë Luka Veronis dhe nga atë Paisi, pjesëtar i grupit të ardhur nga SHBA. Atë Luka referoi mbi temën: “Të ecim me Krishtin me dashuri”, ku ndër të tjera theksoi se, dashuria është fuqia më e madhe në botë, ndërsa atë Paisi referoi mbi temën: “Të ecim me Krishtin si paqebërës”. Ai theksoi, se Krishti vetë na mëson se bij të Perëndisë janë ata që bëjnë paqe.
Të gjithë pjesëmarrësit u ndanë në 10-të grupe të vogla, të drejtuara nga dy studentë, ku njëri ishte nga grupi i miqve. Nga thesari i Shkrimit të Shenjtë, stafi i Qendrës Studentore Orthodhokse kishte përgatitur një material të mbështetur në ato pjesë qe flasin mbi dashurinë. Edhe gjatë takimeve në grupe, u theksua që jemi bij të dashur të Perëndisë, të krijuar në mënyrë të veçantë, për të jetuar për lavdi të Emrit të Tij.
Të rinjtë gjatë kohës së lirë patën mundësi të bënin lojëra të ndryshme sportive, të këndonin së bashku këngë tradicionale shqiptare edhe të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin. Programi i ditës u mbyll me mbrëmësoren e së shtunës.
Të rinjtë pjesëmarrës me mirënjohje për këtë mundësi të veçantë njohjeje dhe ndarje përvojash, u larguan me urimin, mirë u takofshim në takime të tjera, që të rritemi në Krishtin dhe të ecim si bij të Dritës!
Lindita Lushka |