Me mbështetjen e kryetarëve të Komuniteteve Fetare Tradicionale, të cilat janë angazhuar në formimin e Këshillit Ndërfetar Shqiptar, u zhvillua Simpoziumi me temë “Harmonia dhe dialogu ndërfetar”. Ai u mbajt në kryeqytet, në datën 27 shkurt, në mjediset e “Tirana International Hotel”. Për realizimin e kësaj veprimtarie bashkëpunuan Religions for Peace / USAID / World Learning dhe Komiteti i Kulteve.
   Simpoziumi u hap me fjalët përshëndetëse të drejtuesve të të katër komuniteteve fetare tradicionale. I pari e mori fjalën Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Selim Muça, i cili theksoi se dialogu, harmonia dhe bashkekzistenca janë vlerat më të çmuara të kombit tonë. “Detyra jonë mbetet forcimi i kësaj bashkëjetese, sepse besimtarët e kanë kuptuar bashkekzistencën.”
     Ndërsa në përshëndetjen e tij, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi, tha ndër të tjera se: “…Ne kemi vendosur së fundi të shprehim me anë të një strukture formale, krijimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, atë çka qenë realitet në jetë. Në këtë mënyrë, ne shpresojmë, së pari, të forcojmë zërin e komuniteteve fetare në jetën publike të Shqipërisë; së dyti, të ofrojmë një model për bashkekzistencën fetare dhe bashkëpunimin harmonik në mbarë Ballkanin; dhe së treti, të marrim pjesë në mënyrë aktive në strukturën globale të
     Konferencës Botërore të Feve për Paqen, organizmit botëror që punon bashkërisht për të parandaluar luftën dhe varfërinë, si edhe që të mbrojë planetin tonë. Pra, ne nuk do të qëndrojmë të izoluar në rajonin tonë, por do të marrim pjesë në përpjekjet globale për të krijuar një dialog ndërfetar dhe bashkëpunim për paqen botërore”.
     Më tej, e mori fjalën për Komunitetin Katolik, Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës Imzot Rrok Mirdita. Sipas tij: “Të flasësh për dialog fetar në Shqipëri nuk do të thotë të punosh për të shuar konfliktet sepse shqiptarët e kanë projektuar të ardhmen e tyre fetare shumë paqësore”.  Kryetari i Komunitetit Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, theksoi se takimi dhe idetë për harmoninë ndërfetare janë një ogur i bardhë për vendin tonë. “Ka ardhur koha që t’i tregojmë botës se kemi një traditë dhe histori dhe kulturë fetare të mrekullueshme. Le të jemi ne shqiptarët qytetarë të epokës së re fetare”.
 

     Simpoziumi vazhdoi me temat që kishin përgatitur përfaqësuesit e komuniteteve tradicionale në Shqipëri. Z. Sajmir Rusheku, nënkryetar i Komunitetit Mysliman. foli për temën: “Dialogu ndërfetar, obligim hyjnor”. Komunitetet fetare tradicionale duhet të thellojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë në reduktimin e fenomeneve negative të shoqërisë për ripërtëritjen e jetës”.
     Referati i dytë me temë “Harmonia fetare në Shqipëri dhe sfidat e së ardhmes” u mbajt për Komunitetin Orthodhoks nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni i cili ndër të tjera tha se: “Fetë dhe veçanërisht komunitetet tona fetare, ftohen të japin kontributin e tyre esencial nga pasuria dhe përvoja e tyre e thellë shpirtërore në zbutjen dhe shërimin e këtyre plagëve, si mbartësit dhe përfaqësuesit më autokton dhe më të besueshëm të vlerave shpirtërore, morale, etike e kulturore të shoqërisë. Në këtë këndvështrim, sfidat e së ardhmes kërkojnë nga ne që të jemi vigjilent e të bashkuar, me përkushtim e mirëbesim ndaj njëri-tjetrit në përmbushje të angazhimit dhe të misionit tonë përpara Perëndisë dhe njerëzve.”
   
   
     Ipeshkëv Xhorxh Frendo, ipeshkëv ndihmësi Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës kishte përgatitur temën: “Fetë dhe toleranca fetare”, të cilën e lexoi Don Henri. Në kumtesë thuhej se askush nuk mund të na i çrrënjosë besimin. “Me rritjen e pluralizmit është rritur tensioni. Roli i vërtetë i fesë është ta ulë këtë tension.”  Z. Ilir Dedei, nga Komuniteti Bektashian, referoi për temën “Harmonia dhe toleranca fetare në Shqipëri, traditë unikale e paqes ndërfetare”. Ai tha se harmonia fetare është duke u forcua në rrafshin shpirtëror, moral dhe kombëtar. Një aspekt i tolerancës është respektimi i objekteve të kultit. Dialogu i shqiptarëve duhet të konsiderohet një proces i gjatë historik.
     Në fund të simpoziumit, përshëndetën edhe kryetari i Komitetit të Kulteve, Z. Rasim Hasanaj, drejtori i projektit të USAID / World Learning në Shqipëri, përfaqësuesja shqiptare e projektit të organizatës “Fetë për paqen”, znj. Albana Hila, Rev. Verbjon Horsfjord, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Europian i liderëve fetarë dhe Dr. Brajan Uolker, drejtor i “Feve për Paqen” në Britaninë e Madhe.
 
 
Isidor Koti