Më datën 27 nëntor 2013, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i drejtuar nga Patriarku Bartolome, vendosi të regjistrojë në Agjiologun e Kishës Orthodhokse emrin e Hieromonak Porfir Kavsokalivitit (1906-1991) dhe Hieromonak Meleti i Rodosit (fundi i shek.XVIII), duke i vënë kështu në radhët e shenjtorëve. Vendimi sinodal përcakton se kujtimi i Shën Porfir Kavsokalivitit do të nderohet nga Kisha Orthodhokse më 2 dhjetor dhe i Shën Meletit të Rodosit 12 shkurt, ditën që kanë ndërruar jetë.   
 
    Mitropoliti i Filadelfisë, z. Melitoni, pjesëtar i Këshillit të Patriarkanës së Shenjtë, që merret me cështjet kanonike, deklaroi se: “kriteri bazë i kësaj njohjeje ishte ndërgjegjja e plotë e Kishës në të gjithë botën orthodhokse”.
    ———————-
 
    Si kryhet njohja e shenjtorëve në Kishën Orthodhokse?
 
    Shenjtorët nderoheshin nga të krishterët në Kishën e hershme. Ajo nuk kishte përcaktuar ndonjë rregull të shkruar për njohjen e shenjtorëve, por ndërgjegjja e të krishterëve i nderonte dhe i tregonte të tillë.
 
    Fillimisht, njohja kishte karakter lokal. Më pas emrat e shenjtorëve i regjistruan në martirologë, agjiologë, sinaksarë, mujorë ose diptikë. Me kalimin e kohës njohja e shenjtorit merrte karakter të përgjithshëm, kur ndërgjegjja e përbashkët e plotësisë së Kishës vlerësonte që emri i shenjtit të shkruhej në diptikë.
 
    Më vonë, njohja e shenjtorëve kryhej me akte zyrtare të Kishës nga sinodet, në mënyrë që të përgjithësohej nderimi i tyre. Kisha asnjëherë nuk është nxituar që të shpallë zyrtarisht shenjtërinë e dikujt dhe kjo duket më së miri kur ajo nuk ka bërë asnjë gabim në këtë çështje.
 
    Kisha nuk shpalli kurrë asnjë shenjtor pa qenë shenjtor dhe kjo për arsyet se Ajo drejtohet nga Shpirti i Shenjtë drejt së vërtetës dhe njohjes së shenjtorëve dhe se ndërgjegjja e pagabueshme e Saj si komunitet, në mënyrë të mrekullueshme, pranon si shenjtorë, shenjtorët e vërtetë.
 
    Kriteret e përhershme të njohjes së ndonjërit prej pjesëtarëve të Kishës si shenjtor janë: a) morali i krishterë orthodhoks, b) jeta shpirtërore, c) mrekullitë. Këto kritere që shërbejnë si elementë dhe prova bindëse, duke u alternuar me ndërgjegjen e Kishës, krijojnë kushtet dhe momentin e njohjes së shenjtërisë së pjesëtarit të Kishës. Procedura e njohjes së një shenjtori, nuk e bën atë shenjtor, por vetëm sa njeh dhe e shpall shenjtërinë e tij që iu dha nga Perëndia që në jetën tokësore.
 
 
Thoma Shkira