Zyra e Lidhjes së Grave “Përhapja e Dashurisë” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë organizoi me bekimin e Kryepiskopit Anastas një seminar me gratë orthodhokse të Dioqezës të Tiranës me temë: “Roli i gruas në familje dhe në Kishë”. Veprimtaria u zhvillua në Manastirin e Shën Vlashit në dt. 9 – 11 Mars 2007.
 
    Merrnin pjesë rreth 60 gra aktiviste dhe priftëresha nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Cërriku dhe Gramshi. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të forconte dashurinë e krishterë midis grave dhe t’i aktivizojë ato të rrisin pjesëmarrjen e tyre në jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e ndryshme sociale që organizon Zyra e Grave në shërbim të njerëzve në nevojë.
    Programi i seminarit filloi me Himnin Akathist drejtuar Hyjlindëses Mari dhe vijoi me bisedën e Episkopit të Apolonisë, Hirësi Nikollës me temë: “Shën Maria shembull i nënave”. 
 
    Në mbrëmje pedagogu i Akademisë Teologjike, z. Nathan Hoppe zhvilloi referatin “Për jetën e botës” dhe në fund dita e parë u mbyll me një konkurs interesant me pyetje mbi Shkrimin e Shenjtë dhe besimin tonë orthodhoks. Këtu gratë morën pjesë gjallërisht duke zbuluar njohuritë e tyre në këtë fushë dhe u nxitën për të studiuar më shumë e të dalin fituese në konkurse të tjera.
    Ditën e dytë në seminar ishte ftuar Hirësi Andoni, i cili fillimisht transmetoi bekimet e Kryepiskopit Anastas për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe më pas zhvilloi një bisedë të ngrohtë shpirtërore mbi virtytet që duhet të kultivojë gruaja e krishterë, duke u ndalur tek virtyti i dashurisë. Në fund Hirësia e mbylli bisedën me fjalët e Zotit: “Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë ju. Prej kësaj do t”ju njohin  ju të gjithë se jeni nxënësit e mi” (Joani 13 : 34 – 35 ).
 

     Pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe prezantimi i aktivitetit shpirtëror e social të zyrës së Lidhjes së Grave të Tiranës. Këtu  u paraqit shkurtimisht puna 14 vjeçare e grave  në Kishë që nisi me 7 gra besimtare dhe më vonë u zgjerua si në numër ashtu edhe në veprimtari.
 
 
     U shfaqën me diapozitiv pamje nga takimet shpirtërore dhe shërbime e ndihma në azil, burg, jetimore, vizita në shtëpi, tek të sëmurët, të moshuarit etj. Të gjitha këto ndërgjegjësuan gratë e qyteteve të tjera që të ndjekin edhe ato shembullin e grave të Tiranës.
     Një ndihmesë të veçantë në seminar dha stafi i Qendrës Studentore, stafi i Zyrës së Fëmijëve dhe studentët e Akademisë Teologjike që përgatitën programe të pasura shpirtërore me psalme dhe këngë të krishtera, argëtime e meditime si edhe ndihmuan në shërbimin e ushqimit. Në një nga ambientet e seminarit u vendos një kuti kartoni e titulluar “Kontribut për aktivitetin” , të ardhura që shërbyen  për  të likuiduar 1/3 e shpenzimeve të udhëtimit.
     Gjithashtu ditën e dytë të seminarit u zhvillua tema “Të mësojmë si bëhet mesha dhe gruri”, ku gratë përgatitën përshpirtje në kujtim të nënave dhe motrave të fjetura që kanë qenë aktiviste në grupin vullnetar. Gjatë kohës së lirë,  gratë shkuan në varrin e motrës sonë Lineta Hoppe në shenjë dashurie, respekti dhe malli. Më pas, ato vizituan Shtëpinë e Fëmijës “Shpresa” ku u pritën me gëzim nga fëmijët,  të cilët dhanë një koncert të bukur artistik me këngë dhe recitime.
     Ditën e diel, pas Liturgjisë Hyjnore, gratë u mblodhën në drekën e falënderimit dhe aty shprehën me mirënjohje mbresat dhe përshtypjet e tyre të thella. Kujtim i paharruar ishte dosja me materiale shpirtërore. Në mënyrë të veçantë të gjitha së bashku, me një mendje dhe me një zemër falënderuan përzemërsisht Perëndinë si edhe Kryepiskopin Anastas që dha bekimet dhe kontributin e tij financiar për të gjitha shpenzimet e seminarit. Në fund  u dhanë detyra konkrete për veprimtaritë social-shpirtërore që do të zhvillojnë gratë e Dioqezës së Tiranës në të ardhmen. 
 
 
 
Rajmonda Shqevi
Përgjegjëse e Lidhjes së Grave të Tiranës