|
Qyteti Studenti, një qytet brenda kryeqytetit, ndryshon nga çdo qytet tjetër. Ai nuk ka të moshuar e fëmijë, por vetëm të rinj, nuk ka njerëz që vrapojnë për punë, por ka studentë që iu kushtohen studimeve të ndryshme, nuk ka banorë të përhershëm, por vetëm banorë të përkohshëm.
|
![]()
|
![]()
|
Ky qytet ndodhet në një kodërz ku gjelbërimi i përhershëm mundëson kontaktin me natyrën dhe ajrin e pastër. Kjo kodërz mbledh në veten e saj rreth 9000 të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët studiojnë fakultete të ndryshme si: Filologji, Shkenca Politike, Ekonomi, Psikologji, Juridik, Informatikë etj. Këtë qytet mund ta quajmë ndryshe qyteti që përgatit të ardhmen.
|
|
Për nevojat jetike të studentëve gjenden godina, rreth të cilave janë ndërtuar mensa, kafene e restorante të ndryshme. Ndërsa për nevojat akademike ekzistojnë biblioteka, salla studimi, librari, qendra kompjuterike dhe salla interneti.
Ndonëse për nevojat jetike e akademike kanë menduar shumë njerëz, nevoja e thellë e jetës shpirtërore ishte lënë në haresë deri në vitin 1994, kur Kisha Orthodhokse merr iniciativën e ndërtimit të një foleje të vogël shpirtërore ku studentët të mund të mblidheshin së bashku për të njohur Perëndinë dhe për ta adhuruar Atë.
|
![]()
|
![]()
|
Deri në vitin 2005 foleja e tyre shpirtërore ishte një sallë e vogël me qera pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti. Në këtë sallë të vogël për 11 vjet është bërë një përpjekje për ndërtimin e një jete shpirtërore që të përmbushte boshllëkun shpirtëror të jetës studentore. Aty janë zhvilluar takimet javore të ditës së martë, mesha hyjnore e ditës së enjte, lutjet dhe agripnitë, trajnimet dhe mësimet e katekizmit. Ajo fole e vogël mblodhi çdo vit qindra të rinj nëpër konferenca 3 ditore, ekskursione, vizita baritore etj.
|
|
Duke njohur nevojën e thellë shpirtërore të studentëve që prej vitesh ishte thurur një ëndërr e një qendre shpirtërore për studentët. Në fillim dukej shumë e parealizueshme, por me kalimin e viteve Kisha Orthodhokse nën kujdesin e kryebariut të saj Anastas e realizon këtë ëndërr.
|
![]()
|
|
|
Në nëntor të vitit 2005 u ble një ndërtesë dykatëshe dhe në janar të vitit 2006 filloi të funksionojë si Qendra Studentore e kishës sonë. Ajo është në shërbim të studentëve çdo ditë nga ora 9:00 – 21:00. Takimi i së martës, ora 17:00, paraklisi dhe diskutimi i së mërkurës ora 17:30, mësimet e katekizmit, miqësitë e reja, konferencat tre ditore, ekskursionet, trajnimet, puna në grup, ndihmojnë në jetën shpirtërore të studentëve dhe në formimin e një komuniteti të fortë dashurie.
|
|
Veç kësaj qendra është në shërbim edhe të nevojave akademike të studentëve. Në të ndodhet një sallë kompjuterash dhe një bibliotekë me libra fetarë si dhe libra që lidhen me fakultetet e ndryshme që studentët ndjekin.
Dhe në 14 janar 2007 Kryepiskopi Anastas kreu shërbesën e Ajazmës në Qendrën Studentore. Pas bekimit të qendrës ai zhvilloi një bisedë me studentët. “Ju jeni një brez i privuar. Njohja që keni rreth besimit është e kufizuar. Jeni ende në stadet e para të besimit dhe fakti që dimë disa gjëra rreth Dhiatës së Re dhe Dhiatës së Vjetër nuk mjafton. Keni shumë gjëra për të mësuar rreth besimit. I gjithë personaliteti i njeriut është i hapur para Hirit të Perëndisë, nuk është çështje intelekti. Në besim keni përpara një oqean të madh. Këto pak gjëra që dini keni përgjegjësi t’i ndani me të tjerët. Rinia është një grupim që duhet të marrë përgjegjësi edhe në këtë moshë. Mos e shuani këtë besim të paktë” – theksoi Kryepiskopi gjatë bisedës.
Ai tha se preferonte ta quante “fole studentore”, duke premtuar se shumë shpejt do të ketë edhe një kishëz. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Kryepiskopi tha se rinia shqiptare përballet me një krizë vlerash. “Brenda besimit të krishterë theksohet liria, por që kjo liri të japë frytë duhet të frymëzohet nga dashuria. Në këtë drejtim, besimi i krishterë është i pazëvendësueshëm. Ky besim jep shembuj se si mund të realizohen këto gjëra. Krishti është shembulli i përsosur i dashurisë”.
Në fund të bisedës, Kryepiskopi i uroi studentët për një vit të bekuar duke marrë në konsideratë të veçantë për këtë vit edhe përballjen me gjërat e vogla. Gjërat e vogla shpeshherë na pengojnë nga përpjekjet që duam të ndërmarrim. Kur ka çështje të vogla, të cilat shpesh krijojnë vështirësi në marrëdhëniet tona, çdo herë t’i përballojmë me zemër të madhe. Ai u bëri thirrje të rinjve të kenë kujdes nga gjërat e vogla, sepse shpeshherë shkaktojnë probleme të mëdha.
Duke iu uruar të gjithëve një vit të bekuar ju mirëpresim çdo ditë në Qendrën Studentore dhe ju ftojmë të bëheni anëtarë të një komuniteti të fortë dashurie me Krishtin në qendër.
Perëndia i dashurisë dhe paqes qoftë me të gjithë ju. Amin
|
|
|
Joan Baba
student
|
|
|
|
|





