Si çdo vit, kampingjet orthodhokse për djem e vajza kanë zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre. Ato zhvillohen me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas dhe tashmë janë kthyer në një traditë shumëvjeçare. Kampingu për djem ndodhet në natyrën e mrekullueshme të Manastirit Fjetja e Hyjlindëses, në ishullin perlë të Zvërnecit, Vlorë, dhe i vajzave në mjediset plot gjelbërim të manastirit të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit, një vend sa i bukur aq edhe shpirtëror dhe i mbushur me histori mijëvjeçare.
Të dy kampet zhvillohen me nga tri turne, sipas grupmoshave dhe me tematika të pasura shpirtërore, shërbesa, pagëzime, por edhe lojëra, ekskursione, plazh etj., që përbëjnë një miks që tërheq çdo vit me qindra të rinj dhe të reja, ku kërkesat janë më të mëdha se mundësitë.
Kampingje të tjera ditore ose me kohë të caktuar zhvillohen pranë çdo dioqeze, si dhe zhvillohen çdo verë kampingjet me fëmijët në Kosovë.