Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
† Anastasi
 
Përshëndetje
në përurimin e Ekspozitës
“Dorëshkrime bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri”
 
 
    Kjo ekspozitë, e organizuar në mënyrë të përsosur, ka një rëndësi dhe vlerë të trefishtë: historike, kulturore dhe fetare.
    a) Dyzet e pesë kodikë në pergamenë dhe letër, që datojnë nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, bashkë me dorëshkrimet e tjera, depozitojnë një dëshmi shumë të vyer për historinë e rajonit tonë për 13 shekuj me radhë; për lulëzimin e qyteteve që deri sot kanë një rol të rëndësishëm, si Berati, Durrësi, Vlora, Korça, Gjirokastra. Ofrojnë një material të rëndësishëm informues dhe kontribuojnë në njohjen më të mirë të së shkuarës. Është e njohur se historia e paanshme mbështetet në burime. Midis tyre, monumentet e shkruara të fjalës janë më elokuentet dhe më të besueshmet. Prandaj edhe të gjitha shtetet që respektojnë të shkuarën historike të popujve të tyre, kanë, me një përkujdesje të veçantë, arkiva për ruajtjen dhe përdorimin e monumenteve të fjalës, siç janë kodikët dhe dorëshkrimet.

    b) Njëkohësisht zbulojnë një anë të rëndësishme të qytetërimit, që u zhvillua në vend në vazhdën e shumë shekujve. Të tjerë, më të specializuar sesa unë, do të prezantojnë vlerën e veçantë kulturore që kanë miniaturat, germat e para të zbukuruara me ar, në mënyrë më të përgjithshme cilësinë estetike të kodikëve dhe të dorëshkrimeve. Eksponatet përbëjnë prova se rajoni i Shqipërisë së sotme,  merrte pjesë vazhdimisht në krijimtarinë më të gjerë kulturore të Perandorisë Bizantine dhe ruajti sende të shenjta të një vlerë unikale për qytetërimin mbarëbotëror (si p. sh. Kodiku i Beratit).

    c) Edhe një pikë të tretë.  Eksponatet e mrekullueshme që prezantohen, kanë një nënë që i ka lindur. Dhe kjo është Kisha Orthodhokse. Ato nuk u krijuan nga artistë indiferentë për shtëpi të pasura apo për ambiente ekspozitash, siç ndodh në epokën tonë. U krijuan për qëllime adhuruese, u përdorën për jetën fetare dhe mbështetjen e popullit. U shenjtëruan brenda kishave, ku luajtën një rol parësor duke frymëzuar dhe mbështetur popullin e thjeshtë në sprovat e tij. Pra, nuk janë thjesht disa prova të rëndësishme historike dhe krijime artistike, por shumë nga këto, veçanërisht ungjijtë, mujorët, sinaksarët, jetët e Shenjtorëve, homelitë për leximet ungjillore, muzika bizantine dhe dorëshkrimet e tjera liturgjike, mbi të gjitha janë objekte të hirshme. Përfaqësojnë ofertën e njeriut për të Shenjtën dhe rikujtojnë ngushëllimin dhe shpresën që ofruan në gjenerata njerëzish të çdo sëre dhe shkollimi. Për shumë shekuj, këto relike ruheshin në relikuarët e manastireve të hirshme, të mitropolive dhe të kishave tona të famullive. 

    Arkivi Qendror i Shtetit meriton falënderime të ngrohta, që i ruajti gjatë kohëzgjatjes së periudhës së egër ateiste dhe që i nxori në pah, me përkujdesje e ndjeshmëri të veçantë, në periudhën e tanishme të demokracisë. 

    Do të doja të falënderoja ngrohtësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Fondacionin Helen të Kulturës dhe Fondacionin Arsimor të Bankës Kombëtare të Greqisë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm, që patëm gjatë përgatitjes së ekspozitës dhe të shpreh përgëzime të përzemërta për të gjithë sa punuan dhe u munduan për organizimin dhe prezantimin e shkëlqyer të kësaj ekspozite. Gjithashtu me shumë gëzim, përshëndes përurimin e Ekspozitës, duke uruar sukses të plotë në realizimin e qëllimeve të saj.
 
    Ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine përbën një ngjarje historike në  jetën shpirtërore, kulturore dhe fetare të Shqipërisë. Çel një dritare në aspekte  dhe krijimtari të shkëlqyera të së kaluarës; ofron një frymëmarrje jetëprurëse dhe të gëzuar në të tashmen dhe ripërtërin shpresën për promovimin e krijimtarisë kulturore të vendit tonë në të ardhmen.