PËRSHËNDETJE
e Fortlumturisë së Tij,
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë
Anastasit
Në çastin e mbërritjes në Shqipëri të Fortlumturisë së Tij të Shenjtë,
Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës
Theodhorit II
në Kishën Katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”
31.10.2009
 
          Fortlumturi dhe Papë i Shenjtë, Patriark i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës, zoti Theodhor, Fort i dashur vëlla në Zotin,
          Hirësi,  fort të Përndershëm,
          Bij të dashur në Krishtin,
 
 
“Himno Zotin, o shpirti im, do ta lavdëroj Zotin në jetën time, do t’i psal Perëndisë derisa të jem” (Psalmi 145:1-2).
 
    Me ngazëllim dhe himn për Perëndinë Triadik, Ju presim sot, Sinodi i Shenjtë, si dhe tërë kleri e populli i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në këtë kishë Katedrale, Ju, Primatin e ndriçuar dhe aktiv të Patriarkanës shumë të hershme të Aleksandrisë, si edhe Sinodhinë Tuaj të shtrenjtë, Hirësitë, Mitropolitin e Kampalës dhe të gjithë Ugandës z. Jona, Mitropolitin e Muanzës z. Jeronim dhe Hirësinë e Tij, Episkopin e Nitrisë, z. Nikodhim.
    Njëkohësisht, me gëzimin e pranisë Suaj, një mallëngjim i thellë e pushton folësin ndërsa sjell në mendje vitet e takimit të parë, kur ishit student i vitit të parë në Fakultetin Theologjik të Athinës e në përgjithësi vitet që Perëndia më bëri të denjë të punoj në kontinentin afrikan. Për më tepër, nuk mundem të harroj Liturgjinë time të parë në Kampala, në maj të vitit 1964, kur në altar më ndihmonte Jonai i vogël, dhjaku dhe prifti i ardhshëm, bashkëpunëtori im i ngushtë në Kenia, sot Mitropolit i Kampalës dhe gjithë Ugandës. Dhe më vonë, kur në vitin 1986 e dërguam ndihmësin tonë, atëherë djalë i ri, Jeronimin për studime në Athinë, tani Mitropolit i Muanzës. Gjithashtu dhe studentin tonë, sot bashkëpunëtorin Tuaj të zgjedhur, Episkopin e Nitrias z. Nikodhim.
    Siç e dini mjaft mirë, Fortlumturi, me Afrikën, nga dhjetëvjeçari i viteve 1950, është krijuar një lidhje e veçantë, madje do të thosha lidhje dashurie. Lavdëroj Perëndinë, i Cili më bëri të denjë, që për një pjesë të madhe të jetës sime, t’i shërbej popullit të bekuar orthodhoks afrikan në çaste kritike të rrugëtimit të tij. Por edhe në vazhdim, nga pozita e drejtorit të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, arritëm, me hirin e Perëndisë, të zyrtarizojmë mundësinë e transferimit të klerikëve për në hierapostulli, si edhe strukturat e tjera, që deri sot mbështesin veprën hierapostolike të Patriarkanës së Aleksandrisë.
    Me kënaqësi të thellë, ndjekim vazhdimin dhe lulëzimin e veprës hierapostolike në saje të zellit tuaj të palodhur, iniciativat krijuese, vizitat e vazhdueshme në shumë qendra hierapostolike të Afrikës, si edhe mundimet dhe vetësakrificën e mitropolitëve afrikanë, shoqëruesve Tuaj në kushte shumë të vështira, punëtorët e Ungjillit në vijën e parë dhe në prapavijë të cilët, nën udhëheqjen tuaj të hyjfrymëzuar, mundohen për përhapjen e Orthodhoksisë në hapësirat e pamasa të Afrikës. Gjithashtu gëzohemi nga thellësia e shpirtit për frytshmërinë e pasur që vihet re tanimë në fushën hierapostolike të Afrikës, duke sjellë në kujtesë pasazhin e psalmit: “Ata që mbjellin në lot, do të korrin në ngazëllim. Duke shkuar ecnin dhe qanin duke vënë farat e tyre. Kur të vijnë do të shkojnë në ngazëllim, duke ngritur duajt e tyre” (Psalmi 125:6).
 
    Gjatë ditëve të qëndrimit Tuaj këtu, do të keni rast të informoheni për sa kanë ndodhur në Shqipëri. Ky vend ka vuajtur persekutimin më të tmerrshëm ateist, nga viti 1967 deri më 1990 – kur ne ecnim të lirë në Afrikë -, me pasojë shkatërrimin e plotë të Kishës lokale. Njëkohësisht do të konstatoni ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila jeton gjithashtu një periudhë apostolike brenda gëzimit të Ngjalljes dhe frymës së Pentikostisë.
    Pra, në këtë atmosferë dhoksologjie dhe gëzimi, brenda kësaj kishe Katedrale – që i është kushtuar, si edhe kisha Juaj në Aleksandri, Ungjillëzimit të Hyjlindëses – me ndjenja nderimi të veçanta dhe dashurie të sinqertë, ne kleri dhe populli i Kishës së Shqipërisë, presim Fortlumturinë Tuaj të shtrenjtë, si edhe Sinodhinë Tuaj të nderuar, që mundohen për Ungjillëzimin e Afrikës. Ne urojmë me gjithë shpirt, që Shpirti i Tërëshenjtë të ndriçojë gjithmonë mendjen dhe zemrën Tuaj, të shenjtërojë jetën Tuaj, të udhëheqë dhe të mbështesë veprimet Tuaja për përhapjen dhe stabilizimin e Orthodhoksisë në kontinentin afrikan, të etur për paqe dhe drejtësi.