PASHKË 2004
ME FUQINE E NGJALLJES
Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij…” (Filip. 3:10)
I
E kremtja e sotme mes lodhjes, pështjellimit dhe shqetësimit për sa ndodhin në planetin tonë, në dobësinë që ndjejmë shpesh kur ajo na shpartallon nga trysnia e vështirësive të ndryshme personale vjen të hedhë dritë të bollshme dhe të ofrojë me ngazëllim diçka unikale: Fuqinë e Ngjalljes. E gjithë jeta e Krishtit, me predikimin dhe mrekullitë e Tij, ka qenë një shfaqje e vazhdueshme e fuqisë së Perëndisë. Por, sidomos me pranimin e vullnetshëm të Kryqit dhe me Ngjalljen e Tij, u zbulua “madhësia e jashtëzakonshme e fuqisë (së Perëndisë)… tek ne që besojmë sipas ve-primit të pushtetit të fuqisë së tij, të cilën e ushtroi tek Krishti që e ngjalli nga të vdekurit” (Efes. 1:19-20). Ngjallja i jep dritë dhe jetë të ardhmes së gjinisë njerëzore, reformon krijesën. Në shkëlqimin e saj shfaqet unikaliteti i Perëndinjeriut. Zoti i Ngjallur tashmë është “fillimi i njerëzimit të ri, i ngritur i pari nga të vdekurit, që në të gjitha Ai të mbetet i pari”, “i parëlindur nga të vdekurit, që të bëhet i pari në të gjitha” (Kol. 1:18). Kjo e vërtetë përbën parimin parësor të besimit të krishterë dhe, njëkohësisht, themelin e shpresës sonë.
Ngjallja mbështet tri siguri dinamike: Së pari, themelon aspiratën tonë për ngjalljen e ditës së fundit, përderisa Krishti u ngjall duke u bërë “fryt i parë i të fjeturve” (I Korint. 15:20). Fitorja e Tij është edhe fitorja jonë. Presim “ngjalljen e të vdekurve”. Destinacioni ynë është jeta e amshuar. Së dyti, fakti që Krishti u ngjall fizikisht, thekson rëndësinë e trupit njerëzor dhe të kësaj jete. Pikëpamjet e lashta filozofike greke këmbëngulnin se shpirti çlirohet nga prangat e trupit. Besimi i krishterë e zgjeron nocionin e pavdekësisë, përfshin tërë entitetin shpirtëror e trupor të njeriut; shpall ngjalljen edhe të trupit me një formë të re, të paprishur dhe të pavdekshme (I Korint. 15:35-53). Së treti, “Fuqia e Ngjalljes” nuk kufizohet në një person dhe në një ngjarje të së kaluarës. Ajo vazhdon të veprojë në çdo kohë në jetën personale të të krishterit, që bashkohet sipas hirit me Krishtin, i cili është “koka e trupit, e Kishës” (Kol. 1:18). Përbën garancinë se në jetë dhe përtej vdekjes, Zoti i Ngjallur është me ne.
II
Por, që të njohësh fuqinë e Ngjalljes, kërkohet një tjetër njohje: “Të njohësh Atë” – Jisu Krishtin, Zotin. Folja “njoh” tregon shumë më tepër se një njohje mendore, e cila ka të bëjë me disa ngjarje, teori apo parime. Kryesisht, tregon njohjen e ngushtë dhe intime, personale, të personit tjetër. Ajo që kërkohet prej Apostull Pavlit dhe, në vazhdim për çdo besimtar, nuk ishte të mësonte diçka për Krishtin, por ta njihte atë personalisht. Kjo njohje ndërthuret me fuqinë e Ngjalljes. Askush nuk mund të pretendojë se e njeh dhe ka lidhje personale me Krishtin, duke injoruar fuqinë e Ngjalljes. Por, as nuk mund të ndjejë dhe të jetojë këtë fuqi, pa shoqërinë personale me Krishtin. Ne thirremi “që të forcohemi me fuqi nëpërmjet Frymës së Tij në njeriun e brendshëm, që në zemrat tona të rrijë Krishti nëpërmjet besimit” (Efes. 3:16-17). Të përparojmë vazhdimisht në njohjen e thellë të Perëndisë – “duke u forcuar me çdo fuqi sipas pushtetit të lavdisë së tij”, që në çdo rrethanë të kemi durim dhe zemërgjerësi (Kol. 1:10-11).
Një tjetër parakusht për këtë njohje personale është gatishmëria e besimtarit për të njohur “pjesëmarrjen në pësimet e Tij”, duke pranuar logjikën e sakrificës, të përuljes, të dashurisë, duke përjetuar idealin dhe bindjen konkrete ndaj vullnetit të Perëndisë, që përmbledh Kryqi. “Duke marrë formë të njëjtë me vdekjen e Tij” (Filip. 3:10). Sa herë besimtari ngre në mënyrë të vullnetshme kryqin personal, kontribuon që të ngrihet në mjedisin e vet Kryqi, simboli i fitores përfundimtare të njerëzimit mbi forcat satanike, simboli i dashurisë së përkryer.
III
Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij”. “Fuqia e Ngjalljes”, të cilën rrezaton Pashka, para së gjithash duhet të mbushë qenien tonë, të përhapet në mendjen dhe vullnetin tonë. Që shpirti ynë të qetësohet nga dhembja dhe boshllëku që na krijon fjetja e të dashurve tanë. Që të ndjejmë hirin e faljes së mëkateve që na është dhënë. Që të mposhtim tendencat që na shtyjnë drejt vdekjes shpirtërore, pasionet që na robërojnë, rëniet personale që na mundojnë. Por, gjithashtu, që të mund t’i falim ata që na kanë bërë padrejtësi dhe na kanë lënduar. Që të lirohemi nga disfatizmi, bre-ngat dhe mungesa e vullnetit.
Fuqia e Ngjalljes duhet të bëhet energji e ndjeshme në mjedisin tonë, si fuqi qëndrese ndaj gjithçkaje vdekje-prurëse, që helmon shoqërinë njerëzore. Fuqi qëndrese ndaj padrejtësisë, dhunës, egocentrizmit dhe indiferencës.
Fuqia e Ngjalljes duhet të gjejë shprehjen e saj si fuqi krijimtarie, e cila do të frymëzojë vepra të një kulture të vërtetë dhe do të mbështesë iniciativa paqeje dhe drejtësie. Kreativiteti është para së gjithash dhuratë e Perëndisë për njeriun dhe zhvillohet në mënyrë të shumanshme brenda dritës së Ngjalljes. Fuqia e Ngjalljes vepron kudo dhe kurdoherë, duke kontribuar në transformimin e jetës personale dhe shoqërore.
* * *
Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij”.
E kremtja e Pashkës vjen për të hedhur dritë, për të na forcuar shikimin shpirtëror, me qëllim që të shohim përtej fenomeneve larg, drejt fundit, drejt mbarimit të historis, drejt ngjalljes përfundimtare. Por, njëkohësisht, të na japë fuqi për të përballuar gjërat imediate, të përditshme. Mesazhi i saj i përjetshëm i jep kuptim dhe vlerë kësaj jete të përkohshme.
Ndaj, le të marrim fuqi nga e kremtja e sotme, për të përballuar hijen e vdekjes, që shpesh endet rreth nesh dhe brenda nesh. Le të marrim fuqi qëndrese në rënie morale. Fuqi krijimtarie për një shoqëri solidariteti dhe dashurie; me më shumë dritë, me dritë Pashke. Krishti u Ngjall! Fuqia e Ngjalljes le t’i japë frymë të re dhe qëndrueshmëri jetës sonë.
Me tërë dashurinë time,
Pashkë 2004