Gjatë vitit 2009 zyra Diakonia Agapes ka zbatuar në zonat rurale të rrethit të Gramshit dhe Librazhdit projektin “Jetë e shëndetshme për fëmijët” Në kuadër të këtij projekti, zyra Diakonia Agapes bashkëpunon me shkolla nëntëvjeçare duke kontribuar në përmirësimin e standardeve të mësimdhënies dhe kushteve në këto shkolla.
Për të realizuar këtë qëllim gjatë muajve dhjetor 2009 dhe janar 2010 zyra Diakonia Agapes ka siguruar për shkollën nëntëvjeçare të Xhyrës në rrethin e Librazhdit dhe shkollën nëntëvjeçare të Tunjës në rrethin e Gramshit materiale të ndryshme, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës së dy shkollave të sipërpërmendura.
Pasi është bërë një vlerësim shumë i mirë i nevojave në bashkëpunim me drejtorët e këtyre shkollave është bërë plotësimi i tyre. Kështu janë siguruar tavolina dhe karrige për sallën e mësuesve, mjete mësimore, harta dhe globe, vazo dhe stola për përmirësimin e ambienteve të shkollës, rafte si dhe tituj librash për bibliotekat, kutitë e ndihmës së parë që mungojnë në pothuajse të gjitha shkollat, tabela vizive me mesazhe të ndryshme për rëndësinë që ka shëndeti, mjedisi higjiena etj. Reagimi i të gjithë aktorëve ishte shumë pozitiv.
Mësuesit shprehën mirënjohje të madhe për ndihmën e dhënë, komuniteti i prindërve dhe nxënësve gjithashtu. Ata argumentojnë se zonat rurale janë lënë në harresë dhe se janë të paktë ata që kontribuojnë dhe ndihmojnë fëmijët dhe shkollat e këtyre zonave.