Në datën 8 Gusht u krye në Kishën e Shën Theodhorit, Vlorë, përshpirtja me rastin e 10 vjetorit të fjetjes së të përkujtuarshmit Episkopit të Apollonisë, Hirësi Kozmait (Qirjo). Mesha dhe përkujtimorja u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignatit, me pjesëmarrjen e shumë klerikëve të Mitropolisë, si edhe të një shumice besimtarësh të qytetit, shumë prej të cilëve e kanë njohur nga afër Hirësi Kozmain si në kohën e persekutimit por edhe më pas, kur kishat u rihapen.
Pas Meshës dhe përshpirtjes në kishë u krye një takim në ambientin e famullisë së kishës ku folën dhe treguan kujtimet e tyre shumë prej të pranishmëve. Të gjithë sollën në kujtimet e tyre momente të jetës së Hirësi Kozmait, sidomos kurajën dhe guximin e tij gjatë kohës së persekutimit, por edhe zellin dhe punën e palodhur pas rihapjes së kishave. Më tej, një pjesë e të pranishmëve u drejtuan për në fshatin Bestrov, tek kisha e Pesë Martirëve ku prehet prej 10 vitesh episkopi Kozma Qirjo. Edhe këtu u krye përshpirtja e rastit nga Mitropoliti Ignat dhe klerikët e tjerë të pranishëm. Aktivitetet përkujtimore u mbyllën me drekën e shtruar me këtë rast nga Mitropoliti.
Jetëshkrim i shkurtër
Hirësia e Tij, Episkopi i Apolonisë dhe Ndihmës i Kryepiskopit Anastas, i Përkujtuarshmi Kozma (Qirjo), lindi më 13 tetor 1921 në një familje të varfër, por besimtare, në fshatin Bestrov të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Nartë dhe më pas arsimi i tij i vetëm do të ishte Shkrimi i Shenjtë dhe përvoja e jetës. Në moshën 23 vjeçare vendos të bëhet murg dhe për këtë dëshirë të tij të zjarrtë bisedon me Mitropolitin e atëhershëm të Beratit, Imzot Visarionin (Xhuvani), i cili i thotë se do t’i kthejë përgjigje së shpejti. Ndërkohë nëna e tij Zoica, duke mësuar këtë dëshirë të të birit, i lutet dhespot Visarionit që të mos e pranojë Kozmanë në radhët e murgjërve, pasi ajo kishte vetëm atë. Kështu Visarioni duke e marrë parasysh dëshirën e së ëmës i përgjigjet Kozmait se dëshira e tij për t’u bërë murg nuk mund të plotësohet. Kështu, Kozmai vazhdon jetën në fshatin e lindjes ku edhe martohet me bashkëshorten e tij Elisabetën.
Bashkëfshatarët e tij, duke parë zellin dhe dashurinë e zjarrtë që ai kishte për Perëndinë menduan që ta kishin atë si udhëheqësin e tyre shpirtëror dhe i propozuan Mitropolitit Visarion që ta dorëzonte prift të fshatit. Kështu, më 25 prill 1945 ai u dorëzua dhjak në kishën e Shën Vllasit në Vlorë dhe pas katër ditësh më 29 prill 1945 u dorëzua prift në kishën Shën e Diela në Nartë. Me dashuri për Zotin dhe për bashkëfshatarët e tij Atë Kozmai vazhdoi punën e klerikut deri në mbylljen e kishave, në vitin 1967. Megjithëse besimi fetar tashmë ishte i ndaluar dhe gjithashtu rreptësishtë e ndaluar ishte edhe çdo ushtrim i tij, Atë Kozmai kurrë nuk rreshti së shkuari shtëpi më shtëpi në çdo qytet të vendit për të mbajtur të palëkundur në Orthodhoksi sa më shumë besimtarë të mundte. Ai kryente pagëzime, kurorëzime në çdo familje ku e kërkonin dhe meshonte në shtëpinë e tij natën e më pas me kungatën e Hyjshme, shkonte pranë besimtarëve për t’i kunguar në mënyrë që të mos lejonte sistemin që t’i privonte ata nga ushqimi hyjnor.
Kështu e ushtroi priftërinë e tij Atë Kozmai deri në vitin 1990, vit në të cilin ai përveç në misteret e Kishës do të jepej me shpirt edhe në përpjekjen për rihapjen e kishave në qytete të ndryshme të vendit. Ai ishte anëtar i Këshillit Iniciator për Rihapjen e Kishave dhe me pas anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të KOASH-it. Në vazhdim ishte nga pritësit e parë të Eksarkut të atëhershëm Patriarkal, sot Kryepiskopit Anastas, dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Për shumë vite, ai shërbeu si Epitrop Arkihieratik i Mitropolisë së Beratit si edhe Atë Shpirtëror në Seminarin Teologjik në Durrës, duke ndihmuar kështu në përgatitjen e klerikëve të rinj të Kishës sonë. Me gjithë angazhimet e mësipërme, ai asnjëherë nuk la pas dorë punën e famullitarit të përkushtuar, të cilën e kreu përgjatë gjithë kohës në qytetin e Vlorës, por edhe në zonat përreth.
Në vitin 1998, një detyrë tjetër e rëndësishme do të shfaqej para tij. Kisha së cilës i shërbeu me vetëmohim dhe Providenca Hyjnore i patën ruajtur një mirënjohje të madhe, por edhe një kryq të rëndë, duke e ngritur atë në gradën episkopale. Ishte një mirënjohje dhe një falënderim për punën e palodhur, por edhe një kryq i rëndë pasi vinte në një moshë të kaluar. Por edhe këtë herë, duke qenë në lartësinë e situatës, ai e kuptoi se duhet të pranonte këtë kryq në mënyrë që të mund të ngjitej në Fronin e tij edhe Mitropoliti i Beratit tashmë i dorëzuar prej vitesh, por i ndaluar nga autoritetet për të marrë detyrën e tij. Kështu “po”- ja e tij në thirrjen e Kishës edhe këtë herë ishte e menjëhershme dhe frymëzuese për të gjithë ne. ”Ja ku jam, u bëftë në mua sipas fjalës sate”, kjo ishte përgjigja e Ikonomit Kozma Qirjo në propozimin për t’u dorëzuar Episkop i Apollonisë dhe Ndihmës i Kryepiskopit. Më 23 korrik 1998, ai u dorëzua Episkop prej Kryepiskopit Anastas, Mitropolitit Ignat dhe Mitropolitit Joan, në kishën katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë. Edhe me funksionin e ri të Episkopit, ai vazhdoi veprën e tij baritore deri më 11 gusht të vitit 2000, ditë në të cilën Ati qiellor e thirri atë pranë Tij. Tani ai lutet për ne dhe për Kishën e tij përpara Altarit të Shenjtë dhe qiellor, zjarri për të cilin e digjte në zemër përgjatë gjithë jetës së tij.
Fjala e Kryepiskopit Anastas në Shërbesën e Hirotonisë në Episkop të Imzot Kozmait, Tirane, 23 korrik 1998
Fort i shtrenjti z. Kozma,
Biri i Perëndisë thotë: “I di punërat e tua, edhe dashurinë, edhe shërbesën, edhe durimin tënd, edhe punërat e tua të pastajme, se janë me të tepërta se të parat” (Apokalipsi 2:19).
Ke kaluar një jetë të tërë plot sprova, hidhërime e varfëri, një jetë totalisht të përkushtuar te Krishti. Gjatë 23 viteve tragjike të persekutimit të pamëshirshëm ateist, ti nuk u përkule dhe vazhdove pa zhurmë me besim të palëkundur, me durim mahnitës, veprimtarinë tënde hieratike, duke meshuar dhe duke pagëzuar rreth tre mijë njerëz. Edhe Mitropoliti i dorëzuar se fundi, i përndershmi z. Joan, prej teje e mori pagëzimin gjatë atyre viteve, kur të gjithë besimtarët e Shqipërisë ecnin në hijen e vdekjes.
Sapo u dha liria për shprehjen e besimit te Perëndia, ti shpejtove me entuziazmin, përulësinë dhe urtësinë në përpjekjen për rimëkëmbjen e Kishës sonë nga gërmadhat. Që në vitin 1991, sapo mbërrita në Shqipëri, pata rastin të vlerësoj bashkëpunimin tënd të zellshëm në postet e përgjegjshme, si përfaqësues arkihieratik i Mitropolisë së Beratit, Kaninës dhe Vlorës dhe si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kishtar; gjithnjë i butë dhe i përulur në zemër, i gatshëm për çdo mision të përgjegjshëm. Dhe tani së fundi, në një kthesë të vështirë të ecjes se Kishës sonë… ti pranove një formë të re sakrifice…. Duke vlerësuar lart gjithë jetën tënde të kontributit, të shërbesës dhe dashurisë për Krishtin, Kisha jonë, në mbledhjen e parë të Sinodit të saj, të zgjodhi Episkop të Apolonisë, ndihmës të Kryepiskopit. Me këtë vendim, nderohen në personin tuaj edhe të gjithë priftërinjtë e bekuar dhe heroikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët gjatë viteve të persekutimit mbartën peshën e përgjegjësisë së tyre hieratike, me konsekuencë, besnikëri dhe përkushtim.”Vlera e re arkihieratike” dhe misioni ynë, që të rezervoi Providenca e Perëndisë, po vjen në një moshë shumë të pjekur. Por “Hiri Hyjnor, ai që shëron të sëmurët i plotëson ato që mungojnë”, ai që jep frymë të re, rezistencë, ndriçim dhe fuqi atij i mbështesim me besnikëri absolute veten tonë dhe njëri-tjetrin… Në vitet e persekutimit, për të mbajtur familjen tënde, krahas shërbimit që bëje në fshehtësi si prift, punove si vreshtar e punëtor, duke mirëmbajtur dhe sheshuar rrugët. Sot dashuria e Perëndisë të ngarkon që të mirëmbash vreshtin e Kishës dhe si Pararendës, të përgatitësh “shpirtrat për rrugën e Zotit”, që ti bësh ato të sheshta. Uroj me gjithë shpirt, që Perëndia Triadik të te rinojë “ashtu si shqiponjën”, të të falë shëndet të palëkundur dhe ndriçim me bollëk të Shpirtit të Shenjtë, që edhe me vulën e cilësisë sate si Episkop, të vazhdosh të predikosh Ungjillin e Krishtit, mesazhin gazmor të dashurisë, të shpresës dhe durimit, të ngushëllohesh dhe të shenjtërosh popullin e Perëndisë, ta çosh atë me fjalën, me shembullin dhe me jetën tënde, drejt ligjeve shpëtimtare, të kontribuosh me përvojën dhe urtësinë tënde në vlerësimet dhe në vendimet e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë.
Paskal Mamaj