Të dielën, dt. 11.08.2013 në kishën e shën Theodhorëve Vlorë, pas Liturgjisë Hyjnore, u krye shërbesa përkujtimore me rastin e 13-vjetorit të fjetjes së Episkopit të Apollonisë, Imzot Kozmait (1920 – 2000). “I drejti do të kujtohet përjetë” – psal gjithnjë Kisha jonë, dhe mes të drejtëve të Perëndisë ndodhet padyshim dhe shërbëtori i Zotit, Imzot Kozmai, aktiviteti shpirtëror i të cilit ka lënë gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në qytetin e tij të dashur Vlorë, por edhe në shumë vende të tjera të Shqipërisë. E veçanta e këtij misioni ishte se u krye gjerësisht nën regjimin e egër ateist të periudhës së komunizmit, periudhë në të cilën ashtu siç njihet nga të gjithë ishte e ndaluar rreptësisht çdo punë shpirtërore, dhe nëse dikush kapej, duke bërë një gjë të tillë, do të jepte llogari me jetën e tij. I patrembur dhe me besim të plotë u tregua Atë Kozmai dhe për këto virtyte shpërbehet nga Perëndia në vitin 1998 me gradën e Episkopit, duke qenë edhe këtu një element shumë i rëndësishëm për krijimin e Sinodit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa përkujtimore u kryen nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignatit, i cili në fjalën e rastit përmblodhi shkurt gjithë virtytet e Episkop Kozmait. Ai tha: “Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, kujtojmë sot përvjetorin e jetëndërrimit të vëllait tonë më Krishtin, Kozma kryeprift. Vitet kaluan por njerëzit janë të paharruar, se njeriu vjen nga e mosqena në të qenë edhe jeton i përjetshëm. Dhe Kozma kryeprifti në jetën e tij la gjurmë të gjalla me misionin e tij hyjnor, me përkushtimin në punën e tij, me vetëmohim dhe sakrificë, si dele e Zotit, që me shumë zell, si Profeti Ilia, dhe me shumë dashuri më Krishtin për të afërmit, si Shën Kozmai, zbatoi detyrat e tij familjare dhe shpirtërore si famulltar, dhe si kryeprift më vonë, vazhdoi të vërë gurët në punët e tij misionare. Etja e tij shpirtërore ishte që t’i shërbejë Zotit edhe të takojë shpirtra të larguara, të arratisura dhe të trembura në kohën e monizmit. Me shumë sakrificë, duke u mbështetur tek Perëndia i tërëfuqishëm që bën çudira të mëdha, shkonte në rrethe të ndryshme të Shqipërisë duke u dhënë njerëzve ngushëllim, forcë shpirtërore, mbështetje me fjalët e Perëndisë, si edhe duke kryer fshehurazi misterin e rrëfimit e të Kungatës Hyjnore, për t’i bashkuar me Krishtin, me gjakun e Tij që u derdh për shpëtimin e botës. Kjo ishte një etje shpirtërore dhe një uri shpirtërore e tij, që nuk e linte të qetë sa të gjente delen e arratisur, prandaj dhe Zoti e bekoi punën e tij edhe e nxori faqebardhë dhe i dhuroi gradën e kryepriftërisë, duke qenë kështu shembull edhe për të gjithë ne klerikët e tjerë. Sot që kujtojmë përvjetorin e 13-të të jetëndërrimit të tij, i lutemi Zotit ta prehë shpirtin e tij atje ku prehen të drejtët, në gji të Abrahamit, në tendat e të drejtëve, në korin e apostujve, në korin e misionarëve pasardhësve të apostujve. Edhe punën e tij e vlerësojmë duke imituar veprën tij si klerik, si besimtar, si njeri i Zotit. Ky është kujtimi më i mirë që të vazhdojmë dhe ne në këtë rrugë, në rrugën e drejtë, rrugën e dashurisë, rrugën e besimit, rrugën e shpresës ndaj Perëndisë, me zell të zjarrtë edhe me kujdes të madh për shpëtimin tonë dhe për shpëtimin e të afërmeve tanë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati kreu shërbesën përkujtimore dhe në vendin ku prehet lipsani i Episkopit të Apollonisë, Imzot Kozmait. Varri i tij ndodhet pranë kishës së “5 Martirëve” në fshatin Bestrovë të Vlorës.
Joan Qako