Kohët e fundit janë shkruar disa artikuj të cilët në mënyrë të deformuar i referohen personit dhe legjitimitetit të fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje duhet parë zgjedhja e tij në përputhje me Kanonet dhe Traditën e Kishës, me “statutet” dhe kushtet historike, politike dhe shoqërore. Rënia e sistemit komunist dhe hapja ndaj proceseve demokratike të vendit gjeti komunitetin orthodoks të asgjësuar në lidhje me strukturën institucionale dhe administrative.

    Nuk ekzistonte asnjë hierark, episkop, i cili do të merrte përsipër organizimin e kishës në të gjitha nivelet e aktivitetit të saj. Dhe ajo që është më e rëndësishme të risillte në ekzistencë autoqefalinë e saj, sepse në qarqet teologjike dhe kishtare kishte zëra që pretendonin suprimimin e autoqefalisë, nisur nga mungesa e Sinodit të Shenjtë dhe për më tepër e një episkopi. Si do të vinte në ekzistencë një kishë pas ngjarjeve të tilla? Kjo nuk ishte e parashikuar në asnjë statut. Cili ishte i gatshëm të merrte përsipër këtë mision? Kjo për faktin se episkopi sipas traditës dhe rregullave të Kishës duhet të jetë i pamartuar, me formim teologjik të lartë, me përvojë dhe me dije të shumanshme. Kjo situatë e krijuar kërkonte që të gjendej zgjidhje, e cila të ruante parimet kishtare, kanonet e saj, të cila përbëjnë kushtetutën e pakontestueshme për të gjitha kishat orthodokse. Parimi themelor i Kishës Orthodokse është se: “nuk eksiton kishë pa episkop” (Shën Ignati, shek.I-II, përcakton peshkopin si imazhin e Krishtit, manifestim i unitetit të Kishës. Shën Qipriani, shek.III, ne veprën “De ecclesiae unitate” përcakton unitetin e kishës në personin e episkopit, “ku është episkopi, atje dhe Kisha”). Organizimi i Kishës është hierarkik, ku organi më i lartë është Sinodi i Shenjtë dhe funksionimi i saj rregullohet me anë të kanuneve të Sinodeve Ekumenike, i cili ka të bëjë me çështje të adhurimit, jetës spirituale e morale dhe administrimin e saj.

    Gjithashtu një veçori njohëse e kishave orthodokse është vazhdimësia apostolike, e cila transmetohet me anë të episkopëve. Komuniteti orthodoks në Shqipëri, për shkak të mungesës së një episkopi, e kishte të pamundur përfaqësimin në mënyrë kanonike e të barabartë me kishat e tjera simotra dhe ngritjen e strukturave të tij. Klerikët e mbetur nga persekutimi i egër ateist dhe laikët e devotshëm me njohuri kishtare, të cilët përbënin Këshillin e Përgjithshëm të KOASH-it, duke kuptuar situatën e krijuar nga mungesa e një episkopi iu drejtuan Patriarkanës Ekumenike më 30 Maj 1992. Kjo kërkesë vinte jo vetëm si pasojë e mungesës së kandidatëve për episkop, por edhe nga pamundësia për dorëzimin e një episkopi, pasi sipas kanoneve të kishës, “dorëzimi i një episkopi duhet të bëhet të paktën me pjesëmarrjen e dy episkopëve kanonikë” (Kanoni I i Apostujve).  

    Patriarkana Ekumenike me respekt dhe ndjeshmëri të veçantë për realitetin në Shqipëri mbështeti autoqefalinë e Kishës pas kërkesës të Këshillit të Përgjithshëm dhe ofroi zgjidhje konkrete. Kështu më 24 Qershor 1992, Sinodi i Patriarkanës Ekumenike me unanimitet zgjodhi Fortlumturinë e tij, Anastasin, Kryepiskop të KOASH-it,  vendim me Nr. Protokolli 938. Zgjedhja e tij në unanimitet plotësoi kushtin e kanoneve të shenjta (Kanoni IV i Sinodit I Ekumeni, Kanoni III i Sinodit të VII Ekumenik). Më 4 Korrik kemi vizitën e përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike në Shqipëri, të cilët në takimin e tyre me Presidentin e Republikës z. Sali Berisha morën pëlqimin e tij. Pas zgjedhjes së Kryepiskopit në mënyrë unanime dhe pas pëlqimit nga autoriteti i shtetit më 12 Korrik Fortlumturia i tij shpalli pranimin, duke qenë i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë jo për çështje pushteti, por shërbim kryqi.

    Duke pasur parasysh njohjen e autoqefalisë së Kishës më 12 Prill 1937 me Tomos-in Nr. Protokolli 609 dhe 618 nën emrin “Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë” dhe përkujdesjen e saj eklisiastike, kanonike dhe dogmatike, Patriarkana Ekumenike duhej përsëri të rimerrte këtë mision për ripërtëritjen e autoqefalisë dhe njohjen e kësaj kishe sipas kanoneve kishtare. Zgjedhja me unanimitet nga Sinodi i Shenjtë i Patriakanës Ekumenike dhe pranimi nga presidenti i Republikës krijuan kushtet për fronëzimin e Kryepiskopit më 2 Gusht 1992 në Kishën “Ungjillëzimi” në Tiranë. Zgjedhja dhe fronëzimi i Kryepiskopit Anastas bëri të mundur njohjen zyrtarisht të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë si nga kishat orthodokse simotra ashtu dhe nga organizmat e lartë evropiane dhe botërore. Disa persona e vënë në dyshim realizimin e kësaj ceremonie, ndoshta nga mungesa e njohurive të praktikave kishtare. Fronëzimi i një episkopi është një ceremoni e cila përmban shpalljen e vendimit unanim të marrë më parë nga Sinodi i Shenjtë, në rastin konkret nga Patriarkana Ekumenike, për shkak të asgjësimit të tij nga regjimi i egër komunist, përshëndetjen e episkopit që fronëzohet dhe dorëzimi i skeptrit baritor, si simbol i përkujdesjes për grigjën e Perëndisë, praktikë e cila u zhvillua në katedrale në prezencën e klerit dhe besimtarëve dëshmitarë nga të katër dioqezat.

    Zhurmat e krijuara nga disa njerëz gjatë kësaj ceremonie dhe të cilat vazhdojnë ende sot të veshura me mllefin që veprimtaria antifetare e kurorëzuar me 1967 nuk arriti të zhdukte besimin, me urrejtjen për zhvillimin e kishës dhe shoqërisë, me zilinë për besimin e të tjerëve nuk mund ta zhbëjnë atë. Zhurmat e tyre tregojnë se janë në grahmat e fundit përpëlitëse për shkak të hijes mortale të ideologjisë së tyre që iu ka hidhëruar shpirtin. Gjithashtu shprehja tradicionale “aksios – i denjë” në praktikën e fronëzimit, ku vendimin për zgjedhjen e një episkopi e merr sinodi, ka vetëm vlerë urimi dhe jo juridike e kanonike. Kështu, ata që nuk uruan në këtë mënyrë apo iu kundërvunë një urimi të tillë, thjesht nuk iu bashkuan traditës së kishës. Disa njerëz duke mos njohur mirë traditën kishtare dhe duke pasur në mendje fjalën statut mendojnë të ringrenë një kishë vetëm me laikë. Na sjell në mendje disa veprime të shekullit të kaluar, me dorëzimet jo kanonike apo mbledhje dhe konferenca vetëm nga laikë, të cilat të kujtojnë mbledhjet e partisë, që zgjidhnin drejtues dhe jepnin direktiva. Njerëz të tillë duke mos njohur traditën kanonike dhe kishtare dhe duke mos gjetur mbështetje për kauzën e tyre përpiqen të shikojnë statutin si një spirancë shpëtimi të ideologjisë së tyre.

    Të dy statutet si ai i 1929 dhe 1950 janë miratuar në dy sisteme politike në përputhje me kushtetutat përkatëse dhe të dekretuara nga kuadri shtetëror, i mbretërisë (monarkisë) i pari dhe i diktaturës komuniste i dyti. Harrohet fakti që statuti i vitit 1929 u zhvlerësua nga Kongresi i vitit 1950 (5-10 Shkurt) duke u mbështetur ky veprim në art.63 të statutit të vitit 1929, “i cili ndalon vetëm 3 nenet e para të mos ndryshohen, të mos modifikohen ose të mos abrogohen”. Këto nene të rëndësishëm sanksionojnë pozitën, raportin e KOASH-it me kishat e tjera orthodokse ku ndër të tjera shprehin se: “kisha drejtohet nga episkopë kanonikë që ruajnë të pandryshueshëm kanonet e shenjta apostolike e sinodike si dhe traditën e kishës. Ndërsa neni 64 lejon të ndryshohen nenet e tjerë, sigurisht me vendim të një kongresi tjetër. Kongresi i vitit 1950, i cili ndryshoi statutin e vitit 1929, ishte një kongres i ligjshëm, pasi në të merrnin pjesë episkopë të zgjedhur në mënyrë kanonike, klerikë dhe laikë. E përmendim këtë fakt për të thënë se pa pjesëmarrjen e episkopit dhe klerikëve nuk mund të ketë një kongres kleriko-laik dhe më tepër të marrin vendime mbi organizimin e kishës.

    Por dhe statuti i vitit 1950 me dekretin e vitit 1967 (12 Nëntor) u abrogua. Nisja e proceseve demokratike pas viteve 90-të me lejimin e lirisë fetare hasi në një situatë ku aplikimi i këtyre dy statuteve për funksionimin e kishës ishte i pamundur. Një statut për një kishë autoqefale përbën një akt themelor juridik në të cilin mbështetet organizimi administrativ i saj për mirëfunksionimin e jetës shpirtërore. Natyrisht një statut i tillë duhet të bazohet mbi kanonet e Sinodeve Ekumenike dhe t’i përshtatet rrethanave historike, pa shkelur frymën e tyre. Ashtu si riorganizimi i shtetit pas viteve 90-të nuk iu rikthye kushtetutave të mëparshme, pasi ato nuk i përgjigjeshin realitetit të ri, kështu, Kisha nisur nga i njëjti parim nën drejtimin e Kryepiskopit më 21 Janar të vitit 1993 thirri kuvendin kleriko-laik duke shprehur nevojën e një statuti të ri, pasi statutet e hartuara në kohën e mbretërisë dhe diktaturës nuk i përgjigjeshin realiteteve të krijuara në një sistem demokratik.

    Në realitetin e ri të krijuar ku shteti ndjente nevojën e një kushtetute të re, e cila u realizua në vitin 1998, në të njëjtën mënyrë dhe kisha kërkonte statutin e ri, i cili duhet t’i përgjigjej nevojës për ekzistencë dhe organizim. Bazuar në nenet 10 pika 5, 78 dhe 83 pika 1 e Kushtetutës shtetit dhe komuniteteve fetare i lind e drejta të krijojnë një marrëveshje reciproke për  garantimin e lirive dhe të drejtave të tyre. Kjo marrëveshje u miratua dhe ndër të tjera thotë: “Shteti respekton KOASH-in dhe njeh si përfaqësues të saj personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e saj nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj(Neni 5 pika 1). Gjithashtu “Shteti respekton pavarësinë e KOASH-it për t’u organizuar, ushtruar veprimtaritë, për të administruar pasuritë që zotëron në bazë të parimeve, rregullave, traditave, kanoneve e statutit të saj(Neni 10 pika 2) (Shih  Fletorja Zyrtare e Rep. së Shqip. Nr.7, 4 shkurt 2009, fq.138). Nga sa thamë deri tani del konkluzioni se: zgjedhja e Kryepiskopit në krye të KOASH-it është  legjitime si nga ana kanonike, ashtu dhe nga ana juridike.

    Miratimi unanim i Sinodit të Patriarkanës Ekumenike dhe ratifikimi i marrëveshjes sipas Kushtetutës janë dëshmi të qarta të legjitimitetit  të tij. Gjithashtu shumë persona të nxituar dhe me njohuri të kufizuara në lidhje me çështjet doktrinale dhe fetare që u shprehën kundër zgjedhjes dhe fronëzimit të Kryepiskopit me kalimin e kohës kuptuan rolin vendimtar të tij në rimbëkëmjen e Kishës dhe iu rikthyen jetës adhuruese dhe spirituale të saj. Nuk mbetet tjetër veçse t’i lutemi Perëndisë që të ndriçojë mendjet  e tyre që privojnë veten nga pjesëmarrja në jetën e gjallë të Kishës dhe kënaqësia e përjetimit të mrekullisë së ndërtimit të saj.       

Dhimitër Qosja
Thoma   Çomëni
(Pedagogë të Akademisë  Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash, Durrës)