Në të gjitha enoritë e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, sidomos në qytetet e mëdha që përfshihen në të, me një pjesëmarrje të përgjithshme dhe jo vetëm të besimtarëve Orthodhoksë dhe me thellësi shpirtërore, u kremtua ngjarja më rëndësishme e historisë së njerëzimit dhe njëherësh thelbi i besimit tonë.
 
    Në qytetin e Gjirokastrës shërbesat dhe Liturgjia Hyjnore u kryesuan nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri. Gjatë gjithë periudhës së Kreshmës së Madhe Mitropoliti pati rastin të vizitojë enori të tjera të mëdha dhe të kryejë shërbesat arkieratike, por edhe t’u flasë të rinjve, nxënësve tanë dhe grupeve të katekizmit për rëndësinë që duhet të tregojnë për përgatitjen e tyre shpirtërore për të pritur Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht.
 
    E Premtja e Madhe me shërbesën e epitafit edhe njëherë tjetër mbushi rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës me besimtarë nga të dyja e kishat për t’u bashkuar, nën kryesimin e Mitropolitit, në sheshin qendror të qytetit ku u lexua Ungjilli. Qindra besimtarë, të cilët gjatë gjithë ditës kishin qëndruar nëpër kisha dhe ishin falur mbi Trupin e Zotit tonë, ndoqën këto shërbesa. E njëjta atmosferë edhe në Sarandë, ku dalja e epitafit në bulevardin anës detit i jep një tjetër bukuri ceremonisë. Në Përmet, ishin tre epitafë, që dolën dhe u takuan në sheshin para kishës së të Tërëshenjtës Mari, ku ishin të pranishëm pothuajse gjithë banorët e qytetit.
 
    Gjithashtu në të gjitha fshatrat e tjera të Dropullit e Vurgut, në qytezën e Himarës dhe Delvinës) me praninë edhe të qindra të rinjve që erdhën për këto Pashkë nga Greqia ku jetojnë e punojnë, atmosfera ishte madhështore.
 
    Eshtë e rëndësishme të theksojmë se gjatë gjithë periudhes së Kreshmës të rinjtë tanë, nxënësit që marrin pjesë në grupet e katekizmit apo shkollohen në institucionet arsimore të Kishës, ishin shumë aktivë në përgatitjen e kishave dhe aktivitetet shpirtërore. Ata kudo ndihmuan klerikët për të kryer shërbesat dhe Liturgjitë Hyjnore. Nxënësit e Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” shoqëruan në trajtën e vizitave shpirtërore, Hirësinë e Tij Dhimitrin në fshatra të ndryshme malore, në zonën e Pogonit dhe të Dropullit.
 
    Shumë nga klerikët e Mitropolisë së Gjirokastrës, sikundër është bërë traditë për të përballuar nevojat e besimtarëve kryen Akolluthinë e Ngjalljes në disa fshatra radhazi që të Shtunën në mbrëmje, por edhe gjatë të Dielës herët në mëngjes.
 
    Kudo ku u krye Liturgjia Hyjnore e së Dielës, por edhe gjatë ditëve të javës së Ndritur, u lexua mesazhi paskal i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasit si dhe u ndoqën transmetimet televizive të ceremonive kishtare dhe të pritjeve në Kryepiskopatën e Tiranës, gjë që ngriti emocionalisht të gjithë grigjën Orthodhokse të Mitropolisë së Gjirokastrës.

 
(Korresp. i “NGJALLJA”)