Madhështore, e bukur dhe shumë e gëzueshme ishte kjo javë që lamë pas. Ishte “Java e Madhe”. E madhe, sepse u pa i kryqëzuar mbi dru, Zoti ynë Jisu Krisht. E madhe ishte kjo Javë, sepse përjetuam pësimet, kryqëzimin, varrimin dhe ngjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.
 
Ishin të shumtë në numër besimtarët beratas në shërbesat e Javës së Madhe. Gëzimi i pashkëve që po vinin dukej qartë në fytyrat e tyre, duke filluar nga e Shtuna e Llazarit. Gëzim, hidhërim, emocione dhuruan hap pas hapi edhe gjithë shërbesat e tjera vijuese. Ja vlen të përmendim të  Dielën e Dafinave, Shërbesat e Dhëndrit, Efqelinë e Shenjtë. Arritën kulmin këto shërbesa në ditët në të cilat përjetuam Kryqëzimin dhe Varrimin e Zotit Krisht. I trishtueshëm dhe i ngazëllueshëm momenti kur krijesa kryqëzon Krijuesin. I trishtueshëm, sepse shohim diçka që mendja njerëzore nuk mund ta konceptojë, i ngazëllueshëm, sepse pa kryqëzimin nuk do të vinte ngjallja dhe çlirimi nga tirania e djallit. Në këto ditë ne njerëzit dhurojmë lule në vend të gjembave, i bëjmë këto momente sa më madhështore, ashtu siç mohuan njerëzit t’i bënin atëherë, ato ditë….
 
Mbresëlënës ishte dhe shërbesa e Varrimit mbrëmjen e të Premtes së Zezë. Mijëra besimtarë ndoqën në shëtitoren kryesore të qytetit, procesionin, marshimin e dy Epitafëve, të zbukuruar me lule natyrale.
 
Momentet e vështira kaluan, erdhi momenti i Ngjalljes. Këtu gëzimi, i cili buron natyrshëm nga shpirti njerëzor, është i vështirë për tu përshkruar. Njerëzit me lambadhat paskale dhe me vezët e kuqe në duar dëgjuan në dy kishat e kryesore të qytetit tonë, në katedralen e Shën Dhimitrit si dhe në kishën e Shën Spiridhonit, himnin triumfal “Krishti u Ngjall së vdekurësh….”.
 
Në Katedralen e Shën Dhimitrit, Liturgjia paskale u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, i cili në mesazhin e Tij, theksoi:
 
“Qielli dhe toka feston sot. Hadhi dhe Parajsa kremton sot. Engjëjt dhe njerëzit ngazëllohen sot. Zemrat kërcejnë. Shpirtrat preken. Besimtarët përqafohen. Dhe kambanat shpallin ngazëllueshëm në anët e dheut, mesazhin më triumfal të shekujve: “Krishti u Ngjall”. Dhe jehona, nga malet, luginat dhe thellësitë e shpirtit, përsërit ëmbëlsisht: “Krishti u Ngjall”. Dhe me të vërtetë Zoti “u Ngjall”. E siguron fuqia e pathyeshme e Kishës. E dëshmojnë 20 shekujt e besës së krishterë. E vërtetojnë gojët e pagënjeshtërta të Apostujve…..
 
Në të gjitha gjerësitë dhe gjatësitë gjeografike të planetit tonë, rrezaton drita e Ngjalljes. Madje, edhe në vende, në të cilat është e padëshirueshme. E mbajnë dhe e transmetojnë këtë dritë, duar të shenjta, duar heroike. Njerëz, që nuk i tremben as vuajtjeve në thellësitë e Afrikës dhe të Azisë, as arrestimeve dhe internimeve në stepat e Siberisë, as ironive dhe kundërshtimeve në qytetet e mëdha të botës së ashtuquajtur të kulturuar. Kanë me vete fuqinë e pamposhtur të Shpirtit të Shenjtë, që dërgoi në Kishën e Tij, Zoti i ngjallur. Me fjalët dhe me jetën e tyre të shenjtë, si lambadha të tjera të Ngjalljes, shpërndajnë rreth tyre dritën e Krishtit, që nuk shuhet kurrë, megjithëse të pabesët tërbohen. Mesazhi i Ngjalljes së Zotit, është për të gjithë njerëzit e të gjitha epokave. Jeta e njeriut merr kuptim dhe vlerë, kur dëshmon ngjarjen e Ngjalljes, sepse kështu çlirohet nga makthi i vdekjes. Ngjarja e Ngjalljes, i vërteton njeriut, se jeta nuk mbaron, në mënyrë të paprapësueshme, me vdekjen. Kjo e vërtetë, solli në jetën e njerëzve, një ndryshim, një shndërrim të thellë. Drita e Krishtit erdhi në botë. Jeta e përjetshme dhe e paprishshme e Zotit të ngjallur, e aboliti vdekjen dhe hapi tejpërtej dyert e përjetësisë. Karakteristikat kryesore të “jetës së re” janë, gëzimi, ngazëllimi, dëfrimi dhe paqja.
 
            Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Kur shpallim “Krishti u ngjall”, nuk kujtojmë vetëm diçka që u bë në të shkuarën. Nuk pranojmë, thjeshtë, se Zoti “ dërrmoi pushtetin e armikut”. Mbi të gjitha, pohojmë se jeton edhe tani midis nesh. Kisha jonë, veç kësaj, përjeton vazhdimisht mrekullinë e Ngjalljes. Himnet ngjallësore jehojnë pandërprerë në tempujt tanë. Le ta përjetojmë, pra, edhe ne, mrekullinë e madhe, që të ndiejmë përgjithmonë, pranë nesh, Zotin e ngjallur, të na dhurojë paqen dhe gëzimin e Tij. 
    
                                                  Krishti u Ngjall
           
           Në të njëjtën atmosferë festive u krye dhe shërbesa e Mbrëmësores së Dashurisë, ku besimtarët ndër të tjera patën mundësi të dëgjonin Ungjillin e ditës në shumë gjuhë të huaja.
 
            Më pas në Mitropolinë e Shenjtë erdhën për të uruar Ngjalljen e Zotit, besimtarë të shumtë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare si dhe titullarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
 
Joan Qako