“ Kjo është dita që bëri Zoti; le të ngazëllohemi dhe le të dëfrejmë në të! “
 
    Kur bie kambana e së Dielës së Dafinave, e cila përbën dhe urën lidhëse ndërmjet Kreshmës së Madhe dhe Javës së Madhe, të gjithë besimtarët  orthodhoksë, e veçanërisht ata korçarë ndiejnë atmosferën e ditëve të Javës së Madhe.
 
    Të Mërkurën e Madhe, gjatë Misterit të Efqelisë, të gjithë besimtarët me  gëzim, dëshirë dhe shpresë prisnin  të shijonin frytin e këtij misteri që ofrohet nëpërmjet shenjës së dukshme të vajit, nga të gjithë  klerikët e mitopolisë.
 
    Të Enjten e Madhe të gjithë besimtarët përjetuan me dhembje e vetëndërgjegjësim, ndjesi të mëkatit që ka pushtuar secilin, në ngjarjen e dhimbshme të kryqëzimit të Krishtit. Zemra e secilit vuante bashkë me Jisuin dhe dërrmohej e kryqëzohej bashkë me Të.
 
    Të Premten e Zezë, në çastin kur Krishti zbritet nga kryqi kambanat bien vajtueshëm dhe të gjithë besimtarët shkojnë dhe i përulen Krishtit të vdekur në epitafet e të gjitha enorive. Kjo ditë mbyllet me Vajtimet  e Përmbivarëshme dhe takimin e të katër epitafeve në qendër të Korçës, nga ku, nën tingujt funebër  të stancës së tretë të vajtimeve,të cilat krijonte banda e qytetit, me mijëra e mijëra orthodhoksë, por dhe të besimeve të tjera, shoqërojnë Epitafet në udhëtimin e tyre përgjatë rrugëve kruesore. Të duket sikur gjithë qyteti ka dalë për të ndjekur shërbesën.
 
    E Shtuna e Madhe filloi  në mëngjes me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve Liturgjinë Hyjnore e në Misterin e Kungimit dhe vazhdoi me një pritje të heshtur deri në mbrëmje ku, pavarësisht të ftohtit dhe shiut të lehtë, besimtarët u mblodhën në të gjitha kishat e kryesisht në sheshin qendror të qytetit, para  Katedrales Ngjallja e Krishtit, duke pritur Lajmin e Gëzuar. Drita e Shenjtëruar ndriçoi mjedisin brenda dhe jashtë Kishës, duke paralajmëruar zemrat tona për çastin e Ngjalljes. 
 
    Një nderim të veçantë përbënte dhe pjesëmarrja e Presidentit të Republikës z Bamir Topi në Shërbesën e Ngjalljes. 
 
    Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Joani shpalli lajmin e gëzuar të Ngjalljes dhe të gjithë me një zë përsëritën duke psalur “Krishti u Ngjall së vdekurish me vdekjen, vdekjen shkeli……”.
 
    Në urimin e tij Hirësi Joani tha ndër të tjera se: “Të gjitha këndimet e festës  së Pashkës dhe kremtimi i saj përshkohen nga gëzimi dhe ngazëllimi. Madje dhe qëllimi i këtij kremtimi është pikërisht për të zbuluar  dhe për të përjetuar këtë gëzim, që i jep qenies njerëzore dimensinonin e saj të plotë. Dhe ky gëzim vjen nga ajo jetë e re që Ngjallja e Zotit solli në të gjithë krijimin dhe në çdo jetë të veçantë. Sepse jeta e re dhe e plotë në Zotin është me të vërtetë një gëzim dhe ngazëllim i madh dhe e mbush zemrën dhe shpirtin e njeriut me dritë.
 
    Pa dyshim që ne jemi të vetëdijshëm që bota e sotme përballet me probleme të mëdha ekonomike, morale dhe sociale….Ky realitet i mbushur me vështirësi duket sikur nuk jep shpresë dhe arsye për gëzim dhe duket sikur kremtimi i gëzuar i Pashkës është jashtë realitetit të përditshëm.
 
    Por kisha përsëri na fton të marrim pjesë në dritën e Ngjalljes së Krishtit, për të përjetuar gëzimin që vjen nga kjo dritë, për të ndjerë gjallërisht ngazëllimin e papërshkruar të kësaj ngjarje, sepse vetëm nëpërmjet këtij përjetimi ne mund të çlirohemi tërësisht nga robërimi i frikës, pasigurisë, sëmundjes dhe vetë vdekjes. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për dritën, gëzimin dhe shpresën që sjell Pashka. Madje drita bëhet akoma më e nevojshme kur jemi në errësirë, gëzimi kur jemi në ankth dhe shpresa kur jemi të mbërthyer nga dëshpërimi. Duke mundur vdekjen, nëpërmjet kryqëzimit dhe ngjalljes, Krishti u bë vendi i të gjallëve, vendi i gëzimit, vendi i shpresës dhe i sigurisë- vendi i shpresuar dhe i ëndërruar nga të gjithë popujt, gjatë gjithë historisë mijëravjeçare të njerëzimit.
 
    Të dashur vëllezër e motra. Kjo është me të vërtetë një ditë gëzimi dhe ngazëllimi. Në këtë ditë le t’i hapim zemrat tona ndaj këtij lajmi të gëzuar, sepse vetëm kështu mund të kuptojmë dhe mund të përjetojmë se errësira, dëshpërimi, pasiguria, madje edhe vetë vdekja, u mundën dhe se gjithçka që e frikësonte njerëzimin u venit nga drita dhe dashuria e Krishtit…”
 
    Festimet  e Pashkës u plotësuan me Mbrëmësoren e Dashurisë, që u mbajt si gjithmonë të Dielën në mëngjes, por dhe nga vizitat e besimtarëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal, e qendror,  përfaqësuesve të besimeve të tjera, njerëzve të artit dhe të kulturës, të botës akademike etj., që tradicionalisht nuk mungojnë çdo vit.
 
    E veçantë ishte vizita e urimit e Presidentit Topi. Ai u prit përzemërsisht nga Hirësi Joani, si dhe klerikë e besimtarë korçarë.
 
    Me këtë rast, Kryetari i Shtetit shprehu urimet më të ngrohta e të përzemërta për të gjithë besimtarët shqiptarë në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse, duke theksuar se nëpërmjet festimit të Pashkës, ngjarjes më solemne dhe më të nderuar të Kishës, jepen mesazhe të rëndësishme të vlerave të patjetërsueshme të jetës njerëzore, jo vetëm për më shumë shpresë dhe tolerancë me njëri-tjetrin, por dhe për më shumë besim te realizimi i aspiratës integruese evropiane të shqiptarëve.
    Nga ana e tij, Mitropoliti, Hirësi Joani, pasi shprehu mirënjohje për vizitën, nënvizoi mes të tjerash se “Kremtimi i Pashkës, i të vërtetës themelore të besimit të krishterë, e cila përkujton Ngjalljen e Jisu Krishtit, tregon se Zoti e mundi vdekjen duke risjellë jetën, duke bërë që gëzimi e shpresa të jenë përsëri pjesë e njerëzve”. 
 
 
Themistokli Bambulla