Pasditja e 3 qershorit  solli dritë e gëzim të ri në manastirin e shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit. Pas një jave me shi edhe koha parandjeu ditën e shenjtë, kremtimin e panairit të shenjtit të dashur, të besimtarëve orthodhoksë dhe jo orthodhoksë dhe solli diell e ngrohtësi menjëherë. Besimtarët erdhën grupe grupe, me besë e shpresë, për t’u falur tek shenjti i ëmbël e i dashur, shën Joan Vladimiri. Dhe nuk ishin të paktë. Erdhën si çdo vit nga qytete e fshatra brenda vendit tonë dhe jashtë tij, veçanërisht Mali i Zi. Erdhën edhe të besimit mysliman, duke ditur e besuar në mrekullitë e këtij shenjtori çudibërës. Kështu ka qenë që qëmoti. Këtu janë falur e lutur edhe stërgjyshërit e tyre të cilët kanë qenë të krishterë orthodhoksë, por të detyruar prej pushtuesit otoman, ndërruan besën por nuk e hodhën atë tej përgjithmonë.
    Agripnia, filloi me bekim të veçantë, duke pasur në altar dy episkopët, episkop Ilian dhe episkop Andonin. Ajo vazhdoi me dritën e lutjeve të nxehta të të gjithëve, klerikëve e besimtarëve, drejtuar Perëndisë e Zotit Jisu Krisht dhe shenjtit të lavdërueshëm, dita e të cilit po kremtohej.
    Kisha ishte e tëra e mbushur me besimtarë e dritë. Dhe orët kalonin pa u ndjerë si në një natë dasme që nuk dëshiron askush  t’i vijë fundi. Altari kishte pranë tij dymbëdhjetë klerikë, dy episkopë, tetë priftërinj dhe dy dhjakonë. Orët e shërbesës rrodhën pa u ndjerë. Ato u zhvilluan në dy gjuhë, shqip e sllavisht. dhe gëzimi i kremtimit të festës së  shenjtorit tonë të dashur, rridhte qetë qetë. Përveç kishës edhe oborri rreth e qark, ishte mbushur me të rinj, burra e gra. Ai llamburiste nga dritat e shumta. Shërbesat u ndoqën dhe u kryen në qetësi të plotë.
    Në kishë e jashtë saj, kudo, shërbenin me një devotshmëri të jashtëzakonshme studentët e Akademisë tonë teologjike të Shën Vlashit në Durrës. Por edhe si psaltës të shkëlqyer të muzikës bizantine ata jepnin maksimumin duke lavdëruar shenjtin e ndriçuar dhe kishën, me këngët e himnet e kënduara me aq mjeshtëri. Kështu mbaroi Liturgjia Hyjnore e mesnatës, për të pritur vazhdimin e saj në ditën e re. Arka e lipsaneve të shenjtit, mbeti e ndriçuar nga llambadhet  e lutjet e papushuar. Të gjithë sa vinin në kishë, i luteshin shenjtit në heshtje, me zemër e shpirt, për shëndet  të tyre, familjeve, famullive dhe gjithë botës.
    Mëngjesi filloi përsëri me rënien e kambanës dhe fillimin e Liturgjisë Hyjnore, përsëri me lutje e lavdërim të shenjtorit. Tanimë Liturgjia Hyjnore u krye nga priftërinjtë e ardhur rishtas nën bekimin e Hirësi Ilias. Besimtarë të rinj filluan të vinin grupe-grupe me besë e shpresëtari tek shenjti. Të tjerë klerikë e të tjerë besimtarë filluan të mbërrinin. Të dy episkopët, si dy duar të Perëndisë, hodhën farën e besimit e shpresës tek të gjithë të ardhurit në kishë. Tok edhe me priftërinjtë e kishës malazeze dhe gjithë besimtarët e mbledhur u krye litania e shenjtit, me tri rrotullimet jashtë kishës. Llambadhe, lutje, psalme e lavdërime drejtuar shenjtit. Me besimtarët e shumtë të mbledhur, u bashkuan edhe ata të ardhur rishtas nga Vlora e Beratit e të tjerë, të cilët nuk patën mundësinë të vinin e ndiqnin shërbesat e mbrëmjes e mesnatës.
    Sa bukur është të kremtosh e lavdërosh shenjtorin, të kesh besim tek Zoti e të jetosh me fjalën e Tij. Dhe orët rrjedhin si minuta, nën këngë e himne, nën lutje e lavdërime. Fytyrat qeshin e ndritin, zemrat e shpirtrat gëzonin në paqësi. Manastiri, altari, muret e gjithçka është përreth, gëzon i tëri. Edhe lulet, bari e pemët ndjejnë ripërtëritje.
    Pas Liturgjisë Hyjnore dhe litanisë së shenjtit i erdhi koha pritjes së autoriteteve zyrtare, e cila kryhet vit pas viti në traditë. Gjithnjë në krye të tryezës janë episkopët Ilia e Andoni të cilët rrezatojnë dritën e besimit tek besimtarë e të ftuar. Vjen për tu lutur e uruar besimtarët e shumtë Ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, Prefekti i Qarkut të Elbasanit z. Shefqet Deliallisi, Deputetja znj. Valentina Leskaj, Kryetari i Këshillit të Komunës Bradashesh z. Sabri Sallaku, znj. Mimoza Hasekiu, z. Agim Leka etj. Të gjithë mrekullohen me besimtarët e shumtë të mbledhur, kishën e restauruar, dhe fjalët e ngrohta e të ëmbla të episkopëve të Kishës Orthodhokse. Edhe ata njëzëri bashkohen me urimin e klerikëve : “Lavdi Perëndisë për bekimet që na dhuron”.
    Në drekë, tok me studentët e Akademisë Teologjike Shën Vlash të Durrësit dhe klerikët tanë, shtrohen edhe klerikët dhe besimtarët e ardhur nga Mali i Zi. Edhe ata janë të gëzuar e lumturuar me bekimin e madh që patën, që iu bashkuan lutjeve e himneve të besimtarëve tanë dhe lavdëruam bashkërisht shenjtin e madh mrekullibërës shën Joan Vladimirin. Ata, shprehen të kënaqur me orët që kaluan në manastir dhe ndjehen të mbushur me më shumë besë e shpresë dhe tepër të privilegjuar që morën pjesë në këtë kremtim të ndritshëm , të përvitshëm. Në drekë e deri vonë në darkë, përreth kishës e manastirit vlon gëzimi e hareja. Besimtarët, festojnë me dashuri, besë, shpresëtari e  frikë Perëndie, këtë kremtim të ndritshëm dhe lavdërojnë deri në qiell shenjtorin e tyre të lavdëruar. Kështu u mbyll dita e kremtimit të panairit të shën Joan Vladimirit, një ditë që bashkoi më shumë njerëzit me shenjtorin e Perëndinë edhe vetë ata me njëri tjetrin. Të shumta qofshin ditët e tilla, për besimtarët dhe gjithë komunitetin orthodhoks shqiptar.
 
    Ndërmjetimi i shenjtit tek Perëndia, qoftë i nxehtë dhe i papushuar tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
 
Atë Stavri Çipi