Me bekimin e Kryepiskopit Anastas edhe nën kujdesin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignatit, Kisha Orthodhokse mori pjesë në panairin triditor “Vlora 2014”, i zhvilluar nga datat 10-13 Gusht, 2014.

   Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u prezantua me botimet e saj, punimet kishtare dhe me ekspozitë fotografish të veprimtarive të ndryshme si: shkollat 9-vjeçare, të mesme e të larta, kontributin publik, kujdesin shëndetësor, përkujdesjet ditore (kopshtet), shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”, edukimin e krishterë, kampet, ndërtimet dhe restaurimet e kishave, duke shfaqur kështu një prezantim dinjitoz të ringritjes së Kishës.

    Tenda e Kishës Orthodhokse u vizitua nga shumë pjesëmarrës të panairit, të cilët patën mundësinë të merrnin botimet e saj por edhe të merrnin më shumë informacion rreth veprimtarive të saj. Personalitetet e larta gjithashtu vizituan këtë tendë. I pranishëm në hapjen e këtij panairi ishte edhe Mitropoliti i Beratit, Imzot Ignati.