Me bekimin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignatit, u krye pagëzimi i 22 fëmijëve të grupit të katekizmit të fshatit Kozare. Ky fshat përbëhet nga një komunitet me 90% të krishterë orthodhoksë dhe pjesëmarrja e fëmijëve në mësimet e katekizmit është aktive.
Pagëzimi u krye në kishën “Shën Spiridhoni” në Berat, në ditën e Ngjalljes së Llazarit, në datë 27 Mars 2010. Misteri i Pagëzimit u celebrua nga vetë Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij, Imzot Ignati, i ndërthurur me Liturgjinë Hyjnore të ngjalljes së Llazarit. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, kur erdhi momenti me të Shenjtat e të Shenjtëve, të parët që u afruan për kungim ishin pikërisht këta 22 fëmijë, engjëj të porsadalë nga kolimvithra e pagëzimit dhe më pas u kunguan besimtarët, që kishin ardhur për të kremtuar të Shtunën e ngjalljes së Llazarit.
Pagëzimi ishte shumë mbresëlënës, pasi rikujtoi dy ngjarje të veçanta që ndodhnin në Kishën e hershme: pagëzimi i katikumenëve bëhej në vigjilje të Pashkës së Madhe dhe celebrohej brenda Liturgjisë Hyjnore.
Jo pa arsye u caktua kjo ditë Ngjalljeje për t’u bërë ky Mister i Pagëzimit Hyjnor, sepse vetë pagëzimi është një ngjallje dhe një rilindje jete, pasi vdes njeriu i vjetër mëkatar dhe rilind një jetë e re, Jeta me Krishtin.
Në fund të këtyre shërbesave, për të porsapagëzuarit dhe familjarët e tyre, u shtrua një drekë në ambientet e mensës së Kishës.
|