Në rrëzë të Shpiragut ndodhet Paftali, fshati piktoresk dhe klimaterik, ku kanë banuar njerëz të shquar e me tradita të vyera arsimdashëse, fetare dhe kulturore. Shumica e banorëve ishin orthodhoksë, prandaj dhe në vitin 1875, me ndihmën e tyre vetjake, ndërtuan mbi një kodër të bukur kishën e famshme të shën Kollit (Nikollës). Më vonë, besimtari Aristotel Kusta solli nga Italia, me shpenzimet e veta, dy kambana. Muret, hajati dhe kambanorja e kësaj kishe të shenjtë janë ngritur me gurë të nxjerrë nga mali, të skalitur me mjeshtëri të rrallë dhe të lidhur aq fort dhe artistikisht, saqë të krijojnë përshtypjen se janë ndërtuar tani afër.
 
     Pranë kishës paftalakët ndërtuan dy çezma, vepra të bukura arti. Në njërën prej tyre, në atë më të vjetrën, është skalitur mbishkrimi domethënës: “Çezma e Sygjenecit u ndërtua më 12 korrik 1922, nga Shoqëria Orthodhokse e Paftalit…”.
 
     Jo më larg se 20 metra nga kisha, këta besimtarë të flaktë ndërtuan shkollën fillore dhe mëngrën për nxjerrjen e vajit nga ullinjtë e shumtë.
 
     Në këtë kishë kanë meshuar i ndjeri Thanas Papa, varri i të cilit ndodhet fare pranë ajodhimës, si edhe i ndjeri Spiro Papa, që në vitin 1964 u fronëzua si episkop i Mitropolisë së Beratit. Në territorin e kishës ndodhen varret e shumë besimtarëve orthodhoksë të këtij fshati.
 
     Në atë periudhë, kur orthodhoksia ishte rrënjosur thellë në zemrat e besimtarëve, burrat dhe gratë e moshuar, të rinjtë dhe të rejat, nxënësit e shkollës, fëmijët njomëzakë shkonin të gëzuar pranë njëri-tjetrit çdo të diel dhe çdo ditë të shënuar në kishën e shën Kollit, për të ndjekur me vëmendje Liturgjinë Hyjnore, për të dëgjuar me kujdes predikimin e priftërinjve. Pas Meshës, burrat në hajatin e tyre dhe gratë në hajatin tjetër, uleshin e bisedonin për problemet e ditës.
 
     Liturgjia e parë Hyjnore pas shumë vitesh ndalimi të besimit u krye aty më 10 maj 1992, nga atë Vangjel Xoxe.
 
     Pas 15 vjetësh iu kërkua Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij Ignatit, për ta falur përsëri këtë kishë. Ai priti këtë me kënaqësi të veçantë dhe caktoi datën 21 tetor për të zhvilluar Liturgjinë Hyjnore.
 
     Si fillim, u hartua lajmërimi për këtë veprimtari, që u lexua në të dy të dielat, e datës 7 dhe 14 tetor, në çdo kishë të dioqezës. Lajmërimi u afishua në mjedise kishtare edhe në qytetet Tiranë, Berat, Kuçovë, Lushnje, Fier, Vlorë etj. Qytetarët u njohën me këtë ngjarje edhe nga Tv Onufri dhe gazeta “Shekulli”.
 
     U bë kujdes për rivendosjen e kambanës, si edhe u siguruan me ndihmën e Bashkisë Berat 150 ndenjëse, të mbetura nga rikonstruksioni i një mjedisi publik.
 
    Të dielën, 21 tetor, autobusët u nisën që herët. Shumë të tjerë erdhën nga qytete të afërta me automjete vetjake. Salla e kishës dhe mjedisi rrotull saj u mbush plot e përplot me rreth 400 shpresëtarë. Në këtë ditë të shënuar morën pjesë gjithashtu edhe mjaft banorë të fshatit që i përkasin besimit mysliman.
 
     Liturgjia Hyjnore u ndoq me përkushtim të veçantë dhe mbas saj Mitropoliti bëri një predikim ku midis të tjerave, tha:
 “…Koha e monizmit ka lënë gjurmët e saj edhe në dëmtimin e kësaj kishe. Është kënaqësi e madhe që shikojmë kaq shumë besimtarë në këtë kishë të këtij fshati kaq të njohur. Është e nevojshme që ta mbajmë të gjallë, duke zhvilluar meshë të tjera. Ashtu si të parët tuaj, që kanë dhuruar kaq shumë materiale dhe para për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve kishtare, kështu edhe ju duhet të kontribuoni për të vendosur xhama në dritaret e kësaj kishe, për të rregulluar çatinë, për të rikonstruktuar hajatet e saj dhe për të kryer një sërë punimesh të tjera të rëndësishme …”
 
     Më pas Mitropoliti ftoi besimtarët të marrin pjesë në një përshpirtje për të parafjeturit, të cilën e zhvilloi vetë, i ndihmuar nga atë Petraq Simsia dhe atë Kristaq Subashi.
 
     Pas Liturgjisë Hyjnore, besimtarët shikuan me shumë interes dhe pamjet që fotografi i talentuar, z. Dhimitër Topi, i kishte afishuar në muret e hyrjes së kishës. Ishin disa montazhe fotografish të bëra në vite, me pamje nga ditët e para të riçeljes së kishave.
 
     Kujdestari i kishës së shën Kollit, z. Siku Fani, e vetmja familje orthodhokse e mbetur sot në Paftal, ftoi në shtëpinë e tij Imzot Ignatin, klerikët që e shoqëronin dhe besimtarë të tjerë. Këtu u zhvillua një bisedë e ngrohtë, gjatë së cilës u shkëmbyen mendime për punët që duhen bërë për rregullimin e kishës. Imzot Ignati, i gëzuar nga gjithçka që ndodhi në këtë ditë, e quajti Paftalin “Ballkoni i Beratit”, falënderoi të zotët e shtëpisë për mikpritjen dhe uroi që të tilla gëzime të ketë edhe në të ardhmen.
 
 
Ilia Mihal Zaka