Predikimi i Fortlumturisë së Tij, Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Kisha e Shën Ekaterinës, Braintree, Massachusetts
1 mars 2026
Restaurimi i ikonës së Perëndisë brenda nesh – Eja dhe shih
E Diela e Orthodhoksisë – Ungjilli: Jn.1:43-51
I
Tema e rivendosjes së ikonave ka një gamë të gjerë, por predikimi im sot do të jetë mbi restaurimin e ikonës së Perëndisë brenda nesh. Së pari, do të flas për atë që ndodhi, si u errësua ikona brenda nesh dhe në vijim për restaurimin e saj. Përpara se qeniet e para njerëzore, të krijuara sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, të shtrinin dorën për të këputur frutin e ndaluar, tashmë kishin ndodhur veprime të caktuara të brendshme dhe të jashtme. Shkrimi i Shenjtë na tregon: “Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë… dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai” (Zan. 3:6). Pyetja është: A nuk e kishin parë frutin më parë? Përse nuk u ishte dukur ai më parë i mirë për t’u ngrënë? Fruti kishte qenë gjithmonë aty, por asnjëherë më parë nuk u ishte dukur “i mirë për t’u ngrënë”. Çfarë ndryshoi atëherë? Gjarpri – djalli – nëpërmjet dialogut që parapriu, arriti ta transmetonte në shpirtrat e tyre helmin e fshehur të dyshimit. Ai i bindi ata se Perëndia i mashtroi, se Ai nuk i do, por i shfrytëzon ata.
Ky helm e shtrembëroi ikonën e vërtetë të Perëndisë në shpirtin e Evës dhe të Adamit. Si pasojë, ikona e shtrembëruar dhe e rënë e Perëndisë, shtrembëroi vetë ekzistencën e tyre, dhe, rrjedhimisht, edhe shqisat e tyre të brendshme dhe të jashtme. Më parë, në sytë e tyre, fruti nuk ishte i mirë për t’u ngrënë; pas dialogut, ai u bë i dëshirueshëm. Mosbindja u bë e dëshirueshme.
Kështu fillon gjithçka. Që nga ai moment, personi njerëzor sheh në mënyrë të shtrembëruar, sepse ikona e Perëndisë brenda tij është çarë, e thyer si një pasqyrë e njollosur dhe e copëtuar. Helmi i gjarprit vazhdon ende. Sa herë që dëgjojmë ose flasim keq kundër të tjerëve, dëmi që shkaktohet nuk është më i vogël se dëmi që shkaktoi kafshimi i gjarprit helmues. Shën Joan Gojarti thotë: “Ti je njeri, megjithatë nxjerr nga goja vrerin e gjarprit helmues… Goja t’u dha për të shëruar, jo për të plagosur”. Për Shën Joan Gojartin, shpifja është më e rëndë se lebra – lebra dëmton trupin, ndërsa shpifja dëmton shpirtin.
II
Në leximin e Ungjillit të sotëm (Jn. 1:43-51), thirremi për një lloj tjetër shikimi. Filipi i thotë Nathanaelit: “Kemi gjetur Atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët – Jisuin, birin e Josifit nga Nazareti”. Nathanaeli ngurron. “A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti”? Pastaj Filipi thotë shprehjen emblematike: “Eja dhe shih”. Përdore shikimin përsëri – eja dhe do ta shohësh Arketipin dhe ikonën e restauruar të Perëndisë; eja dhe do të shohësh dhe do ta shërosh ikonën e thyer që trashëguam; eja dhe do të shohësh që Perëndia nuk është gënjeshtar dhe indiferent ndaj jetës sonë, por është i mirë dhe i dhembshur.
Prandaj, shprehja “eja dhe shih”, fsheh në vetvete pohimin e Mishërimit hyjnor të Birit të Perëndisë. “Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë” (Jn. 1:18). Por tani: Eja dhe shih! Ai nuk është më i largët, i padukshëm, i paarritshëm. Ai mori formën tonë, për të shëruar dhe rivendosur ikonën e Tij brenda nesh. Nga Mishërimi hyjnor rrodhën të gjitha Misteret e Kishës; nga Mishërimi hyjnor erdhi i gjithë hiri i Perëndisë mbi tokë.
Arti i ikonografisë – kryesisht paraqitja e ikonës së Krishtit dhe më vonë e shenjtorëve të Tij – zë vend brenda kësaj theologjie: Theologjia e Mishërimit hyjnor. Ikona është një pohim se Ai u bë si ne; ne e pamë Atë, dhe kemi të drejtë ta përshkruajmë. Ky është një pohim që na kujton se ikona e Perëndisë brenda nesh duhet të restaurohet, ashtu si ikona e Krishtit e paraqitur mbi dru është e plotë, e përkryer dhe e tërësishme.
Për këtë arsye, Shën Joani i Damaskut, mbrojtësi i madh i ikonave të shenjta, mësoi se përderisa Perëndia i padukshëm u bë i dukshëm, ne mund ta paraqesim Atë në ikona. Ikona është një “eja dhe shih” për çdo besimtar. Shën Vasili i Madh formuloi parimin themelor: “Nderimi që i jepet ikonës, i kalon Arketipit”. Kur nderojmë ikonën, nuk ndalemi te druri dhe boja – ne lartësohemi te personi i përshkruar – ashtu si Nathanaeli e kapërceu dyshimin e tij fillestar dhe u ngrit në rrëfimin e besimit: “Ti je Biri i Perëndisë”.
III
Sot, të Dielën e Orthodhoksisë, Kisha përkujton një ngjarje historike: Rivendosjen e ikonave të shenjta, të cilat gjarpri i lig u përpoq t’i shkatërronte gjatë përndjekjes ikonoklaste, pikërisht siç kishte bërë me ikonën brenda qenieve të para njerëzore. Megjithatë, e vërteta triumfoi, Orthodhoksia mbizotëroi dhe ne thirremi të gjithë t’i kushtojmë vëmendje ftesës së Ungjillit: “Eja dhe shih”, sepse çdo gjë që prek Perëndia, bëhet trans-historike dhe është për të gjitha kohërat dhe për të gjithë njerëzit.
Mbi Tryezën e Shenjtë, në qendër, qëndron gjithmonë Ungjilli i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili paraqet karakterin, Personin dhe ikonën e Tij. Përpara se Dhuratat e Çmuara të vendosen mbi të, Ungjilli i Shenjtë vendoset anës dhe, në vend të tij, vendoset Trupi dhe Gjaku i Atij që përshkruan Ungjilli – dhe ne tani jo vetëm që e dëgjojmë Atë, por edhe e shijojmë Atë, dhe mbushemi, në shpirt dhe në trup, me praninë e Tij mistike. Por, për ta arritur këtë, duhet të pastrojmë sytë tanë, shikimin tonë dhe të ndriçojmë ikonën tonë të errësuar. “Nëse pra syri yt është i kthjellët – thotë Zoti – gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm” (Mt. 6:22b).
E Diela e Orthodhoksisë nuk është thjesht përkujtim i rrëzimit të një herezie. Ajo është festim i triumfit të vetë thelbit të Orthodhoksisë. Prandaj, le ta duam Personin e Krishtit; le ta rivendosim dhe ta ngremë ikonën e Tij, jo vetëm mbi muret e kishës, por edhe mbi Tryezën e Shenjtë brenda nesh, mbi altarin e zemrës sonë, që kështu ta përjetojmë plotësisht edhe gëzimin e Ngjalljes së Tij.
Këtë të diel, përkujtojmë edhe Etërit e Shtatë Sinodeve Ekumenike, duke shprehur mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë dhe të gjithë martirëve të Besimit, të cilët e ruajtën Besimin e pastër Orthodhoks, nëpërmjet sakrificave të tyre të panumërta. Është detyra jonë të vazhdojmë ta ruajmë këtë thesar të paçmuar, veçanërisht në kohën tonë, në një shoqëri të shekullarizuar që karakterizohet nga fragmentimi dhe konfuzioni doktrinar. Bota sot ka nevojë për dritën e Orthodhoksisë.
Fillimisht, le ta ndezim këtë dritë në shpirtrat tanë, sepse “nuk mund ta rregullojmë tek të tjerët, atë që tek ne është e shtrembëruar” – siç na mëson Shën Athanasi – dhe të bashkuar me njëri-tjetrin, me dashuri dhe miqësi, le t’i dëshmojmë botës Besimin tonë. “Ky është Besimi i Apostujve; ky është Besimi i Etërve; ky është Besimi i Orthodhoksëve; ky Besim ka themeluar Botën-Oikumene”. Amin!