Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani,

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Shërbesa I e Himnit Akathist

Sot kemi përshëndoshjen e parë të së Tërëshenjtës, nga pesë javët me radhë të Himnit Akathist. Kjo është një nga shërbesat më të dashura dhe më të bukura të Kishës. Gjithsekush që vjen në kishë e ndjen edhe në ajër gëzimin e madh që sjell kjo shërbesë. Dhe atje ku është gëzimi, atje është Zoti, sepse atje ku është e keqja, nuk ka gëzim. Si në festën e Ungjillëzimit edhe në përshëndoshjet që bëjmë për të Tërëshenjtën, gjithmonë ndihet në ajër një lloj gëzimi i madh. Fjalët që dëgjohen më shumë në përshëndoshjet janë pikërisht: gëzohu dhe gëzim. Sikundër theksojmë vazhdimisht, një jetë pa gëzim është jetë e gjymtuar, dhe gëzimi qëndron aty ku është i pranishëm Perëndia. Kur themi ‘është i pranishëm Perëndia’, do të thotë atje ku jetohet një jetë sipas mësimeve dhe vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit.
Ndonëse sot përkujtojmë një ngjarje historike, kur qyteti i Konstandinopojës u shpëtua nga pushtimi me ndërhyrjen e së Tërëshenjtës, sikundër kemi theksuar që çdo gjë që prek Zoti kthehet në trans-historike, është për të gjitha kohërat, Etërit e Kishës, në mënyrë simbolike, e kanë përshkruar shpirtin e njeriut si një qytet dhe të gjitha pasionet e ndryshme nga jashtë dhe nga brenda tij, janë pikërisht sulmet për ta pushtuar qytetin. Për ta mbrojtur qytetin, çdo njeri ka nevojë pikërisht për praninë e Perëndisë dhe të së Tërëshenjtës. Për të ruajtur shpirtin e tij, njeriu ka nevojë që t’i drejtohet të Tërëshenjtës, që të ndërmjetojë pranë Perëndisë. Kjo vjen nga përvoja e gjatë e Kishës, e jetës shpirtërore në kishë gjatë gjithë shekujve dhe vazhdon edhe sot. Edhe në ditët e sotme kryhen mijëra mrekulli, pikërisht ngaqë i luten të Tërëshenjtës. Kisha na e kujton vazhdimisht që, sa herë jemi në vështirësi, sa herë e shikojmë që shpirti ynë shtrëngohet nga pasionet dhe vështirësitë, le t’i lutemi të Tërëshenjtës. Ajo do të na ndihmojë dhe do të na shpëtojë. Në troparet e Kishës themi gjithmonë: “Mbrojtje e paturpëruar e të krishterëve…”, që do të thotë që çdo njeri që i është lutur me gjithë shpirt të Tërëshenjtës, ka marrë gjithmonë përgjigje.
Prandaj, le t’i lutemi të Tërëshenjtës, Nënës së Zotit Jisu Krisht për të mbrojtur Kishën tonë, për të na mbrojtur ne dhe për të mbrojtur familjet tuaja. Lutja ka gjithmonë fuqi. Nëse lutja e të drejtit është shpërblyer me fuqi, kjo është për të gjithë njerëzit e drejtë. Sa më shumë të pendohemi, sa më shumë t’i përkushtohemi Zotit, aq më tepër do të dëgjohet lutja jonë.
Ne kemi thesar dhe bekim shumë të madh me këtë lloj shërbese dhe historia tregon që gjatë këtyre shërbesave dhe gjatë kësaj periudhe të Kreshmës së Madhe, lutja bëhet akoma më e fortë dhe e Tërëshenjta do t’u përgjigjet lutjeve tona.
Ju uroj të gjithëve që e Tërëshenjta të qëndrojë një mbrojtëse për ju, për familjet tuaja dhe për fëmijët tuaj.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë
27 shkurt, 2026