Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E diela II e Triodit: Djali Plangprishës
Të dielën e dytë të Triodit, Kisha vazhdon përsëri temën e pendimit, sepse gjithë Kreshma e Madhe është udhëtim drejt pendimit; dhe pendimi është udhëtim drejt bashkimit me Perëndinë. Paravolia e sotme është një nga pjesët më të bukura të Ungjillit, ndoshta pjesa më prekëse. Asnjëherë nuk është treguar një histori kaq prekëse dhe kaq thellë. Ajo është një nga paravolitë që është predikuar më shumë se çdo paravoli tjetër, sepse kuptimi i saj është për gjithsecilin nga ne. Temat, të cilat prek kjo paravoli në pak rrjeshta, janë shumë të gjera, shumë të thella dhe shumë të domosdoshme për jetën tonë.
Së pari, paravolia tregon diçka shumë të veçantë. Ju e dëgjuat paravolinë, por do të përmend disa pika shumë të rëndësishme. Djali i vogël i kërkoi trashëgiminë të atit, duke i thënë që më jep pjesën time, se do ta merrte dhe do të largohej. Kjo ndodh vazhdimisht kur njerëzit mendojnë se mund të ndahen nga të gjithë të tjerët dhe mund ta realizojnë vetë gjithçka që kishin në mendje. Këtu kemi të bëjmë me temën e lirisë. Perëndia na ka krijuar të lirë – që të kemi lirinë, për t’u bashkuar me Perëndinë, por edhe lirinë për të mëkatuar. Dhe liria, e cila është dhurata më e madhe që Perëndia u ka bërë njerëzve, mund të jetë një bekim i jashtëzakonshëm ose mund të kthehet në një barrë të rëndë për ata të cilët nuk dinë ta përdorin atë. Kufizimet që na jep shpeshherë Perëndia nuk janë për të ngushtuar dhe kufizuar lirinë tonë, por janë për të na ndihmuar. Ashtu si mjeku na jep shpeshherë një dietë; nuk na e jep për të na munduar, por për të na shëruar. Dhe njerëzit që i shohin kufizimet si pengesë të lirisë, nuk e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë kufizimi i lirisë. Kufizimi që jep Perëndia për shumë gjëra si: mos vidh, mos vrit, mos shkel kurorën dhe shumë e shumë të tjera, nuk janë për të kufizuar lirinë. Duhet ta kemi gjithmonë në mendje këtë: Kufizimet janë për të na shpëtuar edhe për të na mbrojtur. Shpeshherë e krahasoj me një shembull. I keni parë rrugët malore që në anë kanë një mur ose një pengesë. Ato nuk janë për të kufizuar lirinë e shoferit, po janë për ta mbrojtur atë që mos të bjerë në ngreminë. Prandaj dhe të gjitha kufizimet që jep Perëndia janë për të na ndihmuar.
Historia e Djalit Prangprishës, e cila mund të shpjegohet në plane të ndryshme, mund të shpjegohet edhe në planin e gjithë historisë së njerëzimit, sepse kjo histori është për të gjithë njerëzit: Është historia ime, historia juaj dhe e të gjithë njerëzve sa kanë ekzistuar. Paravolia thotë që pasi mori pasurinë e tij, për të cilën mendonte se e kishte nga trashëgimia e tij, shkoi në një vend të largët.
Çfarë është vendi i largët? Vendi i largët në kuptimin e thellë të krishterë dhe fetar është një vend larg Perëndisë, një mërgim, një vend internimi, ku pikërisht njerëzit janë larguar nga natyra e tyre reale. Sepse kjo natyrë që shikojmë sot që sëmuret, vdes dhe shkatërrohet, nuk është natyra me të cilën na krijoi Perëndia. Perëndia na krijoi me potencialin për të qenë të pavdekshëm, por duke u shkëputur nga Jeta me J të madhe, nuk mund të jetojmë dot – sepse njerëzit nuk janë qenie autonome. Ne nuk jemi qenie autonome; nuk kemi jetë në vetvete nëse nuk ushqehemi. Ja, të rrimë disa kohë pa bukë, pa ujë, pa ajër…me siguri do të vdesim. I vetmi që ka jetë në vetvete është Perëndia.
Për sa kohë jemi të lidhur me Të, kemi jetë. Kur ndahemi nga Ai, jemi në një vend të largët. Dhe ky vend i largët nuk është një vend i mirë, është një vend në të cilin njerëzit mund të kenë vuajtje të pafundme. Prandaj dhe djali pasi e shpërdoroi gjithë pasurinë në një jetë të shthurur, mbeti pa gjë. Paravolia tregon që shkoi te një qytetar i asaj mbretërie. Etërit e Kishës e shpjegojnë që shkoi tek njerëzit, demonët që janë larg natyrës njerëzore dhe ai e vuri që të ruante derrat. Kjo ishte një fyerje shumë e madhe në Izraelin e asaj kohe, sepse derri për ta nuk mund të konsumohej dhe ata nuk mbanin derra. Nga një djalë që kishte pasuri, ai u bë shërbëtor dhe kjo tregon pikërisht degradimin e tij të madh moral, aq sa ai donte të hante dhe lendet që ishin për derrat, por dhe ato nuk ia jepnin.
Në këtë çast është pjesa më e bukur e Ungjillit dhe më domethënësja për ne. Paravolia thotë: Djali erdhi në vete. Çfarë do të thotë ‘erdhi në vete’? Ne të gjithë e dimë që kur një njeri nuk është në vete, do të thotë që është i marrosur. Sepse larg Perëndisë dhe duke jetuar në mëkat, mendja jonë errësohet dhe nuk e kemi mendjen krejtësisht të plotë. Mund të duken gjëra të drejta, por aparati është i prishur. Njësoj si një aparat që mat analizat mjekësore.
Nëse ai prishet, mund të nxjerrë rezultate dhe të mund të thuash ja aparati i nxori. Sigurisht i nxjerr rezultatet, por ato janë të gabuara, sepse aparati është i prishur. Prandaj dhe njeriu kur nuk është në vete, nuk logjikon në mënyrën e drejtë ashtu siç mund ta ndriçonte Perëndia.
Erdhi në vete dhe çfarë kujtoi? Kujtoi shtëpinë e atit të tij, duke thënë që në shtëpinë e tim eti edhe shërbëtorëve iu tepron buka, ndërsa unë këtu po vdes urie. Ky kujtim është shumë i rëndësishëm në jetën shpirtërore. E përmendim shpesh, sepse është e rëndësishme, kur themi që njeriu është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe brenda shpirtit të çdo njeriu ndodhet malli për Perëndinë. Nëse nuk do të ndizet ai mall, nuk do të fillojë rruga e pendimit. Nëse nuk do të kujtohemi për çfarë jemi realisht, nuk do ta ndryshojmë jetën tonë. Prandaj, shpeshherë edhe fatkeqësi të mëdha siç i ndodhi djalit, që mbeti pa asnjë gjë dhe i uritur, e bëri që të kujtohej. Thellë brenda çdo njeriu, pa përjashtim, kushdo qoftë ai, është e ndezur drita e ikonës së Perëndisë, por mëkatet e shumta, largimi nga Perëndia, na e kanë mbuluar këtë gjë. Dhe rruga e pendimit fillon pikërisht kur kujtohemi për këtë gjë. Nëse nuk do të kemi mall për Perëndinë, është shumë vështirë të pendohemi.
Pendimi në kuptimin orthodhoks nuk është vetëm thjesht një keqardhje, duke numëruar të gjitha mëkatet që kemi bërë. Pendimi është një ndryshim i madh dhe djali jo vetëm që u kujtua, por filloi edhe veprimin. Ai tha: “Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga punëtorët e tu” (Llk.15:18-19).
Dhe ashtu bëri, u nis. Pjesa në vazhdim tregon përsëri diçka të mrekullueshme: Dashurinë pa kushte të atit, e cila simbolizon Dashurinë e Perëndisë, që na do, jo se jemi të mirë, por se Ai është i mirë. Dhe kur e pa së largu djalin duke ardhur, paravolia tregon që i ati filloi të vraponte. Në atë kohë nëse një i moshuar vraponte quhej si turp. Vrapimi ishte vetëm për fëmijët edhe për të rinjtë. Por ati nga dashuria e madhe që pati për të birin vrapoi, e përqafoi dhe e puthi dhe nuk e la as të mbaronte fjalën që donte të thoshte i biri, i cili filloi të thoshte që mëkatova kundër qiellit dhe kundër teje dhe s’jam i denjë të quhem biri yt. Ai urdhëroi shërbëtorët që ta vishnin, madje ta vishnin me rrobën më të ndritshme, t’i vendosnin unazën në dorë dhe t’i vishnin edhe sandallet. Të gjitha veshje janë simbolika, për të treguar përmbushjen e këtij njeriu.
Prishja e rrobës do të thotë prishja e ndriçimit që kishim kur u krijuam. Veshja e një rrobe të ndritshme është si veshja e rrobës së Pagëzimit, e cila tregon përsëri pajtimin me Perëndinë dhe unaza është një bashkim i thellë me Perëndinë. Gjithçka që përdoret në fjalët e paravolisë është e matur edhe shumë domethënëse.
Por ndodhi diçka tjetër. Pasi filluan të festonin, u ther viçi i majmë dhe të gjithë filluan të këndonin, të gëzoheshin, të hidhnin valle, djali i madh u kthye nga ara. Ai dëgjoi këngët dhe vallet dhe pyet një nga shërbëtorët se çfarë ka ndodhur. Dhe ata i thanë që vëllai yt u kthye dhe ati nga dashuria e madhe theri dhe viçin e majmë dhe po bën festë shumë të madhe.
Djali i madh u zemërua dhe nuk donte të hynte. I ati doli për ta thirrur dhe ai nuk pranoi. Madje i thotë disa fjalë shumë të rënda: “Unë të kam shërbyer gjatë gjithë kohës. Nuk më ke dhënë asnjë kec, për ta ngrënë dhe për t’u gëzuar së bashku me miqtë e mi. Ndërsa kur erdhi yt bir që e harxhoi të gjithë pasurinë e tij me prostituta, there viçin e majmë dhe bëre një darkë shumë të madhe. Dhe ati i përgjigjet dhe i thotë: Bir, vëllai yt ishte i humbur dhe u gjet, ishte i vdekur dhe u ngjall dhe gjithë sa janë të miat janë dhe të tuat (shih Llk.15:29-32).
Çfarë përfaqëson realisht djali i madh? Djali i madh shpeshherë përfaqëson ato tipe njerëzish që ndoshta e ndjekin besimin nga jashtë, por jo nga brenda. Ata ndjekin ritet e besimit, mund të vijnë në kishë, marrin pjesë në Meshë, ndezin qirinj. Mund t’i bëjnë të gjitha, por zemra e tyre nuk është zbutur dhe nuk ka dashuri. Ai ndau shumë gjëra me atin, po s’kishte ndarë gjënë më të rëndësishme: Dashurinë e pakufijshme të Perëndisë.
Paravolia e sotme, siç thonë shumë nga Etërit, ndoshta nuk mund të quhet e Djalit Plangprishës, por duhet të quhet paravolia e Atit shumë dhembshur, e Atit që ishte plot me dashuri. Sepse falja nuk është thjesht drejtësi në kuptimin e drejtësisë së njerëzve. Falja e kapërcen atë. Dhe Zoti na fal, pikërisht, sepse na do. Nëse do të bënte Zoti drejtësi, nuk do na falte. Omelitë (fjalimet) dhe librat e famshëm të shën Isaak Sirianit, të cilin e citoj shpesh, sepse është një nga Etërit më të mëdhenj shpirtërorë të Kishës Orthodokse, janë burim drejtimi në jetën shpirtërore. Ai i provokonte ndonjëherë nxënësit e tij dhe iu thoshte:
– Ju mendoni që Zoti është i drejtë?
– Po, i përgjigjeshin ata.
– Jo, thoshte ai.
Ata shtangeshin dhe thoshnin:
– Si ka mundësi që Perëndia mos të jetë i drejtë?
Dhe shenjti vazhdonte duke thënë këto fjalë:
– Nëse Perëndia do të ishte i drejtë, unë dhe ju do të ishim tani në ferr. Perëndia është zemërdhembshur dhe kushdo që bëhet i ngjashëm me Perëndinë, e pastron zemrën e tij dhe ka dashuri.
Në vend që vëllai të gëzohej se u gjet vëllai tjetër, se ishte i vdekur dhe u ngjall, atë e kapi një zemërim i madh. Prandaj, njerëzit mund të vijnë në kishë shpeshherë, mund ta ndjekin besimin nga jashtë dhe zemërohen shumë kundër të tjerëve. Madje kanë një mëri të madhe. Të gjithë ata që shajnë, të gjithë ata njerëz që kundërshtojnë të gjithë të tjeret, nuk iu është zbutur zemra e tyre nga hiri i Perëndisë. Zoti do që të bëhemi të ngjashëm me Të, të kemi dashurinë e Perëndisë. Sepse Perëndia fal, ngaqë është i mirë. Shën Joan Gojarti thotë disa fjalë shumë të bukura në lidhje me këtë: Asnjë mëkat nuk mund ta mundë dashurinë e Perëndisë – qofshin imoralë, kurorëshkelës – nëse do të pendoheni, Perëndia do t’ju presë krahëhapur dhe jo vetëm që do t’ju pastrojë, por do t’ju thërrasë dhe do t’ju bëjë si miqtë e tij. Nëse do të kemi guximin për t’u rrëfyer dhe për ta pranuar fajin tonë e për t’u kthyer, sepse çdo mëkat i parrëfyer, i papenduar është ai që e shkatërron jetën tonë. Pendimi nuk është vetëm keqardhja, pendimi është fillimi i rrugës për t’u kthyer drejt shtëpisë së Atit.
Prandaj dhe jeta e njeriut është një udhëtim, një udhëtim për të shkuar përsëri për të takuar pikërisht atdheun tënd të vërtetë që është pranë Perëndisë. Ai është atdheu shpirtëror i të gjithë njerëzve. Ai është atdheu që njerëzimi humbi dhe shkoi në një vend të largët, në një tokë ku mbizotëron mëkati. Prandaj dhe pendimi është kthim në shtëpinë e Atit dhe ky kthim ka një domethënie shumë të madhe, sepse i jep jetës sonë një qëllim.
Sepse për çfarë shquhet qytetërimi i sotëm? Askush nuk ka një qëllim për ekzistencën e tij; Askush nuk pyet për qëllimin e ekzistencës së tij. Dhe sot jo vetëm që nuk ka përgjigje, por nuk ka as pyetje. Pyetjet lindin pikërisht kur fillojmë të kuptojmë që jemi në një vend të largët dhe fillojmë të kuptojmë që jemi të ndarë nga Perëndia. Dhe nëse tek ne do të ndizet malli për mbretërinë e qiellit, – të cilën gjithsecili nga ne e ka brenda tij, por është e mbuluar nga errësira, – dhe nëse do të ndriçohemi prej Tij, Ai do ta mbushë jetën tonë me gëzim; dhe jeta jonë do bëhet një udhëtim jashtëzakonisht i bukur. Rrugës do të hasim kryqe, por kemi besim, siç thotë Zoti: “Në botë do keni shtrëngim, po kini zemër, unë e munda botën” (Jn 16:33). Dhe çdo njeri që fillon udhëtimin drejt shtëpisë së tij të vërtetë pranë Atit, Perëndisë sonë, pa dyshim do të hasë shumë kryqe gjatë rrugës, por hiri i Perëndisë do t’i japë forcë dhe do ta ndriçojë vazhdimisht dhe ky udhëtim do të jetë një udhëtim shumë i bukur dhe do ta përmbushë qenien tonë. Prandaj, Kisha përpara se të fillojmë Kreshmën e Madhe na kujton pikërisht për këto paravoli që janë shumë të thella dhe shumë të dobishme për gjithsecilin nga ne.
Le të mundohemi të ndezim në shpirtin tonë mallin për shtëpinë e Atit. Dhe le ta fillojmë udhëtimin për të shkuar drejt Tij. Se sado mëkate të kemi bërë, Perëndia, nëse do të pendohemi do të na falë. Dhe jo vetëm që do të na falë, por do të na veshë rrobën e ndritshme dhe do të na mbushë me hirin e Tij. Amin.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”,
Tiranë, 8 shkurt 2026