Fjala e Kryepiskopit Joan, Presidenti i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”

Drejtuar stafit të Institucionit Arsimor “Protagonistët”

30 janar 2026

 

Së pari do të doja t’ju përshëndesja të gjithëve. Ngaqë është takimi ynë i parë me të gjithë mësuesit do t’ju uroja që Perëndia t’ju japë shëndet dhe urtësi për të mirën tuaj, për të mirën e shkollës dhe për të mirën e Kishës. Sot festojmë një festë shumë të madhe, të kremten e Tre Hierarkëve, dhe Vasilopita zakonisht bëhet më 1 janar ose dhe më 30 janar, sepse festojmë përsëri Shën Vasilin e Madh. Ajo që ua them gjithmonë mësuesve privatisht ose publikisht është kjo: Mësuesi i vërtetë nuk mëson vetëm ato që thotë, por më tepër mëson me ato që ai është, sepse nuk mund ta drejtojmë tek të tjerët atë që është e shtrembëruar tek ne. Nëse nuk drejtojmë veten, pa dyshim nuk do t’i drejtojmë dot as të tjerët. Prandaj dhe lutem gjithmonë që Perëndia t’ju japë urtësi dhe t’ju japë mençuri jo vetëm për detyrën tuaj, por dhe për veten tuaj. Çdo njeri që drejtësohet fiton një thesar shumë të madh. Atje ku është e keqja nuk ka gëzim.
Një varg nga profeti Isaia është shumë i rëndësishëm. Në të thuhet: “Nuk ka paqe për të paudhët”. Në përkthimin e Septuaxhindës (e të shtatëdhjetëve) që është përkthimi i parë i Dhiatës së Vjetër, që u bë në shekullin e dytë para Krishtit, ngaqë Diaspora hebraike e kishte humbur gjuhën dhe jetonin në Aleksandri. Aty greqishtja ishte gjuha, e cila flitej pothuajse në gjithë Mesdheun Lindor dhe u detyruan që ta përkthenin. Ata e kanë përkthyer fjalën: Shalom – Paqe në 3 mënyra. Në fillim e kanë përkthyer: Paqe – Irini, pastaj e kanë përkthyer: Shpëtim – Sotiria. Në këtë varg të profetit Isaia dhe në një varg tjetër e kanë përkthyer edhe: Gëzim, që do të thotë: “Nuk ka gëzim atje ku janë të paudhët”. Me pak fjalë, nuk ka gëzim ku është e keqja. Duke e pastruar veten tonë dhe duke e ndriçuar atë do ta mbushim jetën me gëzim. Mund të jesh milioner, por gëzimin nuk mund ta blesh dot, sepse gëzimi nuk është çështje e karakterit të personit, por është një dhuratë nga Zoti, kur e kemi Atë në jetën tonë të përditshme.
Çfarë do të thotë kemi Zotin në jetën tonë të përditshme? Nëse do të bëjmë një jetë sipas vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit, atëherë do të kemi gëzim, e këtë gëzim mund ta shpërndajmë dhe tek të tjerët. Prandaj dhe mësuesi më tepër mëson me atë që është. Nëse nuk i mësojmë nxënësve vlera, dituria nuk do t’i ndihmojë aq shumë. Shën Vasili i Madh, të cilin e përkujtojmë edhe sot thotë një fjalë shumë të bukur: “Shkollo njerëz pa Zotin dhe do të krijosh demonë”.
Se çfarë është demoni? Njeri shumë i shkolluar, i cili di shumë gjëra. Madje për dikë që është shumë i mençur ne themi: është shejtani vetë. Megjithatë nuk vlen, sepse nuk ka vlerën që është kryesorja. Prandaj do të doja të gjithë ju që t’i përçoni këto vlera te nxënësit dhe përçimi më i mirë është sipas shembullit tonë. Nuk mësojnë shumë fjalët nëse nuk shoqërohen me jetën dhe veprën tonë.
Prandaj shkolla jonë është një shkollë që pa dyshim mëson dituri dhe ka programin siç e kanë të gjitha shkollat e tjera, por këtu duhet të mësojnë dhe diçka tjetër: Të kenë dhe disa vlera, se pa këto vlera është shumë vështirë.
Do t’ju tregoj diçka. Isha njëherë në Universitetin e Harvardit dhe takova atje një profesor shumë të dëgjuar. Sapo ishte hapur një degë e re mbi gjenetikën, sidomos për trurin e njeriut dhe pashë programin se çfarë përmbante Midis mësimeve në biologji e lëndë të tjera shkencore, kishin edhe filozofinë, si Shën Agustinin dhe filozofë të ndryshëm. I pyeta se cila ishte arsyeja që i keni vendosur këto dhe m’u përgjigj kështu: “Kjo dituri është një armë, por pa një etikë këta njerëz mund të kthehen në përbindsha”. Prandaj është shumë e rëndësishme për ne që t’i mësojmë këto vlera. Le t’i lutemi Zotit të na japë mençuri të gjithëve për t’i përhapur këto vlera për të mirën tonë dhe për të mirën e nxënësve tanë.
Ju uroj të gjithëve: Gëzuar dhe për shumë vjet!