Nga data 16-18 janar 2026, u organizua konferenca ndërkombëtare me temë “Theologjia si Dëshmi – Vizioni Misionar dhe Kishtar i Kryepiskopit Anastas” nga Shoqata e miqve të studimeve misionare ndërkulturore, ndërfetare dhe orthodhokse; “Kujtesë dhe Inovacion” në bashkëpunim me dy Departamentet e Theologjisë Sociale dhe Studimeve Fetare të Universitetit Kombëtar të Athinës dhe me Kolegjin “Shën Ignati” me seli në Suedi.
Kjo konferencë nderoi personalitetin emblematik të Kryepiskopit të lumur Anastas, i cili shërbeu për shumë vite si Profesor i Studimeve Fetare në Departamentin e Theologjisë Sociale dhe, në shumë mënyra, mbajti gjithmonë lidhje me Universitetin Kombëtar të Athinës.
Konferenca u prit nga kryesekretariati i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë në Pallatin Sinodial dhe u nderua me praninë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Athinës dhe Gjithë Greqisë, z. Jeronimi II, i cili mbajti një përshëndetje të përzemërt gjatë seancës hapëse më 16 janar 2026. Ajo u përshëndet dhe u nderua nga prania e përfaqësuesve të Patriarkut Ekumenik, të Patriarkut të Jerusalemit dhe autoriteteve për Çështjet Administrative dhe të Diplomacisë Publike.
Pjesëmarrësit u përshëndetën edhe nga drejtuesit e Shoqatës “Kujtesë dhe Inovacion” dhe të dy Departamenteve të Theologjisë Sociale dhe Studimeve Fetare, si edhe nga dekani i Kolegjit “Shën Ignati”.
Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, përfaqësues i Kishës sonë në këtë konferencë, përcolli fillimisht fjalën përshëndetëse të Kryepiskopit Joan, i cili nuk mund të ishte i pranishëm se ndodhej në Bruksel për një tjetër konferencë në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas. Kryepiskopi Joan, në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i falënderoi përzemërsisht për këtë iniciativë të shkëlqyer.
Në fjalën përshëndetëse theksoi që Kryepiskopi Anastas është një pjesë integrale e historisë dhe jetës akademike të Universitetit, të cilit i shërbeu me nder për shumë vite si Profesor i Historisë së Feve dhe Studimeve Misionare. Me punën e tij mësimore dhe kërkimore, ai frymëzoi breza studentësh dhe hodhi themelet për theologjinë moderne misionare orthodhokse. Siç është theksuar me të drejtë: “Pas shekujsh, falë Anastasit, ndodhi zgjimi misionar i Kishës Orthodhokse, hapja e horizonteve të saj për të gjithë botën”.
Vepra e tij i tejkaloi kufijtë e theologjisë teorike. Librat, esetë dhe artikujt e tij, megjithëse të shkruar në kohë të ndryshme dhe për audienca të ndryshme, dallohen nga uniteti dhe koherenca e brendshme. Kjo tregon se këto nuk janë tekste të rastësishme, por mendimi i pjekur dhe i kthjellët i një theologu, kujdesi i dashur i një bariu shpirtëror, si dhe përkushtimi i një të krishteri përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit – theksoi Kryepiskopi Joan në përshëndetjen e tij.
Gjithashtu, Hirësi Nikolla mbajti fjalën kryesore të ditës së parë të konferencës me temë: “Vizioni theologjik i Kryepiskopit Anastas dhe rëndësia e tij për epokën tonë”. Ndër të tjera ai theksoi se Kryepiskopi Anastas arriti, me shkrimet e tij dhe sidomos me jetën dhe veprën e tij personale misionare dhe baritore, që sot në botën Orthodhokse të thuhet se misionarizmi është detyrë themelore e Orthodhoksisë.
Ndërsa në ditën e dytë të konferencës, akademikë dhe studiues nga Suedia, Kenia, Rumania, Shqipëria dhe Greqia morën pjesë me punime origjinale.
Të dielën, në ditën e tretë të saj, në katedralen “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, të Kryepiskopatës së Athinës, u krye Liturgjia Hyjnore kryepriftërore dhe Shërbesa e Përshpirtjes në kujtim të Kryepiskopit tonë të lumur Anastas, e cila u drejtua nga Hirësi Nikolla.
Kjo Konferencë u mbështet nga Kryepiskopata e Shenjtë e Athinës, Shërbimi Apostolik i Kishës së Greqisë, Shoqata “Kujtesë dhe Inovacion”, Botimet Maistros, Akritas, Aparkia etj, të cilët do të mundësojnë edhe botimet e punimeve të saj.



