Hapi punimet Konferenca Ndërkombëtare: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”

Nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij, Joanit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos”, hapi sot më 22 janar 2026, ora 17:00 punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt.15:19), në auditorin qendror të Kolegjit Universitar “Logos”.
Fjalë përshëndetëse u mbajtën nga Rektori i Kolegjit Universitar “Logos”, i cili theksoi vizionin largpamës Kryepiskopit të lumur Anastas në ngritjen e Kolegjit Universitar “Logos” me moton “Dritë dhe fuqi jete”; Arqipeshkvi i Kishës Katolike, Shkëlqesia e Tij Arjan Dodaj; Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Erjon Sylari.
Pas paraqitjes së veprës së Kryepiskopit Anastas nëpërmjet një videojeje, u përcoll fjala përshëndetëse e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartholomeu, drejtuar Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Joan të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, organizatorëve të nderuar, dijetarëve dhe pjesëmarrësve të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore të mbledhur në Tiranë në nder të kujtimit të bekuar të Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit. Tema e kësaj Konference: “Madhështia në të bërët dhe në të mësuarit,” e nxjerrë nga fjalët e Zotit në Ungjillin e Shenjtë, përmbledh me qartësi të veçantë ethosin kishtar dhe vizionin misionar të Kryepiskopit Anastas. Në personin e tij, reflektimi shkrimor nuk u nda kurrë nga veprimi baritor, as ungjillëzimi nuk u shkëput nga përulësia, dialogu dhe dashuria. Jeta e tij qëndron si një sintezë e gjallë e shpalljes dhe shërbesës, mësimit dhe sacrifice – nënvizoi Patriarku Ekumenik në fjalën e tij.
Gjithashtu mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse Ambasadorja e Greqisë, znj. Lambrini Komini;
Znj. Ksanthi Morfi, Ekspertja e Komunikimit të WCC, e cila përcolli fjalën e Kryepiskopit Vicken Aykazian,
Legat Dioqezan dhe Drejtor Ekumenik, Dioqeza Lindore e Kishës Armene të Amerikës, Zëvendës-Moderator i Komitetit Qendror, Këshilli Botëror i Kishave dhe Shkëlqesia e Tij, Mitropoliti i Gjermanisë Qendrore, Dr. Isaac Barakat.
Zonja Blerina Bombaj përcolli përvojën e saj personale. Ndërsa Prof. Dr. Vasil Tole mbajti fjalën: Kryepiskopi Anastas, Rindërtuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi Joan mbajti fjalën kryesore me temë: Kontributi Theologjik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas i cili shpalli zyrtarisht hapjen e punimeve të saj për ditët në vazhdim. Si person unik në jetën dhe veprën e Kryepiskopit të lumur Anastas, ai theksoi që nëpërmjet shembullit të tij Kryepiskopi e ka forcuar tek të gjithë ne besimin e patundur tek Perëndia. Është bërë tashmë proverbiale thënia e tij: “Perëndia nuk do të na braktisë”. Besoj se jeta dhe vepra e tij janë një shembull i gjallë dhe frymëzim i vazhdueshëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë. Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të përfunduar sesa vetë fjalët e tij në lidhje me vizionin e Orthodhoksisë: “Kur e mendoj Orthodhoksinë në shekujt që vijnë, e ëndërroj të hapur ndaj zhvillimit, ndaj kushteve të reja të krijuara nga shkenca, arti dhe teknologjia. Vendi i Orthodhoksisë nuk është në një hapësirë jashtë historisë, por në qendrën e brumosjeve sociale, në pararojë të progresit…”. Siç ai vetë na ka thënë shpesh: “Nuk dua admirues, por bashkëpuntorë”. Ashtu edhe ne, nuk duhet të ndalemi vetëm në admirimin për jetën dhe veprën e tij, por edhe ta ndjekim atë pas, duke u bërë bashkëpunëtorët e tij në veprën shpëtimtare të Zotit tonë Jisu Krisht, nëpërmjet Kishës së Tij.
Kryepiskopi Anastas: “Ringjallja e misionit në shekullin XX: mësime të nxjerra dhe parime udhëzuese për sot dhe për të ardhmen” ishte tema e fjalës së mbajtur nga atë Martin Ritsi, Drejtor i Qendrës së Misionit të Krishterë Orthodhoks në Amerikë.
Himnet e kënduara nga dy koret e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë” mbyllën programin e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare.

Foto Album

 


Përshëndetje e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartholome


Fjalë përshëndetëse e Imzot Arjan Dodaj F.d.C.

Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës

Universiteti Logos

Tiranë, 22 janar 2025

 

 


 

Fjalim i Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajt, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, mbajtur sonte më 22.01.2026 në Konferencën Ndërkombëtare në nderim dhe kujtim të Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, “Madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”.

 

 


 

Fjala e mbajtur nga Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore Pastor Erion Sylari në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”, zhvilluar në auditorin qendror të Kolegjit Universitar “Logos”.

22 janar 2026