E Diela pas Krishtlindjes, nga Fortlumturia e Tij, Joani, Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, 28.12.2025
Ne festuam me gëzim të madh festën e Krishtlindjes, folëm për Lindjen e Dritës dhe shumë gjëra të tjera që përfaqëson Krishtlindja. Por të dielën pas Krishtlindjes, Kisha na kujton për diçka tjetër, që realiteti i botës nuk është vetëm gëzimi. Drita lindi dhe erdhi, por errësira nuk e pranoi; shkoi tek të vetët dhe të vetët nuk e pritën, – shkruan shën Joan Ungjillori. Gjë që do të thotë që drita e Krishtit nuk pranohet nga të gjithë. Shumë njerëz do ta kundërshtojnë. Herodi jo vetëm që u zemërua dhe u errësua shpirti tij, por deshi të vriste dhe vetë foshnjën që kishte lindur. Ai vrau 14.000 foshnja të tjera, sepse magët nuk u kthyen përsëri në Jerusalem, siç u kishte thënë me dinakëri Herodi, që kur ta zbuloni yllin dhe foshnjën, ejani më lajmëroni dhe mua që ta adhuroj edhe unë. Siç ndodh gjithmonë, tiranët përdorin përherë dinakërira dhe gënjeshtra. Dhe kur magët ikën dhe nuk u kthyen përsëri, ai u zemërua shumë. U zemërua dhe urdhëroi të vriteshin të gjitha foshnjat që ishin atje. Mund ta merrni me mend çfarë masakre e madhe: Vriten mijëra foshnje nga mosha dy vjeç e poshtë.
Përse Herodi e kishte këtë zemërim të madh dhe donte ta vriste foshnjën?
Sepse, nëse njeriu zaptohet nga pushteti, shpirti e tij fillon të errësohet. Nuk i vlerëson më njerëzit e tjerë se çfarë janë. Të gjithë i shikon jo si persona, por i shikon vetëm si instrumenta për madhështinë e tij. Dhe nuk mund ta duronte dot që mund të vinte dikush tjetër dhe ta zbriste nga froni. Prandaj dhe urdhëroi vrasjet e të gjitha foshnjave. Shikoni me kujdes se si Ungjillori e përshkruan këtë gjë. Nuk përmend ekzekutuesit, se pa dyshim që nuk shkoi Herodi vetë dhe i vrau me shpatë. Por thotë që Herodi urdhëroi dhe i vrau këto foshnja. Ky është mësim për gjithsecilin nga ne. Nëse nxitim dikë të vjedhë, jemi ne fajtorë më shumë se ai. Nëse nxitim dikë të shpifë, përsëri jemi ne më shumë fajtorë. Nëse nxitim njerëz të gjënjejnë, jemi ne fajtorët. Prandaj duhet shumë kujdes në fjalët që flasim, sepse mund të nxitim të tjerët. Ata mund ta kryejnë, ta ekzekutojnë atë gjë, por fajtorët kryesorë mund të jemi ne. Shpesherë dhe pa dashje njerëzit nxitin të tjerë me thashetheme; dëgjojnë një fjalë, e transmetojnë tek të tjerët, të tjerët tek të tjerët e kështu përhapet helmi kudo, duke shkatërruar. Është faj i madh kur nxitim mëkatet e të tjerëve, sepse do të kemi përgjegjësi para Perëndisë.
Përse errësira nuk e pranon dritën?
Sepse çdo gjë që është në errësirë, dëshiron të qëndrojë e fshehur. Njeriu, kur bën vepra të turpshme, vjedh, gënjen, e gjithçka tjetër, nuk do që të dalë në dritë, sepse drita tregon gjithçka dhe shihet gjithçka. Ai dëshiron të qëndrojë në errësirë, prandaj nuk e do dritën. Një thënie shumë e vjetër që i atribuohet Platonit, ndonëse në të gjitha librat e tij nuk gjendet kjo shprehje, mbase mund të jetë transmetuar gojërisht, thotë këto fjalë: Është e kuptueshme dhe e falshme që fëmijët të kenë frikë nga errësira, por tragjedia e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita. Njerëzit e rritur kanë frikë nga drita e Krishtit, sepse mendojnë që jeta e tyre do të fillojë të ndryshojë dhe nuk e duan ndryshimin, sepse drita që buron nga Krishti, do të zbulojë gjithçka që kanë në zemrën e tyre; dhe njerëzit nuk e duan këtë gjë. Kjo është dhe diçka shumë e rëndësishme në jetën shpirtërore. Nëse nuk e pranojmë dritën, jemi vetë ne që dënojmë veten; dhe do të jetojmë në errrësirë – gjithmonë me mërira, me inate, me zilira ndaj të tjerëve. Dhe kjo jetë është jetë e mjerueshme, sepse një jetë që nuk ka dritë, nuk ka as gëzim; e një jetë që nuk ka gëzim, është jetë e gjymtuar. Prandaj dhe Kisha na kujton për këtë realitet, që drita e Krishtit nuk do thotë se do të duartrokitet nga të gjithë. Edhe ne, nëse do të jetojmë sipas mësimeve të Krishtit, nuk do të na duan shumë njerëz rrotull. Shën Pavli shkruan këto fjalë dhe thotë se nëse dikush do të jetojë në mënyrë të devotshme në Krishtin Jisu, do të persekutohet. Nuk thotë që mund të persekutohet, por, me siguri, që do të persekutohet. Siraku, në librin e tij, “Urtësia e Sirakut” nga Shkrimi i Shenjtë në Dhiatën e Vjetër, thotë këto fjalë: Biri im, nëse dëshiron t’i afrohesh Perëndisë, për t’i shërbyer Atij, përgatite shpirtin tënd për ngasje të mëdha, sepse rrotull nuk do të pranojnë të gjithë. Kjo është arsyeja përse shpifen të drejtët, përse shumë shenjtorë janë shpifur aq shumë, janë persekutuar dhe janë vrarë, sepse errësira nuk e do dritën. Dhe kur dëgjojmë këto fjalë, ndoshta biem dakord me këtë, por duhet ta shikojmë edhe në jetën tonë të përditshme. A e duam realisht dritën; duam që shpirti ynë të ndriçohet nga drita e Krishtit, apo thjesht e themi vetëm me buzë? Një besim që thuhet vetëm me buzë, ose vetëm thjesht në kuptimin intelektual, nuk shëron. Le të marrim një shembull. Mund të jenë dy të sëmurë që kanë nevojë për antibiotikë. Njëri e injekton antibiotikun dhe shërohet, tjetri nuk e injekton dhe nuk shërohet. Ndoshta të dy besojnë në fuqinë antibiotikut, por nuk mjafton vetëm thjesht besimi. Besimi pa vepra, shkruan Shën Jakovi, është i vdekur. Një besim i vërtetë është një besim që ka vepra. Prandaj edhe ne, nëse e duam dritën, duhet ta pastrojmë zemrën tonë dalëngadalë, e le ta lëmë dritën e Krishtit të vijë në shpirtin tonë.
Shpesherë njerëzit ndoshta përpiqen shumë të heqin disa errrësira nga shpirti i tyre, por nuk mund ta bëjnë dot vetëm atë gjë. Shën Porfiri thotë një fjalë shumë të bukur, të urtë dhe në mënyrë shumë të thjeshtë. “Mos u përpiqni të largoni nga zemra juaj errësirën, po vetëm hapni një dritare të vogël, dhe lejoni dritën e Krishtit të hyjë atje, dhe kur drita e Krishtit të hyjë në zemrën tuaj, errësira do të largohet vetvetiu”.
Prandaj kur flasim për dritën e Krishtit, për Lindjen e Dritës, Diellin e Drejtësisë, le të krijojmë një dritare të vogël në shpirtin tonë, që të hyjë dritë dhe të largohet errësira. Largimi i errësirës do të çlirojë jetën e njeriut dhe do t’i japë kthjelltësi zemrës, mendjes së tij dhe ai do të gjejë një gëzim jashtëzakonisht të madh. Sepse atje ku është Zoti, atje është dhe gëzimi. Si i thotë Zoti kujdestarit të mirë? – Të lumtë kujdestar besnik, hyr në gëzimin e zotit tënd. E përdor fjalën gëzim si sinonim i fjalës jetë, sepse një jetë në kuptimin e Perëndisë është një jetë që ka gëzim, por një jetë në errësirë nuk ka gëzim. Ku njerëzit mbushen me mërira të kota, inate, zilira, smira, i shtyjnë ata që të bëjnë gjëra që nuk duhet të bëhen, ata nuk mund të kenë gëzim. Nuk mund të gëzohesh, duke dëmtuar të tjerët. Në Filokalinë, një përmbledhje librash të jetës shpirtërore të Kishës Orthodhokse, shumë e njohur në të gjithë botën, thuhet: Lum ai njeri që gëzohet me gëzimin e tjetrit”. Sepse njeriu që gëzohet me gëzimin e tjetrit, është i ndriçuar nga brenda.
A gëzohemi ne me gëzimin e tjetrit? A gëzohemi kur dëgjojmë të flitet mirë për një tjetër? Në përgjithësi kjo nuk ndodh. Kur lavdërojmë ndonjë njeri, shumë fytyra rrotull nxihen, sepse i kap zilia. Nëse nuk kemi fuqinë për t’u gëzuar me gëzimin e tjetrit, do të thotë që në shpirtin tonë po mbretëron errësira. Prandaj, Ungjilli i sotëm është një kujtesë shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne, për të kuptuar thellë brenda tij. A e duam realisht Krishtin, e duam dritën e Krishtit në zemrën tonë, apo vetëm thjesht me buzë nga jashtë? Sepse, nëse themi që e lavdërojmë dritën dhe brenda shpirtit tonë kemi errësirë, në fakt nuk e duam dritën. Herodët nuk janë vetëm thjesht tiranët, herodët janë dhe brenda nesh; dhe herodët e brendshëm janë akoma më të rrezikshëm. Kur fillon dhe lind Drita e Krishtit në zemrën e çdo njeriu, çdo pasion që ai ka, do të mundohet që ta heqë. Dikush duke e interpretuar nga ana intelektuale mund të thotë që shumë mirë thuhet atje, por jeta ka këto vërshtirësi… Ai gjen justifikime pafund, që mos ta pranojë dritën.
Nëse nuk e pranojmë dritën, si do të ndryshojmë ne? Gëzimi i Krishtlindjes nuk do të mbajë gjatë, do të jetë atë ditë pak nga ana e jashtme dhe nuk do të jetë një ndryshim i brendshëm. Prandaj dhe Ungjilli i sotëm na kujton për këtë gjë, që të luftojmë për ta pasur dritën, sepse errësira nuk e do dritën, dhe errësira nuk është vetëm nga jashtë, sepse errësira jashtë mund të luftohet me lehtë. Errësira me e tmerrshme është errësira brenda shpirtit të njeriut. Ajo errësirë nuk e pranon dritën, duke gjetur justifikime pafund. Prandaj Kisha na kujton për këtë gjë dhe kjo ka shumë rëndësi sot, që gjithë gëzimi që erdhi Shpëtimtari në botë nuk u prit mirë nga bota. Dhe vazhdon akoma dhe sot të mos pritet mirë. Shumë njerëz mundojnë ta bëjnë qesharake, sepse nuk e kuptojnë thellësinë e Ungjillit. Ungjilli është i thjeshtë, sepse është i thellë. Çdo e vërtetë është shumë e thjeshtë. Gënjeshtrat janë të komplikuara.
Qytetërimi i sotëm i ka bindur njerëzit se e vërteta, që të shpegohet, duhet të jetë shumë e komplikuar, shumë filozofike dhe e sofistikuar. Në fakt është e kundërta, sa më e thjeshtë të jetë diçka, aq më e vërtetë është. Ngaqë Zoti e di emrin e çdo gjëje, flet shumë thjesht edhe shumë qartë, por shumë thellë, sepse thellësitë më të mëdha, janë pikërisht te thjeshtësia. Nëse do ta thjeshtësojmë shpirtin tone dhe të fillojmë ta heqim errësirën, padyshim që do të fillojmë ta kuptojmë Ungjillin, dhe jo vetëm të kuptojmë, por edhe do ta shijojmë bukurinë e Ungjillit. Kushdo që e ka ndjerë bukurinë e Ungjillit në shpirtin e tij e kupton se çfarë dua të them me këto fjalë.
Nuk ka gëzim më të madh sesa kur ndien që Zoti është i pranishëm në jetën tënde edhe në zemrën tënde. Dhe Zoti është i pranishëm tek ne, vetëm nëse përpiqemi ta largojmë errësirën. Këtë nuk e bëjmë dot vetëm, pa hirin e Perëndisë. Prandaj edhe shumë shenjtorë ishin njerëz shumë të përulur, nuk mburreshin. Nëse shikoni një vend ku njerëzit mburren për çdo gjë, që historitë e tyre janë: Sa mirë e ka bërë ky, sa keq e ka bërë ai tjetri, dijeni se Zoti nuk është atje. Aty ku janë thashethemet, shpifjet, mëritë, zemërimet, Zoti nuk është atje. Zoti është atje ku ka ndriçim, ku ka dashuri, dhembshuri dhe respekt për të gjithë njerëzit që janë rrotull nesh. Le të gëzohemi me përparimin e njerëzve të tjerë, sepse ky gëzim do na ndriçojë ne më tepër. Duke u gëzuar me gëzimin e tjetrit do të thotë që zemra jonë është e pastër. Le të përpiqemi të pastrojmë zemrën tonë, që Krishti të lindë brenda nesh.
Shën Pavli shkruan dhe thotë që Krishti duhet formohet brenda jush. Çfarë do të thotë që Krishti të formohet brenda jush? Do të thotë që Krishti të lindë në zemrën e gjithsecilit prej nesh. Nëse shpirti i njeriut mbarset me Fjalën e Zotit, Krishti do të lindë në zemrën e tij, dhe atëherë ai do ta shijojë dhe do të ngazëllohet nga Krishtlindja, sepse do ta kuptojë thellë se çfarë do thotë Krishtlindja për gjithsecilin prej nesh. Le të mundohemi të jemi bij të Dritës dhe le të largohemi nga errësira, sepse drita që do të jetë brenda nesh, do të na ndriçojë dhe do të na japë gjithmonë gëzim. Amin
————-