APOSTULLI – 1 Thesalonikasve 2:1-8

Sepse vetë ju e dini, vëllezër, se hyrja jonë tek ju nuk u bë më kot; por si vuajtëm më përpara dhe u shamë, siç e dini, në Filipë, morëm guxim në Perëndinë tonë të flasim ndër ju ungjillin e Perëndisë me shumë përpjekje. Sepse mësimi ynë nuk qe prej gënjeshtre, as prej ndyrësie, as me mashtrim; por siç u provuam prej Perëndisë të na besojë ungjillin, kështu flasim, jo si t’u pëlqejmë njerëzve, po Perëndisë që provon zemrat tona. Sepse as fjalë me lajka nuk përdorëm ndonjëherë, siç e dini, as shkak lakmie. Perëndia është dëshmitar. As nuk kërkuam lavdi prej njerëzish, as prej jush, as prej të tjerësh, ndonëse mund t’ju bëheshim juve barrë, si apostuj të Krishtit që jemi. Por qemë të butë ndërmjet jush, si mëndesha që ngroh në gji bijtë e saj. Kështu duke pasur dashuri të nxehtë për ju, na ka ënda t’ju japim juve jo vetëm ungjillin e Perëndisë, po edhe shpirtrat tanë, sepse qetë të dashur për ne.