Nga Atë Nikolla Kodheli
Në janar të vitit 2005, u hap mensa “Shërbimi i Dashurisë”, që ndodhet tek rruga “Qemal Stafa” pranë Shkollës së Kuqe, tek villa 166, një inisiativë kjo e të lumurit kryepeshkopit të Tiranës, Anastasit.
Ka mbi 20 vjet që kjo mensë u vjen në ndihmë me ushqim falas 300 personave; 120 prej të cilëve e konsumojnë ushqimin brenda mensës dhe 180 të tjerë e marrin në shtëpi; për 6 ditë në javë, nga e hëna në të shtunë. Në shkurt të vitit 2024 kësaj mense iu shtua dhe shërbimi ‘delivery’ që konsiston në shpërndarjen e ushqimit tek shtëpitë e njerëzve në nevojë. Kjo kategori përfshin të moshuarit e braktisur që nuk mund të lëvizin, tetraplegjikët, gratë dhe fëmijët me aftësi ndryshe si dhe të sëmurët.
Të shumtë e të ndryshëm janë njerëzit që vijnë e konsumojnë ushqimin pranë kësaj mense, por gjithashtu të shumtë janë dhe ata që e marrin këtë ushqim dhe e konsumojnë më pas në shtëpitë e tyre. Urime dhe falënderime të ndryshme dëgjojmë nga goja e tyre, disa duke pëshpëritur e të tjerë me zë të lartë. Perëndia ju bekoftë që na mbani me bukë! Ju falënderojmë që na jepni gëzim! Mirë që ju kemi dhe ju! Dhe përgjigja e të gjithëve është: ‘Zotin falënderojmë për mundësinë dhe dëshirën që na jep për t’u bërë vegla në duart e Tij e ndihmuar keshtu njëri tjetrin’. Që ky gëzim të jetë i plotë e i vazhdueshëm, kërkon një staf njerëzish të cilët të shërbejnë me cilësi, korrektësi e dashuri. Herët në mëngjes vijnë gratë e kuzhinës, që në orën 5, për të gatuar gjellët dhe ushqimet në mënyrë që në orën 8 pa një cerek cdo gjë të jetë gati për tu shërbyer miqve tanë që trokasin që prej asaj ore, në derën e mensës ‘Shërbimi i Dashurisë’. Me të vërtetë është shërbim dashurie sepse pa u lodhur dhe pa u mërzitur asnjëherë shërben grupi i shpërndarësve të ushqimit duke mos u ankuar dhe fjalëpakë. Ata nuk ndikohen nga vuajtja e njerëzve të cilëve u shërbejnë, por me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla u japin kurajo së bashku me ushqimin e ngrohtë. E kështu ditët pasojnë njëra tjetrën. Ushqimi vazhdon të ofrohet me të njëjtin ritëm dhe intensitet tek të gjithë ata që e presin.
Nga dita e hënë deri të shtunën si dhe gjatë gjithë vitit, pa ndërprerje, vazhdon të ofrohet vazhdimisht e pa u shterur ushqim për të gjitha kategoritë e njerëzve, qofshin ata të pastrehë, pensionistë, invalidë, familje me shumë fëmijë, gra të dhunuara e të braktisura nga bashkëshortët e tyre, familjarë të cilët e kanë të papërballueshme jetesën mujore por edhe studentë. Historitë e problemet e njerëzve që vijnë pranë kësaj mense janë të shumta e nga më të ndryshmet. Mund të themi se është kthyer në një minierë historish.
Kërkohet impenjim i vazhdueshëm për të informuar dhe sensibilizuar dhuruesit e ndryshëm që kontribuojnë ose me shumë monetare ose materiale ushqimore. Ndërsa nga ana jonë kërkohet të jemi të besueshëm kundrejt tyre që ata të sigurohen se ato që ata ofrojnë shkojnë në funksion të qëllimit të mensës ‘Shërbimi i Dashurisë.’ Kontribuesit e Mensës janë të shumtë, ata janë individë, kompani, familje, dhe shoqata e fondacione që mbështësin punën e madhe që bëhet pranë kësaj qendre, por ajo që mbetet më prekës është dhurimi i atyre burrave ose grave të moshuara pensionistë që nga pensioni i tyre heqin mënjanë shuma monetare dhe na i dhurojnë për të na mbështetur në punën tonë. Ofrimet bëhen edhe në kujtim të të afërmve të tyre të cilët kanë ndërruar jetë si një përkujtimore e mirë dhe e vlefshme në sytë e Perëndisë.
Për mbarëvajtjen e kësaj mense punojnë gjithsej tetë persona: atë Nikolla, i cili është përgjegjësi dhe koordinuesi i kësaj mense, Zhani, e cila është kuzhiniere dy ditë në javë, të mërkurën e të shtunën, Monika që punon guzhiniere për katër ditë në javë, të hënën, të martën, të enjten e të premten. Aleksandri, i cili është punonjës i brendshëm dhe merret me mbledhjen e ushqimeve me automjet, dhe shpërndarjen e tyre brenda mensës. Areti është ndihmës guzhiniere dhe pastruese e kuzhinës. Liljana shërben ushqim jashtë dhe pastron perimet. Vullnetarë në punë të ndryshme janë Joani, Spartaku, dhe Juliani.
Modeli dhe frymëzimi ynë në këtë vepër të madhe sociale ka qenë dhe mbetet figura dhe personaliteti i kryepiskopit të lumur, Anastas, i cili na motivonte që të merrnim inisiativa të reja për të përfaqësuar kishën në mënyrë sa më dinjitoze. Më ka ngelur në mendje ajo që ai na ka thënë: Zeron nuk e bekon Perëndia, kurse njëshit i vendos shumë zero nga mbrapa. I njëjti model frymëzimi vazhdon të jepet edhe sot përmes personalitetit dhe figurës së Kryepeshkopit të Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Joanit, i cili në ditën e fronëzimit të tij, theksoi mbështjetjen që duhet të japim ndaj njerëzve në nevojë si një parim kryesor i punës dhe veprimtarisë së tij.
Mensa Shërbimi i Dashurisë mirëpret dhurimet tuaja të vlefshme dhe vazhdon me dashuri të shërbejë e tju vijë në ndihmë të gjithëve atyre që kërkojnë ushqim e ngrohtësi pranë saj. Te gjithe se bashku mund t’i bejme njerezit me te lumtur duke u ofruar se paku ushqimin baze.
Nr Llogarie në UNION BANK:111485096020314 KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE, Për mensën “Shërbimi i Dashurisë”
IBAN: AL39214111060111485096020314
Kodi SËIFT : UNALALTRXXX
Numer kontakti: 0674080729
Mund te na shkruani dhe ne inboxin e faqes në facebook: Mensa Shërbimi i Dashurisë – Kryepiskopata e Tiranës