– Apostulli – Filipianëve 1:8-14

 

Sepse dëshmitari im është Perëndia, se kam shumë mall për të gjithë ju me dhembshurinë e Jisu Krishtit. Edhe për këtë lutem, që të teprojë dashuria juaj edhe shumë e më shumë në njohuri e në çdo kuptim, që të dalloni më të rëndësishmet, që të jeni të çiltër e të papenguar deri në ditën e Krishtit, plot me fryte drejtësie, që janë me anë të Jisu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.

Edhe dua ta dini, o vëllezër, se sa më ndodhën mua ndihmuan më tepër për përparimin e ungjillit; aq sa vargonjtë e mi për Krishtin u bënë të dukshme në gjithë pretoren e në gjithë të tjerët; edhe më të shumtët e vëllezërve në Zotin, duke marrë zemër nga vargonjtë e mi, guxonin më tepër për të thënë pa frikë fjalën.